DYLON

Pushtetarët mbështesin grupet e korrupsionit dhe të krimit të organizuar!

Avatar photo Redaksia

Shkruan: SHEFIK SHKODRA

Kërkesa qytetare për qartësinë e rrugës tonë

EkoHigjiena

Çdo gjë që nuk është në favor të klasës politike, sidomos të koalicionit udhëheqës, dikush tjetër mund t’i ketë fajet. Dhe kjo vërtet është krejt relative. Asgjë nuk mund të përjashtosh nga mozaiku i të gjitha lëvizjeve, nga të gjithë ndërtuesit e godinës së shtetit të Kosovës, në mos edhe shkatërruesit. Mundet që një element politik të jetë për t’i avancuar punët në këtë vend dhe një grup tjetër t’i ngadalësoj apo edhe t’i devalvojë tërësisht. Tashmë, shumë mirë është e qartë se, në të gjitha paralelet e ndërtimit ka edhe pakënaqësi e shtrembërime, mohime e neglizhencë, qëllime subjektive e utilitare ditore, të mos flasim për injorancën… Madje, në një shkallë të ulët si te grupet feudale të Bajraqeve me bajraktarë nahijesh e me kadilerë secila anë, apo vetëm një anë. Shihet pra qartë, nuk janë për ndërtim e restaurim, aq sa për rrënim, me dije e pa dije. Përafërsisht që të gjitha kemi mundur t’i vëmë në vend të vetin. Krejt do të shkonin më mirë se sa tash, sikur të ishim vetë ne shqiptarët pa hile në veprime pas luftës. Sikur ne të mendonim, eventualisht, për dështimet tona të përgjithshme e të shëmtuara.

Damka e kryesore pa asnjë arsye

Grupet e korrupsionit, të krimit të organizuar e të plaçkës verig (zingjirë) janë të mbështetur në forca pushtetarësh. Atyre tashmë u është pjekë kjo veprimtari dhe nuk u intereson shumë dëmi i përgjithshëm. Ata e duan një vend feudal. Edhe më keq. Kur nuk e dimë se çfarë “vazifje” ka ai grup që mbledh haraç. Nuk mund ta marrim me mend se, a është fjala për piratë në Somali, (ata me të huajt) apo kaçakët (ata që janë përzier vetëm për plaçkë e kriminalitet, por jo ata kaçakët liridashës). Tash në këtë shekull që e quajmë vetën evropianë dhe vërtet ishim dhe jemi, si është e mundur që ne të udhëhiqemi nga rrugë të egra e të vjetra sociale. Në popull është dëgjuar çdo incident dhe aferë që është bërë me tenderët. Qytetarët kanë dëgjuar edhe për vdekjet e njerëzve nga shkaqe të papajtueshmërive në ndarjen e presë së piraterisë. Për shkaqe të përdhunimeve në “përfitime” grupore, në kurrizin e klasës punëtore e qytetare shqiptare…më e madhja, këtu hyn privatizimi që është thënë mjaft dhe ende duhet thënë.

A bën një pyetje që të dëgjohet publikisht?

Aq të lezetshëm e të dashur për vend e për këtë popull paraqitemi në opinion. Po ndryshe dalim me veprime. A bën ta parashtroj një pyetje, pse mundet dikush me plaçkit tjetrin me dhunë? Me ia marrë mallin tjetrit e me vra, apo me rrah si një thes me kallamboq? Çka do të thotë kjo? Jemi me komitat serbë? me ata “harambashët”, kur janë ngopur mish e raki të vjedhur dhe i përdhunonin familjet shqiptare?! Pse dikush paska të drejtë t’i dërgoj “selam” tjetrit, se, ka me ia marrë shpirtin që po flet kundër të keqes? A jemi ne të gjithë shqiptarë? Po qe se na ka borxh dikush, a ka mundësi që atë detyrim t’ia nxjerrim pa e dëmtuar njeriun? A bëhet shteti i përbashkët i shqiptarëve për të cilin jemi lutur natë e ditë e që janë dhënë jetë njerëzve pa numër qe një shekull e më tepër, për një liri dhe jetë të qetë, apo të vazhdohet me dhunë sikur e kemi pasur deri në fund të shek. XX, nga i huaji për të na sunduar. Pse duhet të mbrohet krimi? Çfarë shteti po duam ne? Të shek. XVIII, XIX, apo një shoqëri e qeverisur prej njerëzve më modern me energji e vullnet të mirë nga të gjithë…Në sa provinca ndahet ky vend? Si bashkohen trojet e shqiptarëve pra në një shtet? Pse po çojmë pluhur aq …?

