(2LONLINE) – Në Kosovë të kesh pushtet nuk kuptohet të kesh diçka siç është e zakonshme në shtetet e zhvilluara, por këtu të kesh pushtet është të kesh gjithçka.
Ashtu siç është dituria monedhë e shkencës apo edhe anasjelltas apo edhe siç është paraja monedhë e ekonomisë, në Kosovë pushteti është monedhë e gjithçkaje, tejkalon të gjitha pengesat që të paraqiten.
Siç thuhet edhe nga shumë të tjerë “po pate pushtetin e ke edhe shëndetin”, fjala nuk është vetëm për te ne sigurisht, por në mentalitetin ballkanik në përgjithësi, por disi te ne shqiptarët është e theksuar. Kjo u vërejt tash së fundi edhe në Maqedoni, ku dy subjektet e mëdha BDI-ja dhe PDSH-ja harruan premtimet dhe idealet kombëtare gjatë zgjedhjeve dhe duke ju nënshtruar tash subjektit maqedonas VMRO-së, për ti marrë në koalicionin qeverisës sepse edhe atje pushteti është monedhë.
Nga kjo pikëpamje sigurisht janë nisur edhe aderimet e reja në subjektet politike në Kosovë të disa individëve nga shoqëria civile dhe nga sektori i ekonomisë. Por gjendja aq e brishtë dhe mungesa e sundimit të ligjit nuk janë kurrfarë garance se angazhimi i shoqërisë civile në politikë do ta ndryshojë këtë gjendje.
Te shoqëria civile mund të arsyetohet deri diku aderimi në politikë sepse edhe janë të afërt me politikën por jo assesi 1 muaj para zgjedhjeve, ndërsa të komuniteti i biznesit kjo është e pakuptimtë. Apo ndoshta mendojnë se përmes politikës rritet edhe më shumë biznesi i tyre sepse po arrite të jesh edhe në pushtet nuk ju nënshtrohesh ligjeve në fuqi,sepse fortifikon ndenjën e superioritetit ndaj të tjerëve dhe bindjen se je mbi rregullat ndaj të cilave njerëzit e zakonshëm nuk mund ta kenë, sepse kur je në pushtet të konvenon edhe më shumë anarkia.
Kjo në fakt është edhe tragjedia e jonë si shoqëri në përgjithësi për “meritat” qysh më herët që u kemi dhënë politikanëve duke menduar se ata me prestigjin (falso) që e kanë janë njerëz të ngritur. E në realitet janë simboli i së keqes tash e 15 vite pas luftës. Janë simbol i hipokrizisë, mizorisë dhe cinizmit.
Në ekonomi paraja përfaqëson fuqinë, ndërsa në politikë mbështetja ta jep pushtetin, por po pate pushtetin nuk do të thotë se ke fuqinë mbi çdo send, sigurisht që kjo është në mentalitetin perëndimor e jo në atë ballkanik.
Por një gjë le ta dinë të gjithë se çdo e keqe do të jetë edhe në kurriz të tyre jo vetëm të qytetarëve sepse edhe ata një ditë do të jenë qytetarë të thjeshtë.
/Gazmend REXHEPI/
autori është Jurist