(2LONLINE) – Dihet mirëfilli se as pavarësia pa liri, siguri dhe mirëqenie të përgjithshme nuk do të kishte logjikë. Do të ishte më shumë një shtet kukull, shtet diktatorial, shtet i nepotizmit dhe jodemokratik. Po ashtu, pa reforma dhe struktura të mirëfillta demokratike dhe ligjore të shtetit të së drejtës(askush mbi ligjin) nuk do të ketë investime dhe pa investime nuk mund të ketë as vende të reja të punës, e as mirëqenie ekonomike dhe as paqe sociale.
Pasi që investitorët vijnë në shumtën e rasteve nga vendet e huaja(nuk e kam fjalën për bashkatdhetarë tanë që duan të investojnë në vendin e tyre, sepse atyre nuk u duhen fare këshilla, ata janë veç të informuar) për më shumë e kam fjalën kryekëput për investime nga investitorët e huaj të cilët nuk kanë shumë informacione për vendin dhe kulturën politike ku ata kanë interes për të investuar kapitalin e tyre dhe përmes investimit të tyre pretendojnë zhvillim biznesi, shtim të kapitalit të tyre sepse, investimi, tek e fundit, këtë qëllim ka. Investitorit nuk i intereson zgjidhja e problemit të papunësisë në Kosovë, një çështje kjo socio-ekonomike. Kapitalistit i intereson profiti. Natyrisht investimet kanë ndikim indirekt në zhvillimin e përgjithshëm shoqëroro. Por, shtrohet pyetja; sa po ofron vendi ynë kushte minimale dhe të favorshme për investime, dhe sa do të ndihmojnë këto investime apriori të krijojnë vende të reja pune dhe të rrisin mirëqenien qytetare?
Këshillimi i investitorëve, këshilltarët neutral apo përfaqësues diplomatik?
Fillimisht, do të mendonim se instanca e parë për ti josh apo këshilluar investitorët e huaj janë vet institucionet e Kosovës, si ato në Kosovë e në veçanti ato në diasporë, në shtetet e BE-së, përfaqësitë tona diplomatike. Por, këtu ka një mëdyshje: Dihet se përfaqësuesit shtetit të Kosovës nëpër këto shtete ku kanë hapur përfaqësi diplomatike apo konsullore, nuk kanë sektor të veçante për këtë lëmi ku drejtpërdrejt do të mund të zhvillohen konsultime dhe kontakte me shtetin ose me ndërmarrjet e shumta për ti joshur investitorët për investime në vendin tonë.
Shtrohet pyetja: A ka sjell kjo mënyrë e angazhimit, rezultate në bindje të investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë? Mungesat në këtë plan janë evidente! Në kuadër të ambasadave të shtetit akoma nuk ka këshilltarë të profileve të ndryshme. Për shembull nuk ka ballkanologë, filologë, sociolog, filozof, ekspertë nga kjo fushë që këshillojnë firmat gjermane, austriake, apo zvicerane për investimet e tyre në Kosovë.Sa mund ta përmbushin detyrën e informimit dhe negocimit përfaqësuesit diplomatik të shtetit? A mjafton vetëm kjo instancë?
Ndërmarrjet në perëndim preferojnë informacione nga instancat e pavarura informimi, kupto; duke i informuar investitorët në mënyrë profesionale me këshillimet e tyre rreth Kosovës dhe kushteve të investimit, siç është (IPAK) në Vjen të Austrisë apo shoqata e bashkuar ekonomike kosovaro-gjermane në Gjermani, gjermanisht: Die Kosovarisch-Deutsche Wirtschaftsvereinigung (KDWV).
