DYLON

Promovohet romani “Engjëlli” i autorit Muharrem Elezi

Promovohet romani “Engjëlli” i autorit Muharrem Elezi
Avatar photo Redaksia

Në Bibliotekën Ndërajonale “Fan S. Noli” në Gjilan është përuruar romani “Engjëlli” i autorit Muharrem Elezi, që është libri i tij i katërt. Romani “Engjëlli” ka 323 faqe, redaktor i të cilit është Zyrafete Shala, recensent Fehmi Halimi, është botuar nga Lena Grafik – Prishtinë.

Shyqeri Galicës, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, e ka uruar Muharrem Elezi për librin në fjalë, duke bërë të ditur në të njëjtën kohë se ky autor është anëtari më i ri i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

EkoHigjiena

Mehmetali Rexhepi, kritik letrar, ka folur për romanet e Muharrem Elezit dhe kryesisht është ndalë te romanet e mëhershëm të këtij autori, duke e cilësuar Muharrem Elezin si një shkrimtar befasues, i cili përnjëherë na del me një seri romanësh, sikurse që bënte Balzaku e ku autori në romanet e tij trajton fatin e nëpërkëmbur të femrës shqiptare. Rexhepi tha për Elezin se ai është i drejtpërdrejtë dhe trajton kultin e romanit tradicional.

Tahir Arifi, kritik letrar, tha se romani “Engjëlli” është roman mbi intrigën, dashurinë, dhembjen e fundin, është një vepër realiste e sentimentale, por në të cilin ka edhe dromca politike e fate individuale, roman që prek ndërgjegjen e lexuesit. Arifi tha se në këtë roman autori sjell një rrëfim të strukturuar dhe që lexohet me një frymë, ngase në të ka një shpërfaqje të ambientit e të shoqërisë kosovare.

Remzi Idrizi, lexoi një shkrim të recensentit Fehmi Halimi, ku është thënë se në veprën e Muharrem Elezit ka pasur rrëfimesh, të lloj-lloj sprovimeve e përpjekjeve mbinjerëzore për të mbijetuar, që na kthejnë prapa në vlerën e vërtetë të librit e të botimit. Romanet e Elezit, me tërë ngarkesën e tyre bëhen edhe më shumë se romane – bëhen akte historike, mu siç ishin shkrimet Viktor Hygosë e Honore de Balzakut për popullin e vendin e Francës, – që u vlerësuan më fort se të gjithë shkrimet e dokumentet e historianëve francezë e botërorë për Francën.

Zyrafete Shala, redaktore e kritike letrare, ka thënë se deri më tashti, autori Muharrem Elezi ka botuar katër libra dhe se ky autor që prej romanit të parë e deri te ky më i fundit vazhdimisht ka evoluar në veprat e tij.

“Muharrem Elezi në romanin e tij të fundit “Engjëlli” vije me zë më të artikuluar e më të formësuar. Ai u qëndron besnik preokupimeve e temave që trajton dhe përqendrohet te fati i femrës shqiptare”, ka theksuar Shala, që ka shtuar se autori kufizohet te padrejtësitë dhe kufizimi i lirisë së femrës shqiptare.

“Me këtë roman, për të katërtën herë me radhë, Elezi sjell një rrëfim dinamik, të ndërtuar mbi motivet e përditshmërisë shqiptare. Lufta në mes të mirës dhe të keqes është strumbullari rreth të cilit zhvillohen fazat e konfliktit, i cili gjatë rrjedhës së rrëfimit merr përshkallëzim dramatik. Karakteret e shumta që defilojnë në roman, me veset, virtytet, pikëpamjet, ambiciet dhe mendësinë e tyre, krijojnë një botë fiktive që ngjason me realitetin tonë”, ka thënë ndër të tjera kritikja letrare, Zyrafete Shala.

Ndërsa, autori Muharrem Elezi, ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në promovimin e veprës së tij “Engjëlli”, ka theksuar se ka mëtuar që të shtjellojë një rrëfim të afërt me realitetin e jetës së përditshme të një hapësire ku jetojnë personazhet e romanit të tij, duke përmendur dy personazhet kryesore te romanit dhe sipas tij, vlerësimi më i mirë i lexuesit do të jetë atëherë, kur ata t’a kenë lexuar këtë roman.

Përndryshe, pjesë nga ky roman i Muharrem Elezit i ka lexuar aktori gjilanas Ramadan Kurti. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.