Partia Demokratike e Kosovës- Dega në Gjilan, ka mbajtur kuvendin e saj zgjedhor për Rininë Demokratike (RDK), ku delegatët e këtij kuvendi, përmes votës zgjodhën Qëndrim Qerimin, kryetar të Rinisë Demokratike në Gjilan.
Lidhur me këtë, kreu i PDK-së së Gjilanit, Riad Rashiti ka falënderuar përzemërsisht të gjithë të rinjtë e anëtarësuar në platformën e RDK-së, e të tillë, siç ka thënë ai, ishin 500 të rinj të Komunës së Gjilanit.
“Dy kandidatët zhvilluam garë të denjë e të matur, për të cilën i falënderoj përzemërsisht. Delegatët e këtij kuvendi, votën ja besuan z. Qëndrim Qerimi, i cili dhe u zgjodh kryetar i Rinisë Demokratike në Gjilan”, ka thënë Rashiti.
Në fjalën e tij, këtë angazhim të degës në Gjilan, e vlerësoi lartë edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se ishte kënaqësi të qëndronte në mesin e të rinjve të mirë të Gjilanit, të cilët janë bërë pjesë e platformës zgjedhore të Rinisë Demokratike të Kosovës.
Siç u shpreh ia, në tubimin madhështor që kanë organizuar të rejat dhe të rinjtë e Rinisë Demokratike të Kosovës në Gjilan zgjodhën për kryetar Qëndrim Qerimin, student i dalluar i stomatologjisë.
“Bashkë me kolegët që morën sot besimin për ta udhëhequr Rininë Demokratike të Kosovës në Gjilan, Qëndrimi do të përkushtohet për ta vënë potencialin e tyre në shërbim të qytetarëve dhe qytetit të tyre. Rinia është fuqia dhe garanca e ndryshimeve pozitive në shoqërinë tonë”, ka thënë kreu i PDK-së, memli Krasniqi. /2LONLINE/