Protestojnë para zyrës së kryetarit, kërkojnë pagat e tyre!
Nën organizmin e Shoqatës Sindikale NPL “Tregu “ Gjilan, punëtorët kanë protestuar para zyrës së kryetarit të Komunës së Gjilanit, për të kërkuar pagat e tyre, të cilat nuk i kanë marrë për muajin tetor dhe tani po përfundon edhe muaji nëntor.
Nexhat Veseli, kryetar i Shoqatës Sindikale NPL “Tregu “, ka thënë se sot janë këtu për t’i shpreh pakënaqësitë e tyre, pasi po kanë vështirësi me pagat e tyre, pothuajse tani e 10 muaj.
Ai tha se sot është 24 nëntori dhe akoma nuk e kanë marrë pagën e tetorit, dhe po hyjmë në dhjetor, meqë nuk kanë garancë se kur do të realizohen pagat në llogaritë e tyre bankare, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Veseli shtoi se kanë kontratë me ndërmarrjen “Tregu”, dhe kjo kontratë i garanton se pagat duhet të dalin në fillim të muajit e jo të presin pafundësisht.
“Ne, e dimë gjendjen e Komunës së Gjilanit dhe ky problem u nis qysh kur kuvendi komunal I Gjilanit nuk e ka votuar me kohë buxhetin e kësaj komune. Prandaj ne presim nga Qeveria në detyrë të reflektojë, sepse janë mbi 300 familje që presin çdo ditë se kur do të bëhet një zgjidhje dhe mos të kemi më telashe të tilla me paga. Punëtorët e kësaj ndërmarrje duan një zgjidhje urgjente sepse me të vërtet këta punëtorë janë në gjendje jo të mirë financiare dhe mu për atë jemi tubuar këtu për t’i shprehur pakënaqësitë tona”, ka thënë Nexhat Vesel, transmeton 2LONLINE.com.
Ai tha se do të vazhdojnë sot me këtë protestë, por nuk do të ndalen me kaq për të kërkuar të drejtat e tyre që me djersë e mund punojnë për një pagë edhe pse ajo pagë nuk mjafton, e lëre më të mbesim pa të fare.
“Nëse qeveria në detyrë nuk merr masa dhe nuk reflekton ne jemi të detyruar që me datë 26.11.2025 të fillojmë me grevë fillimisht 3-orëshe, e pastaj tërëditore, sepse nuk mund të punojmë kështu. Punëtorët tanë me të vërtet janë në gjendje të rëndë ekonomike, disa me sëmundje të ndryshme nuk kanë para as barnat e tyre mi ble, nuk po mund ta sigurojnë bukën e gojës, e mbi 90 përqind e tyre janë nëpër kredi dhe tash më iu është prish historiku banker”, ka thënë Nexhat Veseli, kryetar i Shoqatës Sindikale NPL “Tregu “, Gjilan. /2LONLINE/
