DYLON

Punëtori me temë: “Ushtrim Tavoline – Tërmet”

Punëtori me temë: “Ushtrim Tavoline – Tërmet”
Avatar photo Redaksia

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Komunës së Gjilanit, në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit Emergjent (AME) dhe me mbështetjen e Misioni i OSBE-së në Kosovë, ka organizuar dhe zhvilluar punëtorinë me temën “Ushtrim Tavoline – Tërmet”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve lokale dhe qendrore, shërbimeve emergjente dhe akterëve të tjerë relevantë të përfshirë në menaxhimin e situatave emergjente.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, në Komunën e Gjilanit, Enver Shabani ka bërë me dije se qëllimi i kësaj punëtorie ishte rritja e nivelit të gatishmërisë dhe testimi i kapaciteteve të institucioneve për reagim në rast të një tërmeti me pasoja në territorin e Komunës së Gjilanit. Përmes një skenari të simuluar, pjesëmarrësit patën mundësinë të analizojnë procedurat e reagimit emergjent, koordinimin ndërinstitucional, menaxhimin e informacionit dhe vendimmarrjen në situata krizash.

EkoHigjiena

Ai tha se gjatë zhvillimit të ushtrimit, u trajtuan një sërë situatash të mundshme që mund të paraqiten pas një tërmeti, duke përfshirë dëmtimin e infrastrukturës publike dhe private, ndërprerjen e shërbimeve bazike, nevojën për evakuim të popullatës, organizimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit, si dhe ofrimin e ndihmës së parë dhe strehimit emergjent për qytetarët e prekur. Pjesëmarrësit diskutuan mbi mënyrat e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe identifikuan veprimet prioritare që duhet të ndërmerren në orët e para pas ndodhjes së një fatkeqësie të tillë.

“Një rëndësi e veçantë iu kushtua komunikimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet institucioneve, me qëllim të sigurimit të një reagimi të shpejtë, të koordinuar dhe efektiv. Gjithashtu, u diskutuan sfidat që mund të hasen gjatë menaxhimit të një emergjence të shkallës së gjerë dhe u prezantuan rekomandime konkrete për përmirësimin e planeve operative dhe procedurave të reagimit”, ka thënë drejtori Shabani.

Sipas tij, punëtoria shërbeu si një mundësi e mirë për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimin e përvojave dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale të pjesëmarrësve në fushën e menaxhimit të emergjencave. Përmes këtij ushtrimi u vlerësua niveli aktual i përgatitjes së institucioneve dhe u identifikuan fushat ku nevojiten përmirësime të mëtejshme për të siguruar një reagim sa më efikas ndaj fatkeqësive natyrore.

Në përfundim, pjesëmarrësit vlerësuan se ushtrime të tilla janë të domosdoshme për rritjen e gatishmërisë institucionale dhe për forcimin e mekanizmave të koordinimit, duke kontribuar drejtpërdrejt në mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pronës dhe mjedisit në rast të ndonjë tërmeti apo fatkeqësie tjetër natyrore në Komunën e Gjilanit.  /2LONLINE/