Punëtori për organizimin e mësimit tërëditor në shkollat e Komunës së Kamenicës
Nën organizimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit ne Komunën e Kamenicës, sot është mbajtur punëtoria profesionale për organizimin e mësimit tërëditor në Komunën e Kamenicës.
Në këtë punëtori po marrin pjesë, stafi profesional nga DKA, kolektivi arsimor dhe grupe të tjera të interest.
Kryetari i Komunës së Kamenicës Kadri Rahimaj ka vizituar së afërmi punëtorinë si dhe ka parë punën që po bëhet përgjatë saj.
Ai ka përshëndetur të pranishmit dhe i ka falenderuar për kontributin e tyre në realizimin e procesit për mësimin tërëditor në shkollat e Komunës së Kamenicës.
Kryetari Rahimaj ka shtuar se mësimi tërëditor nuk përfaqëson vetëm një zgjatje të orarit mësimor, por një qasje të re ndaj edukimit dhe zhvillimit të fëmijëve, duke u ofruar atyre më shumë mundësi për të mësuar, për të zhvilluar talentet e tyre dhe për të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme edukative, kulturore dhe sportive.
Drejtori i DKA-së në Kamenicë Selami Klaiqi, ka falenderuar të pranishmit për kontributin, angazhimin dhe pjesëmarrjen.
“Si DKA mbetemi të përkushtuar që të mbështesim iniciativat që rrisin cilësinë e mësimdhënies dhe që krijojnë mundësi të barabarta për të gjithë nxënësit”-ka thënë Drejtori Klaiqi.
Përgjatë punëtorisë është prezantuar edhe Plani Strategjik për mësimin tërëditor në shkollat fillore të Komunës së Kamenicës, ku të pranishmit kishin mundësinë të dëgjojnë përspektivën në aspektin shkencor profesional e praktik nga njohës e ekspertë të fushës.
Osman Buleshkaj e Selim Mehmeti nga Instituti Pedagogjik i Kosovës, Tringa Dedi profesoreshë universitare e Liridon Maliqi drejtor i shkollës “Qamil Batalli” në Prishtinë që tashmë e ka në funksion mësimin tërëditor, kanë ndarë eksperiencën dhe dijen e tyre rreth kësaj iniciative të nisur në Kamenicë.
Kjo punëtori është edhe një hap tjetër konkret drejt realizimit të mësimit tërëditor në Kamenicë. /2LONLINE/
