Punëtorët e NPL “Tregu” pastrojnë hapësirat në varrezat e qytetit, vizitohen nga anëtari i Kuvendit Fadil Ademi që vlerëson angazhimin e tyre
Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Lokale “Tregu”, tash e disa ditë janë angazhuar në pastrimin e hapësirave në varrezat e qytetit të Gjilanit.
Fadil Ademi, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka bërë me dije se sot në mëngjes i ka vizituar ata punëtorë që me shumë përkushtim po kujdesen për këtë hapësirë, edhe pse puna që bëjnë nuk është aspak e lehtë.
Sipas tij, puna do të vazhdojë edhe ditëve në vijim, deri sa të pastrohet e gjithë hapësira.
“Shkova t’i vizitoj dhe, mbi të gjitha, t’i falënderoj nga afër për punën që po bëjnë. Ndoshta puna e tyre nuk shihet gjithmonë, por është shumë e rëndësishme për qytetin tonë dhe për dinjitetin e vendit ku prehen të dashurit tanë. Respekt dhe falënderim për secilin prej tyre. Puna e tyre meriton vlerësim”, ka thënë asambleisti i Kuvendit komunal të Gjilanit, Fadil Ademi. /2LONLINE/