Shembuj nga niveli mikroekonomik në Gjermani
Në nivel ndoshta më lokalist mund ti referohemi shembujve nga Gjermania. Në Gjermani, ekzistojnë të ashtuquajtura zyra këshilluese gjermane të cilat këshillojnë firmat ruse, rumune, polake, kroate etj në lidhje me bashkëpunimin ekonomik dhe në fusha tjera. Pra, firmat gjermane kanë të punësuar punëtor, akademikë me prejardhje adekuate nga vendet e caktuara ku ata duan të investojnë por të cilët janë të lidhur me kulturën dhe kanë një sfond njohurish për Gjermaninë, sepse këtu kanë kryer studimet. Ata njohin mirë shtetin ligjet dhe kulturën e shtetit gjerman, por edhe gjendjen shoqëroro-politike të shtetit prej nga vijnë.
Këta këshilltarë kontaktojnë firmat, e caktuara në gjuhën e tyre amtare dhe i informojnë kontraktuesit për bashkëpunimin ekonomik me firmat gjermane dhe anasjelltas. E punësuara ose i punësuari ka një sfond të gjerë kulturor dhe arsimor në këtë fushë si këshilltar. Agjentët ose këshilltarët e tillë në shumtën e rasteve kanë studiuar në Gjermani dhe njohin mirë gjendjen e përgjithshme në vend, por gjithashtu janë njohës të rrethanave shoqëroro-politike, ekonomike në vendet ku investitori dëshiron të investoj.
Me këtë rast këshilltari vepron në këtë rol si ndërmjetësues, sepse çdo firmë që investon në një shtet të huaj duhet ta njoh mentalitetin shoqëror të atij shteti, mentalitetin e njerëzve, të informohet për fuqinë punëtore, për kondicionet dhe ligjet ekonomike në fuqi të vendit përkatës, të ketë informacione për gjendjen politike, ligjin e punës, sigurimin shëndetësor etj. (Shih për këtë institucionin e vetëm në Kosovë (KDWV).Unë nuk jam në dijeni se a ka zyra te tilla në nivele më të ulëta në Kosovë.
Në shumtën e rasteve agjentë të tillë këshillues kanë qenë përfaqësuesit e ambasadave, konsujt e Republikës së Kosovës e kryejnë këtë punë, ndërsa deri më tani supozohet se kjo formë e këshillë-dhënies nuk ka dhënë rezultat, ose duhet të ndërrohet strategjia, të punësohen këshilltar pran ambasadave me impact profesional qe do ta bënin një këshillim të kësaj natyre, pasi që në shumicën e rasteve ambasadat merren me interesa kryekëput shtetërore, pajisjen me pasaporta, vërtetime, lëshimin e nënshtetësisë etj për bashkatdhetarët e tyre, si dhe prezenca e tyre në manifestime kulturore me bashkatdhetarë, apo edhe takime të iniciuara edhe në lidhje me bashkëpunimin ekonomikë mes Kosovës dhe Gjermanisë.
Pra, në shumtën e rasteve konsujt as që kanë mundësi të merren si informator neutral lidhur me çështjen e ofrimit të informacioneve për bizneset e tyre private apo të joshjes së investimeve nga jashtë drejtë Kosovës, kjo formë e informimit nuk i shkon shumë për shtati logjikës së biznesit. Firmat e mëdha gjermane preferojnë më shumë të punësojnë si këshilltar edhe punëtor ekspertë nga vendet ku ata dëshirojnë të investojnë, për ti lidhur kontaktet, për të marrë informacionet e duhura krahas atyre zyrtare në nivele makroekonomike dhe për të patur dike që i këshillon në mënyrë interne dhe që i mbron interesat e tyre, pa përjashtuar edhe këshillimin diplomatik nga ambasadat.
Pse është i nevojshëm këshillimi neutral?
Investimi në një vend të huaj do të thotë para së gjithash ballafaqim me të panjohurën! Ballafaqim me konjukturën politike, me mentalitetin e atij populli, me kulturën e tij politike, me fuqinë punëtore, marrëdhëniet shoqërore, relacionet të punëdhënësit me fuqinë punëtore vendore etj.
