(2L ONLINE) – Dikur luftohej e vdisej për Kosovën! Tash e 14 vite, sa madhështore e krenari të shihnim Kosovën e lirë. Ajo u bë e lirë. U pajisëm gjithë me dokumente dhe nënshtetësi. Gëzimi ishte i pa përshkruar! Megjithatë ky gëzim filloi të zbehet, shumë shpejt. Gjurmët e sakrificës mbetën mbase, dikush e pagoi me gjak, dikush me leke, e dikush nuk e ndjeu fare.
Shkruan: Mr. Zejnullah Jakupi
Në vorbullën e luftës për ekzistencë filluam shitjen e shtetit dhe të identitetit. Filluam të keqpërdorim pozitën dhe të përdhosim imazhin e Kosovës, imazhin e shtetit të ri, duke lejuar krimin, korrupsionin dhe zhbërjen, në çdo segment të shtetit, të krijuar me aq mund e sakrifica dhe filloj ikja drejt theqafjes? Se “ikja” (lirimi nga nënshtetësia) është edhe trimëri, kjo së do koment! Njëkohësisht “ikja” nëse mund të quhet një akt qyqar, njëkohësisht mund të jetë edhe akt i lirisë, një alternative për një jetë më të mirë, pa korrupsion dhe zhvatje.
Dilema kryesore po mbetet e pa zgjidhur: Pse Dita ditës, po rritet numri i qytetarëve kosovarë, shtetas të Republikës së Kosovës, të cilët po kërkojnë azil në vendet e BE-së, edhe pse Kosova tanimë është shtet i pavarur? Nuk duhet harruar njëkohësisht se në të njëjtin trend është duke u rritur numri i shtetasve kosovarë që po e heqin nënshtetësinë e Kosovës duke marre atë të vendeve të BE-së. Në mesin e këtyre që nuk e shohin Republikën e Kosovës si shtetin e tyre të së ardhmes, e përbëjnë struktura të ndryshme: duke filluar nga ish- presidenti i Kosovës e deri tek njeriu më i thjeshtë.
Këta, ndihen më të sigurt dhe më komod, nëse krahas shtetësisë së një shteti të fort, si SHBA-së, Anglisë, Gjermanisë, Francës etj, mbajnë edhe pasaportën e Kosovës. A mundet ose kur do të krijohet mirëqenia në Kosovë me kusht qe njerëzit tanë të mbesin në vendin e vet, të krijojnë aty të ardhme? Pse nuk po arrihet ky standard? Pse kosovarët akoma po ikin nga vendi i tyre? Pse polici, studenti, gastronomi akoma luten: Kur të më vije shansi sa më parë do të iki nga ky vend i mallkuar!!!
Çfarë hapa konkret dhe urgjent është duke marrë shteti (i cili akoma nuk ka qeveri) ose a ka ndonjë instancë tjetër (pse jo edhe lob nga shoqëria civile) për të reduktuar këtë numër?
Kur jemi tek ata që po e japin shtetësinë e Kosovës në favor të shtetësisë se vendeve të BE-së, duhet pyetur: A u interesua shteti ynë tu ofroj këtyre shtetasve ndonjë shans integrimi, ti josh ata që me projekte ti inkuadroj në punë dhe institucione së paku ata që kanë kryer fakultete ose kanë tituj shkencor në vendet e BE-së, ti kthej në Kosovë? Pjesërisht mendoj se ka patur, por kjo “përzgjedhje” ka qenë selektive. Ky lloj “integrimi” ka ndodhur nëse ai ose ajo, ka patur titull doktor shkence dhe ka aderuar si parashutist në partinë e preferuar me kërkesë urgjente.
E si rrjedhim i saj, secila parti i ka rekrutuar simpatizuesit e vet. Shih për këtë, një pjesë e kësaj elite janë integruar mirë në institucione shtetërore, qeveritare dhe universitare të Kosovës. Këta me tu bërë anëtarë partish, (ka patur edhe anëtarësim kolektiv) e në saje të kësaj fushate dhe angazhimi,ata kanë gjetur vende pune në universitet si mësimdhënës, disa janë angazhuar në universitete private disa të tjerë në biznese etj. Ndërsa, nuk dihet saktësisht çfarë u bë me ata “anonimët”, të pavarurit?