Brenda këtij çerek shekulli, me qindra herë e kemi vërejtur se si shfaqet nepotizmi para syve tanë. Me dhjetëra e qindra herë e kemi parë se si hajni, spiuni, injoranti bëhet brenda ditës zyrtar e udhëheqës, qoftë në komuna, qoftë në qendër. Nuk fshihet më as plaçka deri te koka e këmbët e secilit qytetar. Dhuna e pasiguria mbretëron në çdo hap. Njerëzit i ka marrë paniku edhe nëpër shtëpitë e veta. Për këtë askujt nuk mund t’i kërkosh ndihmë. Na kemi një parlament me të deleguarit e rretheve që do të mund të përafronin gjendjen dhe sigurinë. Kemi edhe qeveri që do të mund të ekzekutonte dhe të përdorte ligjet në këtë tokë njësoj për të gjithë. Do të duhej që ta shikonin se kush është fajtori kryesor. Qytetarët janë pjesërisht fajtor, sidomos për atë pjesën e votës së tyre. Por, është një e vërtetë: nuk janë në gjendje ta dallojnë më se, cili është i preferuari i tyre. Kush është ajo parti, ai grup që do ta luftonin të keqën që po e kanos përditë këtë popull. Prandaj, Evropa dhe bota demokratike, pa interes të veçantë, do të duhej të ndërmerrnin të gjitha masat që ky vend të mos mbetet mollë sherri për veten e tyre dhe për të gjithë të tjerët. Këtu nuk mund të lulëzojë paqe e harmoni pa ndryshime e pastrime radikale. Qytetarët mund ta ngritin zërin dhe ndoshta do të bëhej vonë, kur do të pëlcas krejt kjo heshtje, kur do të aktivizoheshin të gjitha thashethemet në praktikë, të pa leverdishme për vetë këtë popull e këtë vend. Kjo nuk është mençuri, por një turp me të cilin do të jemi gazi i botës, i asaj botës që ketë e kanë pritur dhe dëshiruar në mesin tonë.

Një turp i pa përshkueshëm për të gjithë ne

Këtë mënyrë qysh kanë vepruar udhëheqësit tanë është si një gjellë pa kripë. Është si një godinë pa bazë. Është kulmi që luhatet në erë. Mbetet si një flluskë që e bartë era kah fryn. Dhe në këtë godinë, të themi gjysmë e ndërtuar hyn e del çmos dhe askush nuk paguan tagër që shkelet pamëshirshëm brendia e saj. Nuk jemi spanjoll, francez, sllav, anglez, gjermanë, arab, turq, kinez, etj. Nuk duhet t’ia privojmë të drejtën vetvetes të jemi ata që ishim dhe jemi. Do të ishte mirë, që të mos turpërohemi (më parë ata që po rrahin gjoks – udhëheqës) e t’u dalim zot punëve tona. Si? Duke ia marrë të drejtën të gjithë atyre që po e shkatërrojnë vendin në emër të “demokracisë” si që po thirren për çdo ditë. Më parë, duhet që të përgjigjen ata, pavarësisht se në çfarë pozicioni qëndrojnë. Atëherë, ky popull do të thoshte se, vërtet këta njerëz janë për ndërtimin e këtij vendi. Por, jo të krijojnë për çdo ditë afera të reja e të luajnë me popull. Mendja e njeriut nuk ia merr se ky kurs do të shpëtojë as individët. Mund të lëvizin pastaj edhe elemente të padëshirueshëm të çfarëdo ngjyre e të çfarëdo ideje. Mund të vihet në pikëpyetje i tërë projekti që kemi arritur deri me këtë ditë. Edhe forcat e jashtme nuk do të ishin të mjaftueshme për një paqe relative siç po e mendon dikush tash, këtu e në Europë. Kjo gjendje, (askush me mend nuk e dëshiron) dihet se kujt i konvenon. Për këtë gjendje dikush po lufton ditë e natë që, shqiptarët të katandisen dhe të degdisen nëpër botë, vetëm Kosova të mbetet pa ta.