Për të patur një komunikim të suksesshëm me njerëzit e vendit ku do të investosh duhet ditur edhe çështjet se çfarë preferohet, si duhet të sillesh me punëtorët e atij vendi që punojnë për firmën tënde, sa do të jenë lojal ata ndaj punëdhënësit, çfarë tradite kanë në punë, p.sh. në respektimin e orarit të punës, relacionet e punëtoreve në ndërmarrje dhe jashtë saj, kontaktet e tyre ditore brenda dhe jashtë orarit të punës, struktura e tyre familjare etj?
Një investitori të huaj i duhet të dijë edhe për traditën e lashtë shqiptare kanunin, hierarkinë shoqërore, lidhjet sociale, kapitalin social dhe atë human etj. Pra, investitori duhet te informohet si duhet të sillet një pronar i firmës nëse viziton çdo mëngjes ndërmarrjen e tij? Ndërmarrjet e shumta ndërkombëtare, nëse investojnë në vende me traditë islame, në këtë rast obligohen të respektojnë traditën e asaj shoqërie dhe të sillen konform rregullave shoqërore etj.
Ata obligohen të respektojnë rregullave të pashkruara qoftë edhe atyre kanunore, përndryshe do llogarisin konsekuencat me pasoja të theksuara dhe serioze. Pastaj investitorit i duhen informacione për zhvillimin e gjithëmbarshëm civilizues. P.sh; a mund të ketë konflikt kulturash në mes punëdhënësit dhe punëmarrësit të asaj shoqërie. Përshtatja; Çfarë afinitet për mësim të gjuhëve të huaja ka ai popull? Si qëndron kjo shoqëri karshi vlerave prej ka vije investitori? Si duhet te jetë vet paraqitja dhe komunikimi i investitorit në rrethin shtetin ku do të investoj, çfarë është orientimi i tij politik, fetar etj?
Pra, investitorët e huaja kanë ekspertë ekonomikë, ndërsa ata kanë deficite për ekspertë të kulturës, për ti zbërthyer kodet tona, traditën dhe praktikat sociale shqiptare në fushëveprimin e tyre investues. Investitorit i duhet një këshilltar që ja shpjegon gjendjen e përgjithshme në terren, e këshillon atë të mos ti shkon investimi kot, sepse ai nuk e di për prapavijat që mund ta presin, sepse nuk e njeh kulturën dhe mentalitetin e njerëzve në vendin e huaj ku dëshiron të investoj. Informimi i pavarur i tejkalon shpjegimet pozitive, vetëm anët e mira.
Për një investitor të huaj kjo pak ka rëndësi. Atij i duhet siguri për investimin e tij. Atij i duhet siguri të mos e humb investimin; pra, i duhet kalkulim i qartë dhe mundësisht real. Një këshilltar profesionist i mirëfilltë i tregon investitorit ose i jep atij një prognozë të përgjithshme mbi atë çka kërkon investitori, qoftë edhe me informacione mbi korrupsionin dhe mos-rënien në grackë në rastin e investimit!
Ambienti politik: Çfarë do ta këshilloj këshilltari neutral investitorin e huaj?
Së pari do ti thotë se ligjet e Kosovës janë pro tregut të lirë dhe në favor të ekonomisë së tregut dhe se shteti i përkrah investitorët, por për të arritur të hapesh ndërmarrjen tënde atje ose të konkurrosh në një tender ti duhet ti plotësosh procedurat ligjore formale. Duhet ta informosh po ashtu edhe mbi lidhjet e mundshme formale dhe informale me politikanë dhe njerëz kyç që do ti japin licencat etj
Duhet ti thuash se nëse do ta fitosh tenderin duhet të llogaritësh kërkesa joformale, pra të të kërkojnë të japish ryshfet, duke i thënë se kjo këshillë është gjeja më e keqe që do të mund ti ndodh. Investitorin duhet ta njoftosh edhe për dështimet reale; më mirë ti thuash tani të vërtetën ose të mundshmen se më vonë; Sepse mund ti ndodh kjo që investitori përnjëmend Ose nuk do gjeje gjuhe kompromisi do mund zhgënjehet dhe papritmas do kthehet duarthatë. Ai duhet të jetë i përgatitur për këto surpriza.
