/2L ONLINE/ – Ish kreu i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, pjesë e PDK-së së Gjilanit, iu është drejtuar publikisht Këshillit Drejtues të Degës së PDK-së në Gjilan, për të kërkuar që ky këshill përfundimisht t’i kthehet interesit të vet, interesit të anëtarësisë së degës dhe të komunës së Gjilanit…
Ja më poshtë fjala e tij e plotë me të cilin ai pritet edhe t’i drejtohet, siç thotë ai, organit më të lartë vendimmarrës në Degën e PDK-së në Gjilan, në takimin që parashihet të mbahet sot në orën 14:00:
Të nderuar anëtarë të Këshillit Drejtues,
Nëse takohemi sot në orën 14:00 siç edhe na keni ftuar (qoftë edhe vetëm për ta pirë një kafe bashkë), kjo është punë e mirë, sepse ky forum takohet pas dy vitesh të një gjumi të thellë e të pakuptimtë.
Ta rikujtojmë sot dhe përherë që këtu, në këtë forum kemi ardhur me besimin dhe vullnetin e lirë të anëtarësisë së degës për një të vetmin qëllim – që degën në Gjilan ta unifikojmë, ta rrisim e forcojmë dhe ta bëjmë fituese për ta udhëhequr komunën dhe institucionet e vendit tonë.
Duhet pranuar me tolerancë se për kohë të gjatë punën nuk e kemi bërë mirë. Nuk kemi qenësa duhet vigjilentë, as të përgjegjshëm e të guximshëm që me kohë ta identifikojmë pasivitetin e skajshëm të degës, të metat e saj si dhe lëvizjen e degës në drejtimin e gabuar.
Kemi kontribuar edhe ne këtu në prishjen e stërkeqjen e saj por në këtë punë ka hise, bile të madhe edhe qendra e partisë.
Kjo degë është e përfaqësuar keq në organet qendrore të partisë dhe ky përfaqësim nuk është freskuar asnjëherë – njerëzit e njëjtë, të afërt për nga ideologjia, të familjes afërsisht të njëjtë e përfaqësojnë partine në qendër sot e kësaj dite dhe marrin vendime për degën në Gjilan. Këta njerëz për kohë të gjatë jetojnë dhe aktivitetin politik e kanë ushtruar në degën e Prishtinës. Dega e Prishtinës me vite është degë e falimentuar, ajo sot ka rreth 10% të hises në konkurrencën politike të Prishtinës.
Ne këtu në Gjilan, me shumë punë, me investime nga më të ndryshmet, duke mos kursyer asgjë nga familjet tona, me tolerancë të skajshme dhe me hapje të vazhdueshme ndaj publikut të komunës, arritëm që degën ta ngrisim deri në 35% në konkurrencën politike të komunës dhe ta bëjmë fituese brilante dy herë me radhë. Dega e jonë përherë qendrësia siguroi prej 11000 deri në 12000 vota.
Dhe ia ka vlejtur sepse qeverisja e jonë me komunën në dy mandatet e kaluara ishte e dalluar në shumicën e fushave. Në takimet e rastit, këtë e pranojnë edhe ata që i kemi konkurrentë politikë dhe që sot e qeverisin komunën. Në fund të fundit, kthehuni te statistikat për ato vite në portalin e qeverisë dhe i shihni të gjitha rezultatet (krahasoni me komunat tjera).
Në komunë nuk kishte ndonjë bllokadë politike ose skandal të theksuar për gjashtë vite me radhë por, patëm disa probleme që vet dega ia shkaktonte qeverisjes së saj me komunën. Përfoljet kuluareve dhe ndonjëherë edhe paraqitjet irracionale në publik e kanë dëmtuar degën në Gjilan.
Unë, personalisht si njëri nga anëtarët e këtij forumi dhe si ish kryetar i komunës në dy mandate, isha dhe jam i gatshëm kurdoherë që të jap krejt shpjegimin dhe llogarinë time para këtij këshilli për të gjitha sfidat, sukseset, të gjitha të arriturat por edhe për ndonjë lëshim e gabim të mundshëm përgjatë atyre gjashtë viteve. Kjo do të duhej të ndodhte deri më sot por, nuk ndodhi asnjëherë pavarësisht që unë e kërkova pas humbjes në nivelin lokal. Ndodhi e kundërta e kësaj – ndodhi bllokimi i qëllimshëm i degës nga një grup i motivuar dhe i manipuluar nga prapaskenat e partisë dhe kështu, dega nuk funksionoi qe dy vite me radhë.
Të kthehemi edhe pak te statistikat themelore.
