Pse Vetëvendosje dhe Lista Srpska në të njëjtën kohë janë kundër simboleve të Republikës së Kosovës?!
Shkruan: Arsim Kastrati
Pse Vetëvendosja dhe Lista Srpska në të njëjtën kohë janë për zhbërjen e mëvetësisë së Republikës së Kosovës dhe shkrirjes së sajë në Serbi respektivisht Shqipëri?!
Pavarësisht a jemi pro apo kundër tij, deri te bashkimi eventual i Kosovës me Shqipërinë nuk mund të vijë pa pëlqimin e fuqive të mëdha dhe pa ndarjen e Republikës së Kosovës sepse ndryshe nuk lejon Serbia, me forcën, aleatët dhe synimet e saj historike e aktuale që i ka në dispozicion të kësaj problematike.
Ende është herët që shqiptarët e Kosovës ta harrojnë bashkimin kombëtar edhe mos e harrofshin, sepse është e drejtë e natyrshme që popujt të bashkohen por sikur e patëm vendosur që të bashkohemi në kuadër të BE-së, sepse e patëm parë dhe ende besoj mund ta shohim se rruga tjetër ajo më e shkurta është plot me rreziqe e me kundërshti dhe pa marrë parasysh se cilën rrugë vendosim ta ndjekim, bashkimin vetëm nuk mund ta bëjmë!
Kohëve të fundit sikur janë shtuar zëra nga adresa të ndryshme të cilët mëtojnë të tregojnë se gjoja po u zhvilluakan në fshehtësi bisedime Shqiptaro-Serbe për ripërkufizimin territorial të Serbëve dhe Shqiptarëve.
Avokuesit e kësaj forme të zgjidhjes së problemit serboshqiptar mëtojnë ta arsyetojnë këtë me definitivitetin e zgjidhjes së konfliktit serbo-shqiptar si dhe me faktet e dështimit (sipas tyre) të shtetit të Kosovës!
A u japim të drejtë nëse turremi në të tilla bisedime me Serbinë?
Pse shqiptarët, në të njëjtën kohë e bash për qejfi të nacionalistëve serbë, i qesin cunga në rrugë shtetit të vet – Kosovës?!
Pse Vetëvendosja e lejon Listën Srpska me i vendosë kushte Republikës së Kosovës për miratimin e demarkacionit me Malin e Zi, kur e di mirë që demarkacioni është i pashmangshëm?!
Pse hezitojmë ta përfundojmë ndërtimin e shtetit, a nuk e kemi dëshiruar dhe kërkuar vetëm ne dhe askush tjetër – Republikën e Kosovës?!
Pse nuk lëvizim më vendosmërisht drejt saj kur ajo na inkurajon që ti bashkohemi, a nuk ishim ne ndër të parët që në fundshekullin e kaluar e bëmë edhe këngë kumtin: “Jam Europë”?!