Këshilltari i mirëfilltë mbledh fakte!
Një investitor i mirëfilltë gjerman i cili ka një këshilltarë të tillë të punësuar p.sh kosovar, do të kërkoj prej tij, në rend të parë, mbledhje të informacioneve në gjuhën shqipe por edhe asaj ndërkombëtare rreth situatës politike në Kosovë. Do të kërkoj raportet mbi gjendjen e përgjithshme politiko-ekonomike të përpiluara nga institucionet ndërkombëtare si BE, OSBE etj.
Investitori do te pyes si është gjendja e përgjithshme në vend? Si janë marrëdhëniet në parlament pozite- opozitë? A ka synim prej nihilizmi ose tendenca të ndonjë spektri politik për rrëzim pushteti me dhunë dhe nëse ndodh, diçka e papritur, a ka kapaciteti shteti ta mbroj pasurinë e qytetarëve të vet dhe investitorëve ose a mund ti shlyej borxhet investitorëve nëse ndodh diçka e tillë? Çfarë mund ta pësoj biznesi i tij nëse ndërrohet qeveria? A mund të ketë trazira apo ndonjë konflikt apo luftë të re ndëretnike apo ndërshtetërore e cila do të rezultonte me humbjen e ekuilibrit politik, rendit dhe ligjit8Shih rastin në Ukrainë)? Sa janë të forta pushtetet, a janë të ndara mes tyre a ka ndikim politika tek to, çfarë është ndikimi i religjionit? Si funksionon sistemi bankar sa është i sigurte?
Gjyqësia a është e pavarur dhe a mund ta fitoj gjyqin një investitor sipas procedurave normale ligjore vendore apo dhe a mund të ketë ndërhyrje informate nga e cila investitori ta humb procesin ndaj bashkëpronarëve të tij ose punëtorëve nëse ata padisin investitorin? Si është i rregulluar ligji i punës dhe sa zbatohet, a ka sigurim shëndetësor,? Çfarë nëse nuk ka, çfarë do të ndodh nëse punëmarrësi sëmuret, ku do të shërohet, a do ti mjaftojnë të ardhurat atij të trajtohen në një spital privat etj? Si zbatohen kontratat e punës, çfarë ligjesh janë në fuqi lidhur me tatimet dhe pensionin, lëndimin në vendin e punës etj?
Investitorit i intereson edhe gjendja e medieve dhe roli i tyre. Sa janë ato në shërbim të informimit te drejt dhe ligjor? A mund ti behet ndonjë kampanjë e rrezikshme dezinformuese kundër ndërmarrjes së tij dhe investitori dhe në rast se ankohet në gjyq a mund ta humb betejën për faktin mund të vijnë në shprehje rregullat jo formale të lojës? Dhe natyrisht investitorit i intereson gjendja dhe informacionet rreth
skandaleve ekonomike dhe korrupsionit në vend. Do ti interesojnë betejat, fushatat, kush, kur dhe si pësoi nga aferat të tilla? Sa mund ta luftoj shteti korrupsionin me mjete ligjore dhe cili është epilogu përfundimtar në raste të tilla, kush do të dal fitimtar, drejtësia apo krimi?!
Duke i analizuar të gjithë këta faktorë, shumë e kemi të lehtë pastaj të japin një përgjigje në dilemën tonë; Pse nuk po vijnë investitorët e huaj, apo sa po ofron shteti ynë kushte të volitshme për investime të huaja dhe pse nuk po vijnë investitorët akoma..? /2lonline/
Mr. Zejnullah Jakupi