Ribotime të reja nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”
( Anton Nikë Berisha, Prushi i bukurisë. Përsiatje poetike për artin e fjalës. Botimi i dytë i plotësuar. Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan 2018 ).
Këto ditë u ribotua dhe doli prej shtypit përmes Shtëpisë botuese “Beqir Musliu”, poema “Prushi i bukurisë”, një persiatje kjo e rrallë për artin e fjalës, me autor Anton Nikë Berishën, i përcjellë dhe me shkrime të tjera rreth kësaj poeme, e botuar tri vite më parë, po nga kjo Shtëpi botuese, këtu në Kosovë si dhe katër vite më parë ( 2014 ) në Kozencë të Italisë, shqip dhe italisht, (Prushi i bukurisë. Përsiatje poetike për artin e fjalës. Il fulgore della bellezza. Riflessioni poetiche sull’arte della parola , Luigi Pellegrini Editore.Cosenza 2014), e cila zgjoi një interesim të madh te studiuesit e letërsisë dhe të shkrimtarët italianëe, gjithashtu dhe te ata shqiptarë.
Këtë gjë e dëshmojnë 13 (trembëdhjetë) punime të shkruara nga shkrimtarët italianë, të cilët e vlerësojnë lart këtë vepër të Berishës si, fjala vjen, emra të shquar Domeniko Korradini Brusard, Dante Mafia, Serxho Paolo Foresta, Paskuale Mafeo, Nikla Morleti, Xhyzepe Napolitano e të tjerë.
Duhet theksuar se edhe trembëdhjetë autorë shqiptarë e vlerësuan lart këtë vepër të Berishës.
Ky interesim kaq i madh për këtë poemë si dhe vlerësimet e botuara si në gjuhën italiane dhe në atë shqipe, ishin shtysë e madhe që, në vitin 2015 , Shtëpia botuese “Beqir Musliu” ( Gjilan ) bëri botimin vetëm në shqip të kësaj vepre të Anton Nikë Berishës me parathënie të shkrimtarit italian Dante Mafia.
Në botimin e Gjilanit të vitit 2015 brenda librit u përfshinë edhe një pjesë punimeve të shkrimtarëve dhe studiuesve të letërsisë: Xhuzepe Napolitanos, Serxho Palo Forsta, Albana Alia, Fiorela De Roza, Flavio Nimpo, VinXenco Bruno dhe Prend Buzhala.
Në parathënien e shkrimtarit Dante Mafia (i propozuar për shpërblimin Nobel) thuhet:
“Anton Nikë Berisha zotëron një ndjeshmëri të lartë dhe s’ka paragjykime ose nuk përdor superstruktura të padobishme dhe, pikërisht për këtë, arrin, me zë të plotë dhe me lirizëm të thellë që zë fill nga bota klasike apo ndikohet dhe nga mjeshtrit e sufizmit, të realizojë një orkestrim të gjerë që mundohet të fiksojë të paktën disa prej cilësive të shumta të fjalës. Poema është aq e dendur, aq e ndezur dhe e pasur me përshkrime dhe qëllime të arrira, megjithëse të përkohshme për shkak të natyrës së tyre, sa që të lind dëshira ta mbushësh këtë shkrim me citime. Mirëpo, do të ishte më mirë ndoshta të grishet lexuesi në leximin e plotë të poemës prej mbi pesëqind vargjesh që kanë një qëndrueshmëri absolute, me ritmin e një simfonie të lartë dhe solemne që nuk pranon largimin prej saj, që “të detyron” të ndalesh për të medituar e për të shijuar vargjet deri në zbulimin e vetvetes. Në fakt, gjatë leximit, për të dhënë ndonjë shembull, të vargjeve: “Je bërje dhe zhbërje e njëmendësisë”, “Je dëshmi e qenësisë së heshtjes”, “Je përsosja e kërkimit të plotënisë”, “Je vatra e degëzimit të të panjohurave”, arrijmë të kuptojmë që Berisha ia beson filozofinë e vet të jetës aventurës së fjalës dhe jo për t’u shkarkuar nga përgjegjësia etike, por për t’iu rikthyer një dialektike që disa avanguardie të rreme e shkatërruan me qarqe të kufizuara e të pakuptimshme, me eksperimente që e zhveshën fjalën nga roli i saj”.
