DYLON

Pse mungon Dita e Këpurdhave në Kosovë?

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Këtyre viteve të fundit qytetarët e vendit tonë, me të hapur televizionin, në emisionin e mëngjesit apo në lajmet e mbrëmjes dëgjojnë për “Ditën ndërkombëtare” të; tokës, ujit, rrushit, mollës dhe artikujve tjerë ushqimor,..ditën e demokracisë, ditën e paqës, ditën e viktimave,…e deri të shënimi i gjërave më banale që s’kanë të bëjnë fare me jetën e qytetarëve tonë.

Ditë më parë presidenti i vendit ishte në një fshat të komunës së Istogut (Kovragë) për shënimin e “Ditës së mollës”, me ç’rast, atë ditë nga pemëtarët e Kovragës i është ndarë mirënjohje presidentit Thaçi për “kontributin e tij për zhvillimin e sektorit të bujqësisë” në Kovragë dhe Istog,…përderisa në anën tjetër aktivistë të Levizjes Vetëvendosje e mirëpritën presidentin me pankartën; “Pushtetarët “Pronto”, mollët rritën më mirë e më shumë pa ju”!

EkoHigjiena

Edhe pse deri më sot, askush nga pushtetarët nuk e permendi “Ditën e Këpurdhës”, shiu i parë që bie në muajin Shtator, është dita që më së shumti i gëzon banorët e varfër të fshtrave malore të Kosovës, e në veqanti të Rrafshit të Dukagjinit,…të cilët për disa ditë e javë rresht sigurojnë kafshatën e gojës nga mbledhja e këpurdhave nëpër luginat dhe majat e maleve më të ngjeshura me lloj-lloj drunjësh, ku në mesin e tyre ndodhen edhe lloj-lloj zvarranikësh të rrezikshëm për jetën e njeriut.

Për dallim nga Mollët e Kovragës, që janë produkt i punës së pemëtarëve të vyeshëm të asaj ane, Këpurdhat e Maleve janë kryekëput dhuratë e natyrës, të cilat mbijnë e rritën gjatë natës në malet tona, pa pasur nevojë për përkujdesje të askujt.

Edhe pse mbledhja e këpurdhave nuk është aq punë e lehtë dhe pa rreziqe, shkaku i prezencës së madhe të gjarpërnjëve,…të varfërit, të harruarit e shtetit, nga mëngjesi i hrshëm e deri në mbrëmje vonë ia mësyjnë zonave malore ku llogaritin të gjejnë sa më shumë këpurdha.

Edhe puna e këpurdhave është sikurse puna e gjuetisë, dikujt i buzëqesh fati më shumë e kujt tjetër më pak. Me t’u kthyer në shtëpi, problem u mbetet shtitja e tyre, ngase nuk kanë ndonjë pikë të caktuar të shitjes. Si çdo herë mbetën në mëshirën e fatit, se kush do të vie i pari në fshat për blerjen e këpurdhave të tyre, ngase me kalimin e orëve këpurdhave u bie vlera, derisa edhe dëmtohen tërësisht.

Në mungesë të ndonjë pike të rregullt grumbulluese, këpurdhat e mbledhura me mund e me djersë shitën lirë,…për t’u kontrabanduar disa herë, deri sa të mbërrijnë tek destinacioni i fundit, i cili e fiton dhjetëfishin e çmimit të blerjes.

Mbase dikujt mund t’i duket banale çështja e këpurdhave, por biznesi profitabil me këpurdhat sikurse edhe bizneset tjera kanë ekzistuar vite më radhë para luftës, për të vazhduar edhe në ditët e sotme. Ky lloj biznesi është realizuar dhe realizohet në bashkëpunim me biznesmenët serb, që destinacion të fundit e kanë tregun evropian.

Nuk është se pushtetarët dhe policia e Kosovës nuk janë në dijeni për këtë lloj biznesi mjaftë profitabil, jo që nuk i dijnë dilerët dhe destinacionin e tyre,…e kanë zgjedhë heshtjen si mbulesë para një kontrabandimi të tillë të mundit dhe djersës së qytetarëve të varfër të këtij vendi.

Se sa është i lartë çmimi i këpurdhave në shtetet perëndimore, po ua ilistroj me një shembull të thjeshtë të tregut të shitjes në Itali; ku vetëm 10 gram këpurdha të terura në shitoret italiane kushton më shtrenjtë se 1 kg i blerjes së të njëjtave në Kosovë!

Andaj do të ishte mirë, që presidenti Thaçi dhe kryeministri Mustafa bashk me kryetarin e Mitrovicës zotin Bahtiri, t’i vizitojnë këto ditë banorët e fshatrave malore të rrafshit të Dukagjinit,…në mos “mirënjohje”, nga ta mund të marrin si shpërblim nga 1 kg këpurdha sa për ta shënuar “Ditën e Këpurdhës”, e munguar deri më tani në ditarin e atyre që mirren me shënimin e “ditëve” të veqanta në vendin e paradokseve më të mëdha në botë, të quajtur me emrin Kosovë.

Megjithatë kjo nuk ka gjasa të ndodhë, ngase se liderët e sipërpërmendur shtetëror, shkojnë aty ku flitet për miliona, e nuk e qajnë kokën për mirënjohje dhe as për hallet dhe peripecitë e qytetarëve të varfër të vendit të tyre.

U shitën apo jo këpurdhat, i shtijnë “turrshi” apo i hudhin të nesermën në plehëra prap mbetët problem i shtresave më të varfëra dhe më të pambrojtura të vendit tonë./2L ONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.