Punëtorët e kompanisë “EcoHigjiena” në Gjilan në grevë
/2L ONLINE/ – Punëtorët e kompanisë “EcoHigjiena”, në Gjilan, që nga ora 05:00 e mëngjesit të sotëm kanë hyrë në grevë duke refuzuar të punojnë. Ata kërkojnë pagat e tyre, dhe kushtet më të mira të punës. Pakënaqësinë e tyre ata po e shfaqin duke qëndruar në parkingun e kamionëve së kësaj kompanie dhe duke refuzuar të nisin punën në terren për grumbullimin e mbeturinave.
Ka një kohë të gjatë që këto pakënaqësi kanë shpërthyer brenda kompanisë “Eco Higjiena” dhe po manifestohen sot edhe me grevë. Grevistët thonë për Portalin 2L ONLINE, se protestojnë për mos marrje të pagave përmes xhirollogarive bankare e po ashtu edhe mos pagesës së trustit pensional, për vonesë të pagave si dhe për përmirësim të kushteve të punës. Siç është bërë e ditur, kësaj Kompanie iu kishte bllokuar xhirollogaria për shkak të disa borxheve të saja.
Punëtorët e kësaj kompanie që kanë hyrë në grevë, thanë se janë të vendosur kësaj here dhe se protestojnë me kërkesë për zgjidhjen e menjëhershme të këtij problemi, duke thënë se po presin marrëveshje dhe se përfaqësues të Këshillit Grevistë janë duke biseduar me menaxhmentin e kësaj kompanie.
Përndryshe, edhe në debatin e të shtunës së kryetarit të komunës Lutfi Haziri me qytetarë, njëri nga pjesëmarrësit, punëtor në këtë Kompani, e ka ngritur si shqetësim këtë problematikë dhe se nga kreu i komunës, ka marrë përgjigje se po punohet në zgjidhjen e kësaj çështje. Komuna është aksionare në këtë kompani me 49 për qind, pas procesit të Partneritetit Publiko – Privat të cilës iu kishte nënshtruar vite më parë, dikur ‘Higjiena” tani “Ecohigjiena”, duke vepruar në partneritet me kompaninë austriake “Moser Group”(51 %). /2L ONLINE/
