COVID -19, qeveria në rënie e sipër, dhe pamundësia për ti akomodua në hotele luksi këngëtarët me nevojë karantinimi, janë probleme goxha serioze që po përballet sot Kosova. I pari po merr jetë njerëzish anembanë botës, e dyta po e humbë atë alamet “shpresën” e premtuar qysh moti, ndërsa problemi tretë kërkon pak kohë, derisa te ambientohen me kushtet e karantinimit dyjavorë, aty ku studentët “karantinohen” me vite të tana.
Shkruan: Ardian AZEMI
Që telashet të cilat u shpërfaqën së fundmi në koalicionin qeverisës po e minimizojnë këtë problemin e virusit, ska asnjë dyshim. Flasin analistet militantë, edhe militantët partiakë, ndërsa heshtin ata që duhet të flasin, pra akterët që e krijuan këtë katrahurë. Shumë idiotë në gjykime duhet me qenë për me besua se deklarata e ministrit Veliu u bë shkak për lirimin e tij nga detyra, sikurse shumë naiv duhet të jesh për me besua se largimi i ministrit Veliu u bë shkak që po inicohet mocion mosbesimi ndaj qeverisë në Kuvend.
Krejt ky muhabet është i taktizuar, dhe i analizuar hollësisht. Ata që i kanë veç dy lidhje me këto tema, e kuptojnë se nuk mund të tërheqësh paralele mes dy deklaratave të dy ministrave, Agim Veliut dhe Blerim Reka. E ministrit Reka ishte skandaloze, ndërsa u cilësua si shprehje e lirë e mendimit. Ndërsa deklarimi i Veliut pro Gjendjes së Jashtëzakonshme, po paraqitka telashe të mëdha. A nuk e tha në Kuvend edhe kryeministri Kurti, edhe kryetarja e Kuvendit Osmani, dhe shefi i GP të VV-së, Rexhep Selimi se Kosova është në situatë të Jashtëzakonshme..? Domethënë problem paraqet veç nëse dikush tjetër e propozon. Pallavra janë këto!
Secili duhet ta kuptojë se kjo është taktikë e kryeministrit Kurti për ti bishtnua përgjegjësive shtetërore. E ka mendua si të kollajshme udhëheqjen e shtetit, por e ka kuptua saktë nga dita e ardhjes në pushtet.
Pse bash Agim Veliun..?
Thjeshtë, kryeministri Kurti e ka cilësua si formulën më të lehtë për tu liruar nga përgjegjësitë shtetërore. I shkeli parimet e tij ende pa u formua institucionet, dhe kjo ia zbehi në masë të madhe atë epitetin e liderit “shpëtimtar” të Kosovës. U gjunjëzua para LDK-së, jo njëherë por disa herë. Nuk i mbajti premtimet përmes së cilave edhe kishte ardhur në pushtet. Pra, ende pa u formua institucionet, Kurti u zhveshe nga parimet që kishte bashkëjetuar e bashkëvepruar me to për shumë vjet. Rezultuan parime të rrejshme, mashtruese e zhgënjyese.
Agim Veliut duhet ti jetë mirënjohës përjetë kryeministri Kurti. Sikur kishte pritur që opozita do të vepronte sipas dëshirave të tij të heshtura, por nuk iu gjendën në momentet kur më së shumti kishte nevojë. Opozita e tradhtoi, nuk deshi ta rrëzoi. Albin Kurti e di fare mirë se çdo ditë në pushtet, pa tentua asnjëherë të prekë në tokë, është çdo ditë e humbur për të. Në qeverisje nuk mund të jesh kapadai, sepse siç e tha edhe vet, edhe mund të jesh, ama më nuk mund të jesh, sepse të rrëzojnë.
Kryeministri Kurti e ka kuptua se para vetes ka shumë tema të cilat janë përcaktuese për të ardhmën e përgjithmonshme të Kosovës. Inatet e kamotshme, dhe të ruajtura me fanatizëm, ia kanë pamundësua të ketë afër vetes liderë tjerë që do ta përkrahnin në tema nacionale. Ka refuzua vazhdimisht të hapet ndaj të tjerëve, duke u munduar ta ruaj atë kauzën e tij të vjetër dhe shumë bajate se; krejt të tjerët janë të këqij, veç ne jemi të mirë. Nuk shkon kështu, ndoshta edhe mund ta provosh, por dështon, siç edhe vet thotë ai.
Shkurt e shqip, kryeministri Kurti refuzon kategorikisht të jetë kryeministër, të paktën edhe dy mandate. Kërkon kohëra të përshtatshme që ia mundësojnë qeverisjen siç thotë populli, “n’hazër”. Jo, nuk mund të jesh lider i vërtetë dhe në të njëjtën kohë ti ikësh përgjegjësive. Prandaj, mos e irritoni masën, sepse askush nuk iu ka faj që ju refuzoni të jeni ata që masa ka dashtë të ju shoh.