DYLON

Qemajl Mustafa thotë se Lutfi Haziri është kontravers dhe hajgaregji

Avatar photo Redaksia

Nga: Qemajl Mustafa

/Duke e lexuar shtypin e portalet… 
Reagim në cilësinë e qytetarit të komunës/

EkoHigjiena

Të nderuar miqtë e mi e veçanërisht të nderuar ju qytetarë të Gjilanit,

Publikisht disa herë e pata thënë që e dua pa kusht, suksesin e komunës time edhe me çmimin që kryetari i tashëm (që ishte rivali fitues imi) të jetë i suksesshëm sepse, qëllimi i angazhimit tim në jetën publike përherë ishte dhe mbetet, ndërtimi i shtetit dhe demokracisë pavarësisht pasojave për individin. Asgjë nuk ndërtohet pa vetëmohim, pa sakrificë personale e familjare. Ata që e kanë zgjedhur kompromisin në këtë rrugëtim, po u shihet marifeti këtyre viteve të fundit e sidomos, nga zgjedhjet nacionale 2014 e këndej!.

Duke e lexuar shtypin e para festës së Flamurit hasa në një korrespodencë nga Gjilani e cili flet për angazhimin e kryetarit Lutfi Haziri dhe “taskforcës së tij” që të bëhet inkasimi total i borxhit nga familjet dhe bizneset e Gjilanit për periudhën 2009 – 2014 në kuadër të ligjit tashmë të njohur për amnistinë.

Kryetari, me këtë rast, edhe kërcënohej që këtë inkasim nëse nuk e bën me dëshirën e qytetarëve, ai do ta bëjë këtë edhe me “masën e tij të fundit” përmes përmbaruesve privatë.

Sa shumë kontravers jeni kryetar Haziri?!. Po ju ofroj si argument për këtë pyetjet në vijim:

1. A jeni ju po ai Lutfi Haziri i fushatës së vitit 2013 kur zëshëm e kritikoje qeverisjen komunale me retorikën tënde të thatë (por mbresëlënëse dhe mashtruese) në stilin:

“S’ka me e prekë qytetarin e varfër n’kuletë!.”? 
“S’ka komunë të pasur me qytetarë të varfër!.”?.

Po ju kujtojmë që ne, për inkasimin e sa më shumë mjeteve, e kemi pas kushtëzua kategorinë që nuk është në asistencë sociale me pagesën e vetëm 30% të borxhit të grumbulluar e pas ndonjë viti kur borxhi sadopak u “tëhollua”, e patëm ngritë në 50% e që ishte e përballueshme për familjet që regjistronin automjetet dhe bënin shitblerje ose valorizime pronësore. Pra, nuk e kemi pas prekë fukaranë e hallegjinë asnjëherë në xhep.

Natyrshëm tashti ju shtrohet pyetja e dytë: 
2. A është qytetari dhe familja e Gjilanit sot, me xhep më të mbushur (pra, më e pasur) se sa në vitin 2013?

Këtë përgjigje ta japin më së miri qytetarët sot e sidomos, besoj që kanë me ta dhênë në vjeshtën e vitit 2017 por, sipas njohurive të mia të bazuara në parametra realë (në rritën ekonomike vjetore të Kosovës dhe në rritën vjetore të kostos së jetës), qytetari dhe familja e komunës time dhe tëndes, xhepin e ka edhe më keq se në vitin 2013.

Pra, kryetar i komunës time (dhe tëndes), ju jeni tepër kontravers dhe hajgaregji i pacipë deri në groteskë.

Ju mundoheni që nga qytetari i Gjilanit të krijoni “budallain”, të krijoni “kopenë” e qytetarëve që s’mer erë n’kurrgjë përveç se din me heshtë, me u manipulue nga ti dhe me ta qitë votën ty?!

Gabim e ke gjithë ditën kryetar!.Këtë qytetari, e ka mashtruar shpresa dhe ambicia e saj për ta bërë më mirë por, kurrësesi “programi” i juaj (inekzistent) ose ndonjë afinitet i juaji personal për ta bërë më mirë.

Kjo nuk është “kope” amorfe qysh e trajtoni dhe e dëshmoni ju me sjelljet tuaja por, është qytetari e vërtetë e një komune e cila ka prodhuar doktorë meritorë të shkencës së ekonomisë dhe të të gjitha shkencave tjera dhe ata sot po ju sodisin dhe po bëjnë seri se qysh mundet një “lider”, me kaq lehtësi dhe me kaq deficit të madh të dijes e të moralit publik, me manipulua me popullin e tij që dje i ka dhënë besim me e qeverisë një komunë të madhe, të kulturuar e me njerëz hallegji por punëtorë e shumë të zgjuar.

Kryetar, edhe këta doktorë shkencash si dhe elita intelektuale e biznesore e komunës time (e tëndes), e ka mundësinë dhe ka me ta dhënë përgjigjen (këtë e besoj shumë) më së largu në vjeshtën e vitit 2017!.

Dhe pyetja e tretë në këtë trajtim
3. A po i shërben amnistia e taksave dhe tatimeve fukarasë së Kosovës apo shtresës e cila e ka bërë zhvatjen e këtyre tatimeve për shtatë vite me radhë dhe me atë masë të parave, është ngritur jashtëligjshëm në biznes e në pushtet?

Familja e varfër për ato shtatë vite (2001 – 2008), bazuar sërish në raportet relevante vjetore të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe sidomos të Bankës Botërore e të UNDP – USAID, mbesin edhe më të varfëra në vitin 2015 sepse diferencat e të ardhurave te shtresat sociale të Kosovës janë thelluar edhe më shumë, e kostoja e jetës, është rritur pamëshirshëm shumë po ashtu.

Pra, zotëri kryetar, mos e prekni ju në xhep qytetarin e varfër të komunës dhe mos e irritoni sa s’mund e bartë sepse ai përfundimisht është i mërzitur dhe i lodhur keq. Nga qeverisja e jote shumëvjeçare para së gjithash, në nivel lokal e qendror.

E kanë pas thënë pleqtë përherë mos ia bjer dikujt “shpirtin te hunda” se i lodhuri e fukaraja deri në asht s’ka çka humbë, ai ta bën belanë.

Mjaftohu dhe bëje disiplinimin e administratës komunale që e ke plotë korrupsion dhe me shenja të dukshme të anarkisë. Mblidhe taksën nga ata që e kanë zhvatur e fshehur jo vetëm për shtatë vite (po për pesëmbëdhjetë) dhe nga ata që munden por ende nuk po e paguajnë. Aty afër i ke kryetar. Klientelë e juaja janë në partinë tuaj e në institucionin e komunës.

E me klientelizëm po ashtu e kemi provuar deri ku mund të shkojmë, fatkeqësisht!.

Koha është me e ndërrue jo vetëm anën e “pllakës” së gramafonit por, krejtë “pllakën, bile edhe gramafonin”!

Shija ka ndryshuar e koha po lypë këngë tjera, me teknologji tjetër, zotëri kryetar!. /2L ONLINE/