REAGIM
/2L ONLINE/ – Reagimi im personal për arsyen e turpshme që organet komunale e të tjera kanë injoruar kërkesën dhe dëshirën e subjekteve dhe popullit që Shkolla fillore “Abaz Ajeti”, në lagjen “Arbëria” të Gjilanit të emërohet me emrin e Heroit Kombëtar Skifter Arifi, dhe kanë marrë vendim që ajo shkollë, duke fillua nga shtatori i këtij viti të quhet ”7 marsi”
Ja deri ku ka shkua hipokrizia e këtij pushteti lokal e qendrorë. Sa që merr guximin e fëlliqur dhe vendosë që një shkollë lagjeje ta emërojë me një emër fare simbolik e nuk e sheh të udhës që të ia vejë emrin e propozuar dhe përkrahur dhe dëshiruar nga shumë e shumë subjekte e edhe nga populli. Dëshira e të cilëve është që kjo shkollë të quhet Skifter Arifi.
Ideja ishte që kjo shkollë të lirohej nga emri i një analfabeti i cili kish bartur në shpinë themeluesin e një shteti që vriste dhe torturonte shqiptarët dhe të emërohej me emrin meritor të një djali që së bashku me familjen e tija barti mbi supe tërë barrën e asaj që quhet Gjakim lirie. I cili, më në fund edhe ia fali edhe jetën e tij po kësaj lirie! Ky djalë ka kryer shkollën në këtë objekt arsimi. Skifteri e ka përhapur tërë edukatën kombëtare të familjes së tija në këtë shkollë. Ky djalë është pinjoll i familjes e cila ka përjetuar vite të rënda përndjekjeje në shtëpitë e tyre mu po në këtë lagje dhe pranë kësaj shkolle.
Edhe familje e cila i ka kontribuar edhe kësaj shkolle me gjëra që të tjerët as kanë dashur ti ja dinë. Dhe çfarë tani. Ju të mjerë që jo se nuk jeni të denjë ti prini një qyteti por as të jeni gëzues të sakrificës sonë për këtë vend e edhe sakrificës për fëmijët tuaj. Duhet që Skifteri t’ua numëroj të bëmat dhe përpëlitjet që ju dhe soji juaj të i gëzoni tani pa u lagur fare dhe biles edhe të merrni vendime arrogante e mosmirënjohëse?!
Ku ishit ju Nazmi Musa , Lutfi Haziri… etj, kur babai i Skifterit, Milazim Arifi dergjej dhe torturohej tmerrësisht në burgjet e atij që ky kish mbajtur në shpinë, Abazi? Ku keni qenë ju, kur Agja i tij Hetemi po ashtu dergjej në burgjet e atij shteti okupator, kur gjyshi i tij Shabiu luftoi kohë të gjatë me pushkën në dorë për të mbrojtur Kosovën dhe trojet shqiptare për të mos u futur brigadat çetniko-partizane të cilat më pastaj bënë masakra në mbarim të luftes së dytë botërore?
Ku ishit ju kur Xhaxhallarët tjerë po ashtu mbaheshin në burg, Ilmiu si dhe Ibrahimi që për vite të tëra nuk guxonte të kthehej në shtëpinë e tij dhe i rriteshin fëmijët pa i parë? Ku ishit ju kur djemtë e xhaxhait të tij Vasufi, nuk u bindej urdhrave të mësuesve servil dhe nuk qohej në këmbë për të bë një minutë heshtje vdekjes së Titos si dhe kur mbahej në burg si adoleshent me muaj për shkak se kish shkrua parulla kundra okupatorit? Si dhe ku ishit ju kur Xhelili ishte burgosur si trembëdhjetë vjeçar?
Dhe ku ishit ju Kur që të dy këta u përjashtuan nga fakulteti dhe nuk u është lejuar që të mbarojnë universitetin sepse ishin të rrezikshëm për Pushtetin e” Abaz Ajetit”? Ku ishit ju kur Milazimi mori pushkën e djalit hero dhe vazhdoi luftën e edhe Flamuri në UÇK etj. Ju krekoseni me gjëra që në fakt as i keni bë as i keni përjetua e as i njihni dhe merrni guximin e një qyqari që fshihet pas pushtetit dhe nuk njihni meritën dhe sakrificën e një Familjeje përjetimet e së cilës ju vetëm në ëndrra t’i shihnit do trishtoheshit?
Dhe as për së afërmi nuk janë këto të tëra përjetime e vuajtje që familja e Skifterit i ka përjetuar në Lëkuren e vet!
Ju edhe i dini këto por ju jeni injorantë që me qëllimin më të keq ose me rekomandim i keni vu vetes detyrë që të na injoroni dhe edhe meritat të na i mohoni. Por mos mendoni se do na thyeni dhe përkulni. Ne nuk na theu as okupatori e as kuislingu!
/Xhelil Arifi/