DYLON

Pse nuk mund të korrigjohen shkeljet kushtetuese pa tërheqjen e Parimeve?

Avatar photo Redaksia

/Është gabim të pritsh nga qeveria që t’i zgjidh problemet, atëherë kur qeveria është vetë problemi – Ronald Regan/

Shkruan: Ismajl Kurteshi

EkoHigjiena

/2L ONLINE/ – Kryeministri Mustafa, që premtonte se do t’i respektoj rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese dhe kërkonte nga të tjerët t’i respektojnë ato, tani po i bishtnon rekomandimeve të Gjykatës, duke u përpjekur ta margjinalizojnë rëndësinë e Parimeve për Asociacionin. Ai po aludon se korrigjimi i shkeljeve të Kushtetutës mund të realizohet pa i ndryshuar parimet, gjë që, sipas gjykatësve dhe ekspertëve të kësaj fushe, është e pamundur. Këto manovrime Kryeministri po i bënë me qëllim të ikjes nga përgjegjësia, por edhe kjo është e pamundur.

1. Rëndësia e Parimeve në krijimin e Asociacionit, bazuar në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese, gjykatësit Bekim Sejdiu, Miqve të Gjykatës Kushtrim Istrefi dhe Dastid Pallaska:

Në pikën 104/ faqe 18/, të përgjigjes së Gjykatës Kushtetuese, në pyetjen e Presidentes së Republikës së Kosovës, (më tutje pika):

Gjykata konsideron se, çështjet e ngritura në kërkesën e tanishme (që kanë të bëjnë me parimet) janë të një rëndësie të madhe dhe relevante për rendin kushtetues të Kosovës.

Në pikën 105/ faqe 19/, thuhet: … Parashtruesja e pyetjes pohon se Parimet do të kenë efekt juridik në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, përmes akteve juridike pasuese që miratohen në bazë të Parimeve.

Në pikën 108/ faqe 19/ Gjykata gjen se çështjet e dorëzuara nga parashtruesja janë të natyrës kushtetuese. Ato kanë për qëllim të sigurojnë që themeli i Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe është në pajtim me shkronjën dhe me frymën e Kushtetutës.

Po të mos ishin të rëndësishme parimet atëherë me siguri pyetja e Presidentes nuk do të bëhej pikërisht në lidhje me përputhshmërinë e Parimeve me Kushtetutën.

Pyetja e Presidentes, drejtuar Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me parimet e Asociacionit është si në vijim:

”Duke marrë parasysh se Parimet e Asociacionit rregullojnë krijimin dhe funksionimin e Asociacionit…, a janë në përputhshmëri këto parime dhe elementet me frymën e Kushtetutës…?”

Në lidhje me rëndësinë e Parimeve: Parashtruesja (Presidentja), në (pikën 86/ faqe 15) argumenton:

Parimet e Asociacionit, në formën e një akti juridik të miratuar nga Kryeministri, rregullojnë çështjet që hyjnë në gamën e çështjeve që prekin frymën e Kushtetutës… … zbatimi i detyrimeve të Parimeve të Asociacionit prodhon efekt juridik, në sistemin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Kryeministri nuk e ka kundërshtuar as pyetjen as argumentimin e Presidentes, në lidhje me rëndësinë e Parimeve dhe efektin juridik të tyre, në sistemin kushtetues të vendit, por po kundërshton t’i tërheq Parimet.

Gjykata Kushtetuese, përkitazi me pyetjen e Presidentes, konstaton si në vijim: Parimet, siç janë elaboruar në “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – Parimet e përgjithshme /Elementet kryesore” nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3, kapitullin ll dhe me kapitullin lll, të Kushtetutës.” (faqe 39).

2. Pa ndryshim të parimeve nuk ka korrigjim të shkeljeve të Kushtetues
Në pikën 118/ faqe 21/ thuhet: Statuti … duhet të bazohet në kornizën e përcaktuar në kapitujt e parimeve, si një akt juridik i Qeverisë së Kosovës.