Ky fenomen do studiuar më mirë. Për këtë akoma nuk ka një shifër të saktë ku është kjo elitë dhe sa është në numër? Cila është struktura e saj, bindjet politike, mosha, gjendja e tyre sociale etj? Kuturu mund të thuhet se elita e shkolluar jashtë vendit heziton të kthehet në Kosovë, akoma, pasi që shteti i tyre nuk po u ofron një të ardhme të sigurt.
Nuk është më mirë as për ata që duan të investojnë në Kosovë. Administrata e korruptuar deri në fyt dhe në çdo sektor. Kjo paftyrësi ka shuar shpresat e atyre që së paku do kishin dëshirë ta ndërtojnë një shtëpi në Kosovë. Aq më i madhe është numri i atyre që kurrë nuk kanë patur fatin t´ja kthejnë shpinën Kosovës, edhe nëse kane patur shtëpi këtu. Truri kosovar që gjendet akoma në Kosovë, po tu vije rasti, do ikin sa më parë, duke shitur shtëpinë dhe duke rrezikuar bile edhe jetën e tyre gjatë ikjes në mënyrë ilegale!
Ndër faktorët kryesor që i shtyn shumë shtetas të Republikës të marrin rrugën e migrimit, janë para së gjithash kushtet ekonomike; perspektiva e dobët ekonomike numërohet si faktori kryesor që i bënë ata të pasigurt. po ashtu pagat e ulëta në rast punësimi, në gjitha sektorët. Por para se të ndodh ky punësim sërish vije në pyetje “ryshfetdhënia ose Vitamina B.
Mungesa e sigurimit shëndetësor, e tarifave mes punëmarrësit dhe punëdhënësit i bënë këta njerëz (duke filluar nga kreu i shtetit, e tek qytetari më i zakonshëm),të ndjehen të pasigurt, ta humbin besimin se vendi i tyre, shteti i tyre, do tu ofroj kapacitet të duhur për tu dhënë atyre siguri fizike, sociale, integritet të plotë integrues dhe prosperitet për të ardhmen. Duke ndier këtë mossigurim të përgjithshme, njerëzit preferojnë nënshtetësi të huaja. Kjo vlen edhe për kuadrot jashtë shtetit. Në këto rrethana, secili, dikush me shumë e dikush më pak, kemi krijuar imazhin e Kosovës, kështu siç e kemi.
Ky imazh i keq, po krijohet edhe duke mos gjetur vend në Kosovë për integrim, andaj pa një pa dy fillon ngarendja për marrjen e nënshtetësinë e ndonjë shteti të huaj. Por nuk janë vetëm kuadrot nga jashtë që i kanë thënë Kosovës; “Lamtumirë”, ose i kanë prishur imazhin pse kanë vendosur të mos kthehen në vendin e origjinës. Imazh, edhe më të keq i kanë shkaktuar vendit, veçmas, personalitetet e njohura publike, siç është personaliteti i presidentit, kryetari i ndonjë agjencioni publik, ish- ministra e personalitete tjera.
Për këtë do duhej të interesohej edhe shërbimi intelegjent i shtetit, sidomos për këtë elitën shtetërore ose politike, duke hulumtuar pse akoma personalitetet e tilla politike dhe publike ndihen më të sigurt dhe më komod të ikin nga shteti i tyre, përkundër faktit se kanë qenë pjesë e strukturës shtetërore ose qeveritare.
A do të kishin patur individët e tillë një obligim ligjor por edhe moral të mos bëjnë këtë. Bile, këta, të fundit, japin nënshtetësinë me aq lehtësi dhe pa dhënë kurrfarë përgjegjësi dhe si ngushëllim i megjithatë mund të thuhet se ata kanë devijuar tërësisht mbase krahas shtetësisë së një shteti të fort, mbajnë edhe pasaportën e Kosovës.
Kur jemi te marrja e nënshtetësisë se ndonjë shteti të BE-së, në shumë raste, për tu marrë nënshtetësia e këtyre vendeve duhet të jepet ajo e Kosovës. Ndërsa gjithë kosovarët që kanë qenë qytetarët apriori të Kosovës ose kanë patur dy nënshtetësi, p.sh, atë të Kosovës dhe njëkohësisht të Serbisë, nëse e kanë dhënë atë të Serbisë, kanë mundur ta mbajnë nënshtetësinë e Kosovës dhe anasjelltas.