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Degës, siç po e shihni, nga shuma totale e votave fituese në hapësirën e Kosovës, e që është rreth 220000, Gjilani PDK-së ia siguroi përherë rreth 5% të kontributit.
Natyrshëm duhet bërë pyetjen, çfarë mori dega në Gjilan dhe komuna e jonë si shpërblim? Tepër pak.
Që të mos jem mohues irracional dhe cinik, asnjëherë komuna e Gjilanit nuk ka patur investime më të mëdha infrastrukturore dhe asnjëherë institucionet e komunës nuk kanë patur ngritje më të shpejtë, më kualitative dhe më të qëndrueshme se sa gjatë qeverisjes së PDK për ato dy mandate nëpër gjashtë vite por, gjithashtu asnjëherë nuk ka qenë më e përbuzur dhe më e e anashkaluar krahasuar me shumë komuna të tjera edhe larg më të vogla se kjo e jona. Sërish kthehuni dhe lexoni investimet vjetore nëpër komuna në portalin e qeverisë së Kosovës dhe krejt do ta keni të qartë.
Në tri vitet e fundit të qeverisjes tonë, komuna e jonë ka marrë nga qeveria jo më shumë se shtatë milionë euro e që është shifër tepër e vogël për një komunë kaq të madhe e me shumë kërkesa (pak më shumë se dy milionë në vit).
Grantet qeveritare e sidomos ai për arsim nuk e garantonte as operimin normal të komunës për shkak të specifikave të veçanta që i ka komuna dhe kështu nga viti në vit komuna krijonte deficit financiar i cili në fund të mandateve arriti në mbi tre milionë euro.
Dega e jonë nuk ishte për tetë vite me radhë as minimalisht e shpërblyer me përfaqësimin as politik por as profesional në strukturën qeveritare (as në punësime, as në udhëheqje të sektorëve të qeverisë, të agjensioneve e të bordeve të NP).
Natyrshëm, këshilli i degës tani duhet shtruar pyetjen se kush na paska përfaqësuar neve si degë në qendër dhe çfarë kanë bërë këta përfaqësues atje për këto vite për degën dhe për Gjilanin?Si dhe pse është përdorur puna dhe kapitali ynë politik deri tashti?
Unë e shoh si problem të thellë trajtimin jomeritor që qendra e PDK ua bëri degëve të cilat i qeverisën komunat. Kishte diskriminime dhe favorizime të skajshme. Pikërisht nga kjo mënyrë e qasjes në shumë degë ka ndodhur prishja dhe stërkeqja.
Kuadrot që degën e Prishtinës e kanë sjellur në kufi të ekzistencës dhe kuadrot e ndonjë komune që asnjëherë nuk ia ka siguruar PDK-së as gjysmën e votave tona, për fat të keq, me vite e udhëheqin Partinë Demokratike të Kosovës dhe qeverisin me Kosovën.
Të nderuar, ky këshill përfundimisht duhet ti kthehet interesit të vet, interesit të anëtarësisë së degës dhe të komunës së Gjilanit.
Jemi koshientë që jetojmë në një kohë të varfërisë materiale, arsimore e politike dhe nevojat tona janë të theksuara por, më shumë se nevojat janë të theksuara lakmitë tona për joshje, për pozita e për pushtet.
Besimi në projektet imagjinare, në premtimet boshe dhe në joshjen me pak para janë bërë ves i yni. Ves i keq që po na kushton shumë pas çdo procesi zgjedhor. Na janë mbushur asambletë tona por edhe kuvendi i Kosovës me njerëz që nuk e meritojnë me qenë aty. Janë aty sepse ne e shesim dhe e blejmë lehtë votën tonë, i besojmë lehtë rrenës së bukur, u besojmë manipulantëve që jetojnë kudo rreth nesh, edhe në familjet tona, në fiset tona, në kolektivet ku punojmë, këtu në partitë tona, kudo në shoqëri. Këtë trend duhet ta ndalim që sot, me punë, me edukim, me transparencë, me tolerancë, me mirëkuptim e korrektësi.
Nëse dikush, dikujt i siguron vend të qëndrueshëm të punës me ligj e korrektësi dhe kështu ia siguron ekzistencën ose mirëqenien familjes tuaj, jepjani besimin pse jo? Jepjani sepse ky është një akt konkret në dobi të qëndrueshme të familjes tuaj. Por, të nderuar, mos u manipuloni me pak dhe për asgjë sepse e keqpërdorni kapitalin tuaj politik – votën tuaj. Ashtu siç na ka ndodhur deri tani, pas pak kohe do të jeni të zhgënjyer me veprimin mendjelehtë që keni bërë.