Në “Shënimin paraprak” të veprës “Prushi i bukurisë” Anton Nikë Berisha ndër të tjera shkruan: “Mund të thuhet se në të gjitha kohët letërsia shprehu qenësinë dhe misterin e ndikimit të saj, që vështirë shprehet mirëfilli me fjalë. Ajo e dëshmoi veten edhe kur nuk pati kushte të zhvillohet e të komunikojë, kur, thënë poetikisht, ia zunë frymën. Në rrethana të tilla ajo lindi si feniksi: sa më shumë që u synua të shmanget, të shkatërrohet, ose të shndërrohet në diçka që ajo nuk ishte (siç ndodhi në kohën e diktaturave ose në kohën e komunizmit në letërsinë tonë), mbijetoi te popujt dhe ndikoi në shpirtin e njeriut dhe e fisnikëroi atë. Gjuha – fjala, përmes së cilës krijohet – shprehet e bukura, bën thelbin e letërsisë. Jashtë gjuhës, strukturës shprehëse poetike, s’ka as letërsi, as kumt poetik, as komunikim e as ndikim estetik.
Gjuha – fjala është e qenësishme për arsye se ngërthen dhe shpreh kuptime të shumta e të ndryshme. Në një tekst të fjala e zakonshme ofron një kuptim, ndërsa fjala poetike ofron shumë kuptime, siç e thekson në mënyrë përmbledhëse studiuesi i shquar, René Wellek: “[…] Një fjalë bart në vete jo vetëm kuptimin e saj leksikor, po tërë një atmosferë të sinonimeve e të homonimeve, meqenëse fjalët nuk kanë vetëm kuptimin e tyre, po rikujtojnë kuptimin e fjalëve të ngjashme për tingëllim, ndjenjë e prejardhje, e së fundit të fjalëve që kundërvihen dhe përjashtohen”. Lasgush Poradeci ynë theksonte: “[…] në zgjedhjen e fjalës ndahet artisti nga poeti, domethënë, poeti artist nga poeti vetëm poet […]. Në poezi ka rëndësi të madhe të thuash, të shprehësh, sa më bukur, sa më shumë ndjenja (lexo: kuptime), me sa më pak fjalë”.
Mendimet teorike mbi artin e fjalës autori i ka shprehur përmes një teksti poetik të përpunuar me shumë dije e përkushtim.
Dëshmi e drejtpërdrejtë e vlerës së veprës “Prushi i bukurisë” të Anton Nikë Berishës është dhe vëllimi i botuar po nga shtëpia botuese “Beqir Musliu” (më 2017) me titullin “Prushi i bukurisë një përmendore poetike për artin e fjalës”, ku janë përfshirë njëzet e gjashtë punime të autorëve shqiptarë dhe të huaj për këtë vepër. Vëllimin e përgatitën për botim Albana Alia dhe Labinot Berisha.
Ky ribotim i kësaj poeme, me një titull tejet simbolik “Prushi i bukurisë”, me disa plotësime, vjen si rezultat i kësaj jehone dhe i këtij vlerësimi, si nga kritika shqiptare, ashtu dhe ajo e huaj, që në këto dekadat e fundit, thuaja është rast i pashembullt në letërsinë tonë.
Përndryshe, prof dr. Anton Nikë Berisha, opinionit lexues i është i njohur më tepër si studiues i letërsisë, asaj gojore dhe të shkruar dhe, në veçanti të letërsisë arbëreshe, po edhe si romansierë dhe si shkrimtarë i letërsisë për fëmijë.
Mirëpo viteve të fundit, Berisha dendur i është rikthyer edhe poezisë, duke sjellur kështu vepra tejet të arrira në planin artistik, filozofik e eseistik.