Punëtori për ngritje të kapaciteteve institucionale për identifikim, vlerësim dhe menaxhim të rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, në Komunën e Gjilanit, Enver Shabani mori pjesë në punëtorinë “Përmirësimi i të kuptuarit të rrezikut nga fatkeqësitë, parashikimi i bazuar në ndikim dhe paralajmërimi i hershëm”, e organizuar nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave në bashkëpunim me Bankën Botërore, në kuadër të projektit për Parandalimin dhe Përgatitjen ndaj Fatkeqësive (TAFF).
Drejtori Shabani tha se qëllimi i kësaj punëtorie ishte ngritja e kapaciteteve institucionale për identifikimin, vlerësimin dhe menaxhimin e rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, si dhe përmirësimi i mekanizmave të paralajmërimit të hershëm dhe reagimit ndaj emergjencave.
“Gjatë punëtorisë u diskutua mbi rëndësinë e analizimit të rreziqeve, përdorimin e të dhënave meteorologjike dhe hidrologjike për parashikimin e ngjarjeve të mundshme, si dhe zhvillimin e sistemeve efektive të paralajmërimit që mundësojnë reagim më të shpejtë dhe më të koordinuar nga institucionet përgjegjëse’, ka thënë Shabani.
Punëtoria shërbeu gjithashtu si platformë për shkëmbimin e përvojave ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale, duke nxitur bashkëpunimin dhe koordinimin në fushën e menaxhimit të emergjencave.
“Pjesëmarrja në këtë aktivitet paraqet një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve profesionale të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, përmirësimit të planifikimit dhe koordinimit ndërinstitucional, si dhe rritjes së gatishmërisë për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit në rast të fatkeqësive dhe emergjencave të ndryshme”, ka thënë drejtori i DMSH-së, Enver Shabani. /2LONLINE/