E para punë që duhet të bëjë ky këshill do të duhej të jetë një analizë e shpejtë e gjendjes aktuale dhe ndërtimi i një strategjie dhe programi të punës për në vazhdim.
Kjo mund të bëhet vetëm me ndërtimin e një trupi (komisioni) kredibil që del nga ky këshill por jo nga kryesia aktuale e degës (në të mund të jetë ndonjë anëtar i kryesisë por jo më shumë). E them këtë sepse kjo kryesi me veprimet e veta të deritanishme e ka humbur legjitimitetin për të bërë punë të mëdha e të mira për degën. Pasi që të konstatohet gjendja aktuale dhe të ipen rekomandimet se si të veprohet duhet të vazhdojmë më tej por me program.
Të nderuar, ju anëtarë të kryesisë aktuale në këtë këshill, dua të më kuptoni drejtë dhe mirë. Asgjë personale e private nuk kemi mes veti (po edhe nëse kemi ato zgjidhen diku tjetër dhe me mjetet ligjore në fuqi).
Unë jam më se i bindur se me këtë kryesi, pjesë e së cilës isha deri në Maj të vitit të kaluar edhe unë, dega nuk mund të shkojë përpara.
Kjo kryesi duhet të jep llogari para këshillit para se të bëjmë ndonjë hap tjetër. Kjo duhet të ndodhë sepse me këtë kryesi i kemi humbur keq dy palë zgjedhje. Jemi fajtorë të gjithë, kush më shumë e kush më pak por, kryesia është gjithsesi përgjegjëse e madhe dhe duhet përfundimisht të reflektojë ani pse me shumë vonesë të kushtueshme.
Pavarësisht sanksionimit që këshilli i degës ia bën kësaj kryesie, ai duhet me saktësi ta respektojë statutin dhe ndonjë akt tjetër nënligjor në fuqi. Mosrespektimi i statutit të partisë qon në vulluntarizëm dhe në anarki. E anarkia nuk sjell fitore asnjëherë, ajo e garanton humbjen.
Gjatë zgjedhjes dhe plotësimeve eventuale në degë (ani pse unë jam përherë ithtar i zgjedhjeve të reja në degë), duhet të vendosen disa nga kriteret bazë për kandidatët për të gjitha nivelet por veçanërisht për vkryesi të degës dhe për kryetar.
Disa nga to do të duhej të ishin si në vijim:
a) Cili është profili i kandidatit (CV-a e tij),
b) Cili është kontributi i tij i deritashëm për degën,
c) Cila është mundësia e tij unifikuese, vepruese dhe imazhi publik i tij që të kontribuojë më tej
Për kryetarin e degës duhet të vlejnë kritere më të të veçanta sepse dega e jonë ishte fituese në dy mandate dhe pretendon patjetër të jetë fituese e radhës. Do të duhej që së paku kandidatët për kryetar ti plotësonin disa nga kriteret në vijim:
CV-a e kandidatit dhe kontributi i tij në degën e Gjilanit dhe në parti
Mundësia unifikuese e kandidatit dhe karizma e tij në publik
Dobia që kandidati i ka sjellë degës dhe komunës për vitet e kaluara nëse bëhet fjalë për ne që e kemi një stash më të gjatë në parti e në qeverisje
Programi i qartë dhe i shkoqitur mirë i punës deri në zgjedhjet e ardhshme në parti
Nëse nuk respektohen së paku këto kritere bazike atëherë kemi të bëjmë me votime grupore, të inateve e të preferencave të çastit dhe si rezultat kemi me e marë një produkt i cili nuk premton shtrirje, rritje e fitore të partisë.
E këtë ne nuk e duam
Anëtarësia e PDK në Gjilan përkundër goditjeve të mëdha që ka marë dega (nga vehtja e saj më së shumti), është e gatshme ti hyjë punës për ndërtimin e fitores së re në nivelin lokal dhe qendror.
Në doktrinën e ushtrisë amerikane qëndron një postulat udhërrëfyes drejt fitoreve të reja në çfarëdo kushte të luftës e ai thotë: “Zëvendësim për fitoren nuk ka!.”. Pra, ka vetëm fitore dhe asgjë më pak.
Ky postulat, kjo moto duhet të bëhet nga sot udhërrëfyes i degës në Gjilan drejt fitores së radhës për ta shpëtuar komunën, për ta ndërtuar shtetin ligjor, të zhvilluar e demokratik të Kosovës.
Në u besojmë anëtarëve dhe qytetarëve tanë.
Ne besojmë në fitore dhe ajo do të ndodhë nga ne të gjithë dhe për në të gjithë. /2L ONLINE/