Pika 117/ faqe 20/ shpjegon se: Sipas parimit 21, Statuti do të përgatitet nga një organ tjetër…

Efektet e Parimeve në rendin kushtetues, sipas gjyqtarit Bekim Sejdiu në rastin KO 136/15. /faqe 15/

“ …Parimet e Asociacionit, si një akt ligjor, prodhojnë efekte të konsiderueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. …zbatimi i plot i Parimeve të Asociacionit brenda kuadrit të rendit kushtetues të Kosovës do të përbënte një anomali kushtetuese. Për rrjedhojë… ose duhet të ndryshohet Kushtetuta ose duhet të ndryshohen dhe riformulohen Parimet e asociacionit (së bashku me legjislacionin zbatues) që të jenë në pajtim me Kushtetutën.

3. Dekreti buron nga Parimet e Asociacionit /faqe 5/ (B. S.)
– Dekreti është vetëm një akt zbatues që buron nga Parimet e Asociacionit;
– Dekreti nuk mund të ndryshojë Parimet e Asociacionit;
– Vetëm dekreti do të shqyrtohet drejtpërdrejt nga gjykata.

4. Dallimi në mesë të Marrëveshjes së parë dhe Parimeve të 25 gushtit:
Në Pikën 130/faqe 23/ të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese thuhet se: Pika 3 e Marrëveshjes së parë (prill 2013) përcakton se ”struktura e Asociacionit do të themelohet mbi të njëjtën bazë sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës…”

Miku i Gjykatës Kushtetuese (K. I.), të cilin e ka konsultuar Gjykata, në pikën 49/faqe 9/. prezanton Dallimet në mes të marrëveshjes së parë, të vitit 2013, dhe marrëveshjes së 25 gushtit 2015 (parimet e Përgjithshme), në lidhje me dallimet në mes të dy marrëveshjeve të lartë përmendura ai konstaton:

Për dallim nga Parimet e Përgjithshme, Marrëveshja e parë nuk e definon Asociacionin si një “entitet ligjor” të “karakterit të veçantë”; nuk e parasheh themelimin e tij me dekret të Qeverisë; nuk specifikon burimet, buxhetin, administratën dhe kompetencat që përmbajnë parimet e përgjithshme. Në vend të kësaj, Marrëveshja e parë parasheh se kompetencat e asociacionit do të ushtrohen në pajtueshmëri me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, dhe se strukturat e Asociacionit do të formohen në të njëjtën bazë me statutin ekzistues të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Kurse sipas Gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese Bekim Sejdiu Elementet shtesë në Marrveshjen e 25 gushtit në krahasim me marrëveshjen e parë janë:

Komunat nuk kanë të drejt të largohen nga Asociacioni (paragrafi 17 i Parimeve të Asociacionit).

Stafi i Asociacionit “përfiton nga ligji për shërbyesit civil.

Parimet e Asociacionit përcaktojnë se Asociacioni ka të drejt t’i ketë në bashkëpronësi kompanitë që ofrojnë shërbime lokale… .

Marrëveshja e parë kundërkushtetuese

Në pikën 148/ faqe 27/ … Gjykata konsideron se aktet juridike dhe statuti i Asociacionit nuk duhet të zëvendësojnë ose minojnë statutin e komunave…
Në pikën 153/ faqe 30/ Gjykata konstaton se në marrëveshjen e parë, shkelet e drejta për gjasa të barabarta në punësim në strukturën e Asociacionit, kurse në marrëveshjen e parë parashihet punësim vetëm për serbet, edhe pse në disa nga këto komuna jetojnë pjesëtar të komuniteteve të tjera, në përqindje të konsiderueshme.

Dykuptimësia në përkthim

Sipas (K. I.), Pika 44/ …fraza e përdorur në pikën 4 të parimeve të përgjithshme, “ushtron vështrim të plot” (exercise full overvieë), nuk mund të gjendet në literaturën juridike…

Në pikën 143, 144/ faqe 26/ Ka dykuptimësia në përkthimin e marrëveshjes. Formulimet në marrëveshjen për Asociacionit ndryshojnë nga ato të Marrëveshjes së parë”

5. Objektivat e Asociacionit/Bashkësisë

Në pikën 138/ faqe 24/. Gjykata vëren se objektivat e Asociacionit, kanë për qëllim qeverisjen lokale dhe organizimin territorial… këto objektiva janë kundër kushtetuese.

