“Pylli” i Erson Zymberit rrëmben tri nga çmimet kryesore të festivalit Etnofest
Shfaqja “Pylli”, me regji të Erson Zymberit dhe produksion i Teatrit “Bekim Fehmiu” – Prizren, është shpallur Shfaqja më e mirë në edicionin e sivjetmë të festivalit Etnofest, duke fituar tri nga çmimet kryesore të festivalit.
Krahas çmimit për Shfaqjen më të mirë, juria ka vlerësuar Hajrije Toqillën me çmimin Aktorja më e mirë, për interpretimin e saj në “Pylli”, ndërsa Bekim Korça është shpërblyer me çmimin për Skenografinë më të mirë.
Tri çmimet e konfirmojnë “Pyllin” si një nga produksionet më të spikatura të këtij edicioni të Etnofestit, duke veçuar njëkohësisht tërësinë e realizimit skenik, lojën aktoriale dhe konceptin vizual të shfaqjes.
“Pylli”, nën regjinë e Zymberit, ndërton një botë skenike ku marrëdhënia e njeriut me kujtesën, vendin dhe të kaluarën shndërrohet në një përvojë të veçantë teatrore. Në ambientin e hapur karakteristik të Etnofestit, shfaqja gjeti edhe një kontekst të veçantë komunikimi me publikun, duke e lidhur gjuhën e saj skenike me hapësirën dhe frymën e festivalit.
Çmimet për “Pyllin” në Etnofest 2026:
Shfaqja më e mirë – “Pylli”
Aktorja më e mirë – Hajrije Toqilla
Skenografia më e mirë – Bekim Korça
Shfaqja “Pylli” është produksion i Teatrit “Bekim Fehmiu” – Prizren, me regji të Erson Zymberit./2LONLINE/

