Pse jam në “Nisma për Kosovën” ?!
(2LONLINE) – Si qytetarë i Komunës së Gjilanit për shumë arsye kam vendosë të jem pjesë e Nismës për Kosovën – Dega ne Gjilan. Dihet fakti se pjesa më e madhe e qytetarëve nuk janë të angazhuar politikisht në partitë politike e kjo shihet në numrin e pakët të qytetarëve që dalin për të votuar në zgjedhje. Andaj kjo kategori shoqërore përfshinë potencial të pashtershëm kuadrosh të profileve të ndryshme, fermer e bujq të zellshëm, afarist të suksesshëm, studentë dhe nxënës që e ëndërrojnë një perspektivë dhe të ardhme më të mire, si dhe qytetarë të shtresave të ndryshme që ju mungon një jetë e dinjitetshme.
Ky është një moment dhe rast I volitshëm për të gjithë ata qytetarë të cilët kanë sado pak gatishmëri të kontribuojnë me kapacitetin e tyre intelektual, përvojën profesionale apo edhe angazhime të tjera në cilësinë e anëtarit apo simpatizantit në aktivitetet e “Nisma për Kosovën”dhe nga këto aktivitete do të rezultonte një strukturë udhëheqëse e kredibile, që do të dilte nga vota e lirë dhe demokratike. Përfshirja sa më e gjerë e të gjitha shtresave të qytetarëve do ta rriste kualitetin e anëtarësisë dhe do ta dinamizonte aktivitetin në Nismën për Kosovën dega në Gjilan.
Pikësynimet e shpalosura nga z.Fatmir Limaj lider i Nismës për Kosovën, lënë të kuptohet se ekziston gatishmëri dhe vendosmëri për ta instaluar dhe zhvilluar demokracinë e brendshme që do të thotë se do të vlejë parimi “një anëtarë një votë” andaj të gjithë anëtarët që do ti hynin garës për strukturat udhëheqëse, do të ndiheshin krejtësisht të barabartë me faktin se do ti nënshtroheshin votës së lirë.
Në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast ”Nisma për Kosovën” nuk do ti lejojë vetes që të favorizoj qytetarët apo dhe individët e një regjioni,sikurse që ndodhë me partitë e tjera,(Parti e Drenicës,Parti e LLapit, Parti e Rrafshit të Dukagjinit…) por do të jetë parti e gjithë qytetarëve të Kosovës dhe përfaqësimi do të jetë konform sipas komunave dhe regjioneve. Andaj të gjitha këto përbëjnë vlera të shtuara në Nismë dhe me kalimin e kohës do kemi rast të bindemi të gjithë në jetësimin e këtyre pikësynimeve.
E vërtetë është se Ne qytetarët e Gjilanit e të Anamoravës në vazhdimësi ju kemi dhënë votat “bllanko”atyre subjekteve politike të cilat kanë qeverisur dhe qeverisin me votën tonë, mirëpo kjo zemërgjerësi e jona është keqpërdorë tej mase dhe askush nuk mund të mburret e së paku të pohoj se në regjionin e Anamoravës është investuar mjaftueshëm e mos të flasim për mosrealizimin e investimeve të premtuara gjatë fushatave elektorale të njëpasnjëshme. Investimet në infrastrukturë janë parakusht për zhvillimin socio-ekonomik dhe Ne në Anamoravë e kem shumë vështirë të kapim ritmet më të larta të zhvillimeve ekonomike , përderisa na mungojnë investimet në infrastrukturë. Në vazhdimësi lexojmë, dëgjojmë e shohim në mediat se si në komunat dhe regjionet e tjera në Kosovë investohet në ekonomi, hapen reparte të reja prodhuese, ngritën ferma në degët e ndryshme të bujqësisë, merren vendime dhe bëhen përgatitje për ngritjen e ”zonave të lira industriale” si dhe në ngritjen e veprave të ndryshme infrastrukturore dhe ekonomike.
Andaj edhe ne qytetarët e Gjilanit dhe Anamoravës e meritojmë një aktivitet dhe zhvillim më të hovshëm në të gjitha segmentet. Ka probleme edhe të natyrave të ndryshme në qarkullimin e qytetarëve si shembull: Çdo qytetarë I Komunës së Gjilanit që për shkaqe më të ndryshme kishte me marrë rrugën për Tiranë, do ta kaloj një rrugë të lodhshme e të sikletshme deri me qasjen në autostradë për të vazhduar rrugën më tutje apo edhe shumë shqetësime të ndryshme që I mundojnë qytetarët.
/Abdyl BRESTOVCI ecc.i dipl./