Rasti i Gjermanisë
Sa i përket Gjermanisë me koalicionin e ri CDU,CSU/SPD do të jetë i mundshëm koncepti i dyshtetësisë, i cili edhe në Gjermani pritet të shqyrtohet dhe të praktikohet. Një kohë të shkurtër me një vendim gjyqësor në Gjermani ishte i mundshëm marrja e nënshtetësisë gjermane pa e dhënë atë të Kosovës.
Në të ardhmen mbajtja e dy-nënshtetësisë do të aplikohet vetëm tek ata që kanë lindur në Gjermani dhe në raste kur Republika e Kosovës si shtet i pavarur të bëhet anëtar i BE-së. Ndërsa një pjesë e kosovarëve që jeton këtu nuk ka arritur të siguroj as leje-qëndrimin e nevojshëm. Janë akoma shumë emigrant me qëndrim të parregulluar, fati i të cilëve nuk dihet akoma. Ndërsa nuk ka shifra sa kosovaré kanë marrë nënshtetësinë gjermane deri tani?
Disponimi i qytetarëve kosovarë që jetojnë në Gjermani është pro marrjes së nënshtetësisë gjermane. Një pjesë e tyre akoma nuk e kanë të rregulluar statusin e leje-qëndrimit dhe pa këtë ata nuk kanë të drejtë për nënshtetësi. Në Gjermani ka akoma edhe shtetas te Republikës së Kosovës me status refugjati.
Qeveria e Kosovës me marrëveshjet e nënshkruara me shtetin gjerman si edhe me shtetet tjera është e obliguar ti pranoj këta refugjatë dhe ti integroj në vendin e tyre. Emigrantet, nga ana e tyre, po të kishin mundësi, me qejf, nuk do ktheheshin kurre në vendin e tyre, per te jetuar, duke marrë parasysh situatën e papunësisë dhe zhvillimin e munguar ekonomik në vendin e tyre.
Si të ndalet emigrimi i trurit?
Për të ndaluar këtë proces, veçmas e kam fjalën për intelektualët dhe elitat shkencore, të të gjitha drejtimeve, duhet një projekt shumë i shpejt i shtetit. Së pari, duhet të evidentohen ose regjistrohen gjithë këta dhe të filloj inkuadrimi në institucione ose të kalojnë në ekipin rezervë.
Për këtë do të duhej krijohet edhe fondi nga shteti. Ndërsa në planin afatgjatë do duhej ndryshuar realitetin e krijuar, duke bërë Kosovën një vend më shumë të favorshëm me një mirëqenie më të mirë, individuale dhe familjare, duke përmirësuar administratën publike, duke e depolitizuar atë, duke krijuar kushte për një zhvillim më të mirë ekonomik, etj., në mënyrë që njerëzit të fillojnë të mendojnë për vendin e tyre, për të ardhmen.
Kosova duhet të zhvillohet ekonomikisht, në mënyrë që sa më pak njerëz, qytetarë të saj t ja mësyjnë vendeve jashtë, për të kërkuar një mundësi më të mirë për jetën e tyre, pa patur nevojë në përmasa alarmuese të heqin dorë nga shtetësia.
Përcaktimi për ta dashur vendin, është njëkohësisht respekt dhe përulje për sakrificën e popullit tonë, mbase sa e sa viktima te rënë për këtë tokë, çfarë mobilizimi paqësor dhe ushtarak pati nga ky popull në të kaluarën, kjo nuk do të duhej të përbuzej!
Sakrifica jonë gjithëkombëtare ishte gati-gati hyjnore dhe e pakrahasueshme në histori. Çfarë inkuadrimi ndërkombëtar i aktorëve politik dhe ushtarak për ta çliruar Kosovën nga zgjedha serbe, sikur i harruam të gjithë këto! Harruam ti thërrasim arsyes, të mendojmë më seriozisht për këtë tokë e për këtë vend të mrekullueshëm./2L ONLINE/