Kësaj radhe OJQ-të kanë bërë mirë që u drejtohen evropianëve

Ne nuk bën të bëhemi të pabindur, por ne kërkojmë të na bindin miqtë tanë, meqë këtu është investuar nga ana e tyre. “Në raportin për Kosovën nuk gjendet diskutimi për secilën pikë. Nuk ka përshkrim të përpiktë të progresit. .. Nuk janë të qarta fushat prioritare,” thuhet në letrën e OJQ-ve në Kosovë, drejtuar BE. Disa herë kemi thënë, qytetarët e Kosovës nuk janë aq naivë, sa mos ta dinë se, çka është Evropa e bota. Në qoftë se jemi të sigurt në vetveten tonë, pse shqetësohemi për gjyqet që po duan të na i instalojnë? Kur nuk i duam të huajt, pse nuk vepruam vetë deri më tash? Kemi mundur t’i vendosim gjyqet e të respektonim kushtetutën dhe ligjet tona. Pse bëhemi alergjik dhe thirremi se, ne jemi shumë të pastër? Qe sa kohë po kërkojmë ta vendosim një prokuror, dhe nuk po nuk po mundemi! Kujt nuk po i konvenon dhe përse? Ku është problemi dhe çka po na pickon? Kësaj radhe OJQ-ët kanë bërë mirë që u janë drejtuar evropianëve: Përfaqësueses së BE-së, Mogherini dhe Komisionarëve Hahn e Avramopoulos, për “liberalizimin e vizave për Kosovën”. Dhe s’është vetëm kjo çështje. ..duke pasur parasysh se, EULEX-i ka rrëshqitur para opinionit të qytetarëve të Kosovës, vërtet evropianët do të duhej të paraqitnin përshkrimin e gjendjes reale për ndihmën politike dhe juridike të këtij vendi. Dhe për këtë të shihet: Çka e pengon Kosovën që të ecë me hapa normal në zhvillimin ekonomik; cilat janë pengesat objektive që do të duhej të ndërmerreshin për ngritje energjike e të pakursyer nga ana e zyrtarëve kosovarë; a ka kapacitete të mjaftueshme (është vërejtur për pesëmbëdhjetë vite) vendore për infrastrukturë juridike (që të zbatohet një herë e përgjithmonë ligji për të gjithë njësoj) dhe të ndërmerret ajo që është parësore: siguria e vendit nga elemente kundërshtetërorë; cilët janë individët (zyrtarët e lartë) që po fshihen pas individëve e grupeve, kompanive të biznesit, duke shkatërruar ekonomikisht me privatizimin, me organizimin e krimit, me reketin e hajninë; kush po i uzurpon të drejtat e qytetarëve në emër të demokracisë…etj. asnjëherë nuk janë thënë konkretisht prej asnjë zyrtari evropian, pavarësisht me çfarë misioni dhe detyre ka ardhur në Kosovë. Bindja është se, kanalet diplomatike, shërbimet e ndryshme informative, veç medieve të përditshme, evropianët kanë dëshmi deri diku të sakta për të gjitha. Shkurt, me siguri, zyrtarët evropianë janë në dijeni për të gjitha veprimet në Kosovë. Madje me emër e mbiemër të personave në institucione që kanë keqpërdor pozitën e tyre. Ndoshta, në këtë pikëpamje do të kishte mundësi edhe SHBA t’ua tërheq vërejtjen më për së afërmi klasës politike para se t’i stimuloj e inkurajoj. Evropianët duhet (nëse duan) të na ndihmojnë kundër krimit të organizuar, korrupsionit, pronës private, vendosjen e sigurisë…Për këtë fajtorë nuk janë qytetarët e rëndomtë të Kosovës.

Ç’është Gjykata speciale

Të gjitha këto që u thanë dhe nuk janë krejt çka duhet thënë, do të duhej që të eliminoheshin, të pastroheshin e të restaurohej krejt kjo godinë e re. Pse Gjykatë Speciale për krime të luftës vetëm për shqiptarë, nëse është kështu? Ajo që u tha më lartë, si duket vetë e kemi kushtëzuar këtë veprimtari nga jashtë. Edhe pse është për habi (sado që personalisht nuk dëshmoj dhe nuk flasë më tej), por nëse e quajmë për krime lufte, atëherë ka mjaft krime që janë bërë nga ushtria, paramilitarët dhe policia serbe. Të organizuara me komandë shtetërore këto formacione, në Kosovë i bënë të gjitha krimet që i kanë bërë në Bosnje e Kroaci. Pra, le të përgjigjen të gjithë për krimet. Krimineli i një nacionaliteti s’ka kurrfarë dallimi prej kriminelit të nacionalitetit tjetër e as që mund të kualifikohet veprimi i cilitdo me dallim e për mrekulli. Nuk mund të jetë një krim më i butë i këtij se ai krimi i atij tjetrit. Për dallim prej serbëve dhe Serbisë, shqiptarët kanë qenë në mbrojtje të vatrave, pronës dhe familjeve të tyre. Kjo do të thotë mjaft asimetrike realisht për drejtësinë ndërkombëtare. /2L ONLINE/