Qëndresa Sadriu porosit kuvendarët: Punoni për popullatën jo për interesa personaleQëndresa Sadriu

Qëndresa Sadriu porosit kuvendarët: Punoni për popullatën jo për interesa personale

Qëndresa Sadriu, si përfaqësuese e Partisë Socialdemokrate, së fundi është zgjedhur deputete në Parlamentin e Kantonit më të madh të Zvicrës, në atë të Zurich-ut. Njëherësh ajo është edhe kryesuese e Kuvendit të Komunës Glattbrug.

Sadriu gjatë qëndrimit të saj në Gjilan, prej nga ka prejardhjen, ka qenë për pak minuta e pranishme edhe në seancën e Kuvendit Komunal të Gjilanit, që u mbajt sot, e ku pati rastin edhe t’i drejtohet kuvendarëve gjilanas, ku nga foltorja përçoi porosinë e saj, që të zgjedhurit me votën e qytetarëve, që janë pjesë e këtij Kuvendit, të punojnë për interesat e qytetarëve.

“Në Kosovë ka punë shumë, por nëse secili prej juve punoni, më së pari për popullatën e jo për interesat personale, besoj se edhe Kosova ka me arrit atë nivel sikurse Zvicra sot”, ka thënë Sadriu, transmeton Portali 2LONLINE.

Ajo po ashtu ka kërkuar që edhe për të rinjtë dhe femrat në Kosovë të ketë hapësirë më të madhe, mundësi më të mëdha të kyçjes në politikë, për të kontribuar e siguruar edhe ata një të ardhme të Kosovës.

Përndryshe, Sadriu theksoi se Kosova nuk ka nevojë veç për mbështetje financiare, por edhe për me u ndihmua me dituri, duke përfshirë këtu edhe përvojat dhe dijen e atyre jashtë vendit, si në këtë rast, në Zvicër.

Në këtë drejtim, ajo ka thënë se nuk do të kursehet por se, sa herë që do të ketë mundësi, do të angazhohet për të ndihmuar Kosovën.

Përndryshe, duke folur për suksesin e saj politik në Zvicër, Qëndresa Sadriu tha se pa përkrahjen e shqiptarëve që jetojnë në Zvicër, por edhe pa të atyre që janë në Kosovë, nuk do të kishte arritur aty ku është sot, suksesin e saj, andaj iu është falënderuar të gjithëve për përkrahje, transmeton 2LONLINE.

KOMENTE