6. Shërbyesit Civil Pika 157/ faqe 30/

Gjykata rikujton se neni 101 i Kushtetutës, hyn në kapitullin Vl, (Qeveria e Republikës së Kosovës) prandaj shërbyesit civil janë të punësuarit në organet qeveritare, kurse Qeveria ushtron pushtet ekzekutiv. Në pikën 159/faqe 31/ Gjykata konkludon se stafi i administratës së Asociacionit nuk duhet të konsiderohet pjesë e shërbimit civil. Në pikën 160, Gjykata këtë çështje e konsideron kundër kushtetuese.

Sipas (D. P.) pikë 73/faqe 13/ …dhënia e statusit të shërbyesve civil për të punësuarit e Asociacionit është në kundërshtim me nenin 101 të Kushtetutës…

7. Marrëdhëniet e Asociacionit me autoritetet qendrore janë kundër kushtetuese

Në pikën 166/faqe 33/ Gjykata konstaton se marrëdhëniet e Asociacionit me autoritetet qendrore të parapara në marrëveshje janë kundër kushtetuese.

Ekskluziviteti etnik i Asociacionit është kundër kushtetues

Gjykata gjen se Asociacioni nuk mund të vishet me autoritetet të plot dhe ekskluziv për të promovuar interesat e komunitetit serb të Kosovës në marrëdhëniet e saj me autoritetet qendrore. Në pikën 177, kushtetuesja këtë kapitull e vlerëson si kundërkushtetues.

Faqe 12/ Parimet e Asociacionit janë të papajtueshme me parimin e shumë etnisë dhe të mos diskriminimit. (B. S.)

8. Parimet për kapacitetet ligjore kundër kushtetues

Në pikën 136/ faqe 23/. …Gjykata konsideron se Parimet e përcaktuara në kapitullin mbi kornizën ligjore janë në shpërputhje me Kushtetutën…

Në pikën 185/faqe 37/ Gjykata gjen se: Parimet për kapacitetet ligjore, buxhetin dhe përkrahjen si dhe dispozitat e përgjithshme dhe përfundimtare janë kundër kushtetuese.

Sipas gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese Bekim Sejdiu, Parimet e Asociacionit bien në kundërshtim me parimet më themelore të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. (B. S.) faqe 10

Pjesë nga Parashtesa e mikut të Gjykatës, Dastid Pallaska.
(Gjykata Kushtetuese e ka kërkuar mendimin e z. Pallaska)

Sipas shpjegimit të (D. P.) në pikën 61/faqe 11/ …kategoria e përkatësisë etnike… nuk mund të jetë interes i përbashkët i komunave…
Sipas shpjegimit në pikën 64 të (D. P.) “ … ofrimi i funksioneve dhe shërbimeve publike nga Asociacioni, siç parashihet me nenin 4 të Parimeve të Përgjithshme përbën shkelje të drejtpërdrejt të nenit 123 të Kushtetutës…” . “(pika 65) neni 4 e përcakton Asociacionin si njësi shtesë të vetëqeverisjes lokale mbi komunat”.
Në pikën 67/faqe 12/ (D. S.) shpjegon:” …me nenin 5 të parimeve të Përgjithshme i cili parasheh se Asociacioni do të ushtrojë edhe kompetenca shtesë, të cilat mund të delegohen nga autoritetet qendrore, shkel nenet 123 dhe 124 të Kushtetutës”.
Pika 68/ …neni 79 i Kushtetutës nuk e njeh Asociacionin si një palë që mund të ndërmerr iniciativa legjislative. Rrjedhimisht mund të konkludohet se neni 10 i Parimeve të Përgjithshme paraqet shkelje të drejtpërdrejt të nenit 79 të Kushtetutës…

9. Territori, gjyqtarit Bekim Sejdiu në rastin KO130/15,/faqe 7/
Sipas (B. S. ) Krijimi i Asociacionit nuk mund t’i nënshtrohet regjimeve juridike të bazuara në territor.

Në Faqen 13 (B. S.) shpjegon:” dy përbërësit themelor të Parimeve të Asociacionit Parimi etnik dhe ai gjeografik, prodhojnë një realitet të ri juridik në Kosovë”. Rrjedhimisht përbërësit e lartpërmendur janë antikushtetues.

10. Karta Evropiane /8/

Sipas Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale bazë e asocimit nuk mund të jetë interesi i grupeve të veçanta brenda komunave.

