Tre vëllezër, njëherë, -tregojnë pleqtë, -prenë një lis shumë të vjetër, që ishte s h e n j ë e malit. Me sëpatë, me radhë, që të tretë prenë gjithë ditën. Dikur lisi para muzgut u pre dhe ra përtokë.
Kishte rënë muzgu dhe dita kishte mbaruar. Tre vëllezërit u nisën për në shtëpi, e që të nesërmen të vazhdonin copëtimin dhe ndarjen e degëve dhe trupit të lisit. Duhej edhe shumë punë që lisi të copëtohej e ndahej, pa të bartej në shtëpi.
Vëllezërit por rrugës u kapën në mes vete për lisin.
Secili thoshte për vete se vetë e preu lisin, e se vëllezërit i kishin ndihmuar veçse. Pasi u ngatërruan kështu e nuk u murrën vesh, ikën në shtëpi pa fol më në mes vete dhe pa u marrë vesh tutje që të nesërmen të shkonin e të vazhdonin punën me lisin.
Kur shkuan në shtëpi, për më tepër, secili u thoshte njerëzve se lisin e preu vetë. Asnjëri nuk përmendte se e kishin prerë që të tretë. Secili donte ta merrte lisin vetë për vete pa pranuar për ta ndarë me vëllezërit si duhej.
Pasi nuk mund u murrën vesh si ta ndanin lisin, por secili donte ta merrte për vete, duke thënë se e kishte prerë vetë lisin, ndërhynë pleqtë që ndanin gjyqe në vend.
As pleqtë por nuk mund i pajtuan dot.
Pas do dite u erdhi tek dyert njeriu i mbretit me ushtarë. U tha se mbreti kishte marrë vesh se këta kishin prerë në mal të mbretit. Duhej të dilnin para mbretit dhe të përgjigjeshin.
Atëherë secili nga ta para njeriut të mbretit ua linte fajin vëllezërve dhe mohonte vetë se kishte marrë pjesë në prerje. I thanë mandej se rend në shtëpi kishin që për vëllezërit e shtëpinë të dëshmonte njëri nga vëllezërit me short.
Tek mbreti megjithëkëtë pa short shkoi më i riu, sepse dy vëllezërit tjerë nuk pranuan shortin.
Mbreti pyeti burrin nga vëllezërit që doli para tij për prerjen në mal të mbretit pa të drejtë dhe për lisin që kishte qenë s h e n j ë e malit dhe në këtë çështjen e tij mbreti ngrehu një gjyq.
Ky burri e njoftoi drejt mbretin si kishte ndodhë kjo dhe si ishin shtyrë vëllezërit që secili ta merrte lisin për vete.
Atëherë mbreti i tha:
-Ju e pretë lisin tok dhe si vëllezër duhej ta ndanit tok, pa dallim. Porse, pasi nuk doni drejtësinë siç është dhe siç duhet të jetë, por doni shtrembësinë, për këtë, mbretit i takon lisi!
Mbreti unë, -tha mbreti, -do ta marr lisin, e u jap për këtë për lisin nga një pagesë të njëjtë që të tre vëllezërve për punën dhe mundin që keni bërë dhe që do të bëni.
–Por në të vërtetë, -shtoi mbreti nga drejtësia, -ju pretë lisin në mal të mbretit dhe për këtë duhet tu dënoj, -por nuk po iu dënoj. –Nuk po iu dënoj, -u tha mbreti, -sepse nuk jeni as për dënim, -sepse më keq se që keni prerë në mal të mbretit, ju jeni kapë në mes vete dhe jeni prishë.
-Pasi nuk u morën vesh mes vete si duhet, për vëllezër që jeni, por edhe pasi për këtë ndarje drejtësie ka një pagesë, unë mbreti, -tha ai, -iu japë nga një gjysmë pagese dite për punën dhe mundin tuaj.
–Që të mbetet ligj, –tha mbreti, -që gjithkush që bën si ju kështu, të marr një gjysmë pagese dite.
Por, pasi dy të tjerët vëllezërit nuk shkuan tek mbreti, siç duhej me rend, mbreti atyre u ndau një dënim, -që të shkonin e të punonin për mbretin tri vjet.
Ky burri pastaj u nda me mbretin dhe në përcjellje të njerëzve të mbretit shkoi në shtëpi.
Si shkoi në shtëpi u tregoi vëllezërve si ndau drejtësinë mbreti, kurse njerëzit e mbretit që kishin shkuar me këtë burrin, morën dy vëllezërit tjerë dhe i çuan para mbretit, i cili u ndau punën që do ta bënin për tri vjet, për mbretin.
Kështu vëllezërit morën nga një gjysmë pagese dite për punën dhe mundin për sa prenë lisin atë, të cilin shkuan dhe e morën njerëzit e mbretit dhe ia çuan mbretit, pa vazhduar tutje tre vëllezërit ngatërresën në mes vete, -kurse dy vëllezërit që nuk i dolën mbretit para, u detyruan të shkonin e të punonin për mbretin, tri vjet.
Askush që bën punë të këqija, nuk shkon vetë e të dorëzohet për të keqën e bërë, por prejse mbahet mend se ka pasur shtet e ligj, për këtë ka njerëz të pushtetit që shkojnë dhe e marrin të tillin, me rend o me dhunë.
Po mos ti përgjigjeshin mbretit edhe në këtë vendim, nuk do të kishin më mbrojtjen për burrërinë e njerëzinë siç ishte ligj i vendit ato kohë për burrat dhe mbreti me masën tjetër do ti kishte dënuar shumë rëndë.
Nuk do ta linte mbreti punën pa bërë, sepse vendimi i mbretit me ligj duhej çuar në vend me çdo kusht.
Drejtësinë që ndau mbreti e morën vesh të gjithë dhe tutje të gjithë ishin të kujdesshëm që mos tu vinte puna e të dilnin para mbretit për drejtësi, për gjëra të tilla.
Që mbreti ndau drejtësinë ishte një punë shumë e mirë për vendin. Po mos të kishte një kësi mbreti që mbante vendin me ligj e drejtësi, sigurisht se vëllezërit dikur pas ngatërresës së gjatë edhe do të pësonin në mes vete.
Për këtë, një mbret i urtë dhe i drejtë mban vendin në drejtësi dhe paqe dhe mbron të gjithë me kohë dhe kur duhet, me gjyq të drejtë. Ai me kohë dhe për çdo rast thërret në përgjegjësi dhe nuk len që një ngatërresë a një e keqe të rrijë pa ndreqje për kohë të gjatë, -sepse nga ngatërresat dalin të këqijat të gjithat që bëjnë dëmet që më nuk ndreqen.
Kështu një mbret i urtë dhe i drejtë është fat dhe jetë për një vend, -dhe një vend që nuk ka një mbret të drejtë pështjellohet i tëri dhe me kohë shteret e tretë. Për këtë mbreti duhet të mbrojë vendin me mbretërinë e tij, kurse të gjithë njerëzia duhet të shkojnë e dalin para mbretit e ti përgjigjen me përulje e nderim patjetër, kur ky i thërret për drejtësi.
“Mbret” në kohërat e moçme donte të thoshte “mbrojtje” – ,një mbrojtje që i duhej vendit për të pas rend, që njerëzia të jetonin në paqe, e të rendnin e të punonin e gjallëronin, -sepse jeta don shumë punë e mund për të mbetur gjallë e për të rrojtur të gjithë siç është nevoja e siç i ka hije. /FEMI Halimi/