Punëtorët teknik të Gjimnazit “Xhavti Ahmeti” në grevë për paga!

Punëtorët teknik të Gjimnazit “Xhavti Ahmeti” në grevë për paga!

Punëtorët teknik të shkollës së mesme, Gjimnazi i Shkencave Natyrore, “Xhavit Ahmeti”, sot kanë hyrë në grevë, e cila po manifestohet me moskryerje të punëve.

Shefik Sopi, njëri nga punëtorët teknik të kësaj shkollë ka bërë me dije, për 2LONLINE, se 12 punëtorët teknik kanë marrë vendim për këtë hap, për arsye se tani e dy muaj, përkundër që ata kanë qenë në vendin e punës dhe kanë kryer punët e përditshme, nuk kanë marrë paga.

Sopi thotë se punëtorët teknik nuk e kanë marrë pagën e muajit janar dhe tani po përfundon edhe muaji shkurt dhe akoma nuk janë paguar. Edhe ashtu, ai tha se pagesa e tyre është minimale dhe se ndihen të diskriminuar, por edhe kur ato nuk merren fare, kjo e rëndon gjendjen edhe më shumë, pasi dihet se kjo kategori kryesisht janë me standard nën mesatar.

Ai tha se punëtorët e kësaj shkolle fillimisht kishin bërë një grevë njëditore si paralajmërim, por meqenëse nuk u ofrua asnjë zgjidhje, ata vendosën që edhe sot të mbajnë grevë dhe kjo të vazhdojë edhe ditëve tjera, deri në realizimin e të vetmes kërkesë, marrjen e pagave për punën që po e bëjnë.

Ndryshe, punëtorët teknik që punojnë në këtë shkollë, deri në muajin dhjetor kishin kontrata me kompaninë private të kontraktuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA), por të cilës i ka skaduar kontrata, ndërsa në këtë periudhë akoma nuk është bërë përzgjedhja e kompanisë punëkryese, përgjegjësi e Drejtorisë Komunale, thotë Sopi.

Megjithatë edhe përgjatë kësaj periudhë, punëtorët teknik kanë punuar si përherë, por ata tani kanë ardhur në një pikë ku nuk mund të vazhdojnë më tej punën nëse ata nuk paguhen, ka shtuar Sopi.

Greva mbahet brenda shkollës, ku punëtorët teknik vijnë sipas orarit të punës, por duke refuzuar kryerjen e detyrave ditore. Ata kërkojnë nga DKA t’i marrin obligimet mbi vete, të bëhet përzgjedhja sa më parë e kompanisë fituese, të u vazhdohen kontratat dhe të jepen pagat.

KOMENTE