Sipas Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale, bazë e bashkëpunimit dhe asocimit mund të jetë interesi i përbashkët i komunave – jo interesi i grupeve të veçanta brenda komunave,( si parashihet në Parimet e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që merret vetëm me interesat e komunitetit serb).

Sipas Kartës Evropiane Asociacioni i komunave duhet të formohet nga vetë komunat dhe jo nga autoritetet qendrore.

11. Elementet që i japin Parimeve të Asociacionit tipare të një njësie të veçantë të vetëqeverisjes të veshura me funksione ekzekutive:

Faqe 11/ Parimet e Asociacionit parashikojnë krijimin e Asociacionit me shumë elemente dhe tipare të një njësie të veçantë të vetëqeverisjes, me kompetenca ekzekutive, ndryshe nga Asociacioni i komunave të Kosovës.

Sipas Gjykatës Kushtetuese: Zbatimi i “funksioneve publike” është atribut i organeve qeveritare.

Miku i Gjykatës (D. P.) në Pikën /69/ shpjegon: “ …fakti se Parimet e përgjithshme kërkojnë transferim ose ndarjen e disa funksioneve kryesore komunale me Asociacionin dëshmon se Asociacioni paraqet një organizatë me kompetenca ekzekutive e që është një njësi shtesë e vetëqeverisjes lokale, më e lart se komuna…” .

Bazuar në vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarit Bekim Sejdiu dhe dy miqve të Gjykatës: z. Dastid Pallaska dhe z. Kushtrim Istrefi del se:

1. Pyetja e Presidentes së Kosovës është bërë pikërisht për Parimet e Asociacionit, pasi që Parimet janë bazë mbi të cilën ndërtohet Asociacioni.
2. Qeveria e Kosovës nuk ka pas vërejtje në materien e pyetjes së Presidentes dhe është zotuar publikisht se do ta respekton vendimin e Kushtetutës.
3. Bazë për hartimin e Statuti janë Parimet e Asociacionit.
4. Sa i përket Parimeve Gjykata ka konstatuar se Parimet e Përgjithshme (elementet kryesore) nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës.
5. Rrjedhimisht për ta hartuar statutin në përputhje me Kushtetutën duhet të tërheqim Parimet e nënshkruara me 25 gusht në Bruksel nga Kryeministri i Kosovës.
6. Parimet e Asociacionit prodhojnë efekte për rendin kushtetues të Kosovës, prandaj ose duhet të ndryshohet Kushtetuta ose duhet të ndryshohen parimet e Asociacionit.
7. Dekreti buron nga Parimet e Asociacionit, prandaj përmes dekretit nuk mund të mënjanohen shkeljet kushtetuese si që po aludon Kryeministri.
8. Ekzistojnë dallime substanciale në mes të Marrëveshjes së parë, të nënshkruar në prill të vitit 2013 nga Kryeministri i atëhershëm H. Thaçi dhe marrëveshjes së gushtit 2015 të nënshkruar nga Kryeministri I. Mustafa.
9. Edhe Marrëveshja e Parë ka elemente antikushtetuese.
10. Problem të veçantë paraqet dykuptimësia e përkthimit të Marrëveshjes.
11. Bazuar në Parimet ekzistuese, Asociacioni synon të ushtroj kompetenca ekzekutive dhe të ketë organizim territorial.
12. Kompetencat ekzekutive dhe organizimi i Asociacionit i bazuar në territor janë antikushtetues
13. Marrëdhëniet horizontale të Asociacionit me Institucionet Qendrore, e drejta në pronë dhe shërbyesit civil janë atribute të njësive federale brenda një shteti federativ, por jo edhe të Asociacioneve.
14. Ekskluziviteti etnik është antikushtetues dhe racist.
15. Parimet për kapacitetet ligjore janë antikushtetuese.
16. Parimet e Asociacionit janë në shpërputhje me Kartën Evropiane Për administratën lokale.
17. Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të ketë statut identik me atë të Asociacionit të komunave të Kosovës.
18. Bazuar në argumentet e lartpërmendura tërheqja e Marrëveshjes së 25 gushtit 2015 në lidhje me Parimet mbi Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe është e pa alternativ si që është e pa alternativ edhe dorëheqja e Qeverisë së Kosovës e cila e ka shkel Kushtetutën e vendit.

/autori është deputet i Parlamentit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje/