DYLON

Puna me turne dëmton trurin!

Avatar photo Redaksia

Puna me turne për shumë kohë, i bën dëm jo vetëm trupit, por edhe mendjes. Ky është rezultati i një kërkimi të ri, të kryer nga Qendra Kombëtare për Kërkime Shkencore në Universitetin e Tuluzës në Francë.

Sipas studimit, ata që punojnë me turne për një periudhë më të gjatë se 10 vjet, kanë një rënie prej 6.5 vjetësh në kujtesë dhe në aftësitë e të menduarit.

EkoHigjiena

Megjithatë, studimi gjeti vetëm ekzistencën e një lidhjeje midis punës me turne dhe dëmtimeve në kujtesë dhe të menduar (ose kognicion), por nuk provoi se puna me turne ishte shkaku përfundimtar i këtyre efekteve. Po ashtu, studimi gjeti se rikuperimi i aftësive të të menduarit kërkon të paktën pesë vite.

Kërkimet e mëparshme kanë treguar se puna me turne mund të ndikojë vigjilencën, të menduarit dhe kujtesën. Mirëpo pak studime kanë hulumtuar nëse ndikimet në këto aspekte janë kronike.

Si u krye studimi?

Një grup studiuesish nga Universiteti i Tuluzës matën aftësitë mendore të mbi 3000 njerëzve nga rajone të ndryshme të Francës, të cilët ishin punësuar në një rang të gjerë sektorësh ose që kishin dalë në pension. Kërkimi i vlerësoi pjesëmarrësit në tre periudha të ndryshme: 1996, 2001 dhe 2006. Moshat e pjesëmarrësve në fillim të plotësimit të testit për kujtesën, shpejtësinë e procedimit të informacionit dhe aftësitë e të menduarit ishin 32, 42, 52 dhe 62 vjeç. Rreth gjysma e pjesëmarrësve në studim kishin bërë punë me turne të paktën 50 ditë në vit.

Më tepër se 1000 nga të punësuarit aktualë dhe ata që kishin dalë në pension kishin punuar, duke ndryshuar 3 turne: mëngjes, mbasdite dhe natën. Në tërësi, punonjësit me turne kishin kujtesë më të varfër dhe pikë më të ulëta në testin e të menduarit dhe shpejtësinë e procedimit të informacionit, krahasuar me ata që kishin orar standard pune. Gjithashtu, kërkimi gjeti se punonjësve iu deshën të paktën pesë vite për t’i rikthyer aftësitë e të menduarit, përjashtuar këtu shpejtësinë e procedimit të informacionit.

Megjithatë, kërkuesit nuk arritën të shpjegonin saktësisht arsyen pse puna me turne për një kohë të gjatë lidhej me ndikimin në aftësitë e të menduarit. Mirëpo autori kryesor i studimit, Jean-Claude Marquie tha se kjo mund të lidhej me stresin e krijuar nga ndërprerja e orës biologjike (ritmeve cirkadiane). Ndryshimet në ritmet cirkadiane mund të rrisin nivelin e hormonit të stresit (kortizolit). Rritja e kortizolit mund të ketë një efekt negativ në tru, veçanërisht në ato zona të trurit përgjegjëse për kujtesën.