DYLON

Puna e bëri të pavdekshëm

Avatar photo Redaksia

/Pjesë e librit “Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Dr. Asllan Elezi-Gjilan” 1994/95 – 2014/15 – (Makfire Kurteshi, Shefik Shkodra, Shaban Tërstena)/

/2L ONLINE/ – Pas themelimit të shkollës së mjekësisë, sigurisht që duhej edhe emërtuar e njëjta. Kush do ta kishte këtë nder? Cili personalitet më mirë se ai i dr. Asllanit do t’i shkonte për shtati këtij institucioni edukativ-arsimor? Këshilli i shkollës, atë kohë, kishte propozuar tre emra dhe i kishte dërguar në MASHT, dhe me vendimin e Ministrisë së Arsimit të datës 22.04.1996, kjo shkollë u emërtua me emrin e mjekut të vyeshëm dhe të njohur të Anamoravës dr. Asllan Elezi.

EkoHigjiena

Për gjeneratat e reja, po sjellim edhe një profil të shkurtër të këtij mjeku gjilanas. Dr. Asllan Elezi (1936 – 1980) Asllan Elezi lindi në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit. Shkollën fillore dhe të mesmen i mbaroi në Gjilan, ndërsa Fakultetin e Mjekësisë e përfundoi në Shkup më 1964. Pas mbarimit të studimeve, Asllani u punësua në Qendrën Shëndetësore në Gjilan.

Dashuria ndaj shkencës së mjekësisë dhe dëshira për t’i njohur shkaqet e sëmundjes së TBC – së, kësaj sëmundjeje shekullore, nuk e lanë të qetë mjekun e ri. Prandaj, ai iu rrek studimeve specialistike në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd, drejtimi Pneumoftiziologji, ku edhe i përfundoi me sukses.

Sigurisht që ishte një rrugë e vështirë dhe e mundimshme arritja deri në cakun e dëshiruar. Dr. Asllani ishte i palodhshëm, person me virtyte të larta humane, i gatshëm që t’u dilte në ndihmë njerëzve në çdo rast e në çdo kohë.

Ata që e njohën dhe që patën rastin të shërohen nga duart e tij, flasin me entuziazëm të lartë për veprën e tij madhore. Ai bëri shumë edhe për parandalimin e sëmundjes së TBC – së, që aso kohe ishte mjaft e përhapur dhe njëkohësisht edhe vdekjeprurëse.

Vetëdijësoi popullatën për vaksinimin dhe shtimin e kontrollit të rregullt mjekësor. Në këtë mënyrë, ai duke e luftuar këtë sëmundje, arriti që ta zvogëlojë numrin e të sëmurëve nga kjo sëmundje. Një kontribut e dha edhe me botimin e artikujve të ndryshëm shkencor nëpër revista dhe seminare të kohës. Dr. Asllan Elezi, në shtator të vitit 1971, ishte ndër iniciatorët e parë për hapjen e paraleleve të mjekësisë në kuadër të shkollës së gjimnazit, ku edhe punoi si mësimdhënës i lëndëve mjekësore.

Puna e tij e palodhshme, sukseset e larta në fushën e mjekësisë, vullneti i madh për t’u dalë në ndihmë të sëmurëve, shpirti i tij human që ishte gjithnjë në shërbim të popullit, bënë, që sot, shkolla e mjekësisë ta gdhend me shkronja të arta emrin e tij dhe ta mbajë me krenari.

Dr. Asllan Elezi vdiq më 1980. Vepra e tij mbetet udhërrëfim për gjeneratat e reja, një model se si të arrihet ajo që dëshirohet. Ai ishte një luftëtar i denjë i sëmundjes, një njeri me shumë vlerë, me shpresë për ditë më të mira. Ai ishte një hero i humanitetit.






Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.