Promovohet libri “Nga zero në njëqind” i autorit Dritan Shpuza

Promovohet libri “Nga zero në njëqind” i autorit Dritan Shpuza

Sipërmarrësi i njohur Dritan Shpuza, ka bërë në Prishtinë promovimin e librit të tij me titull “Nga zero në njëqind”. Shpuza i cili njëkohëisht është motivues dhe trajnues se si të bëhet biznes, tha se ky libër ka për qëllim që ta ndihmojë secilin individ t’i vlerësojë në maksimum fuqitë e veta dhe t’i shfrytëzojë ato në mënyrën më të mirë të mundshme për të pasur sukses në karrierë.

Gjatë fjalimit të tij, ai i ka kushtuar rëndësi të veçantë sjelljes të cilën e ka vlerësuar si kriter themelor për sukses. “Sjellja është 85 për qind e suksesit ndërsa vetëm 15 për qind profesioni. Mund të jeni profesionistë, mund të dini gjithçka, mirëpo nëse me të parin problem nervozoheni dhe nuk komunikoni si duhet atëherë ajo do të shndërrohet në pengesë për të arritur sukses”, është shprehur Shpuza.

Tutje ai ka thënë se problemet që na ndodhin duhet t’i kthejmë në mundësi sepse vetëm në atë mënyrë mund të rritemi si individë.

Shpuza ka folur edhe për faktorë tjerë që ndikojnë në suksesin e individit, si: mendimi pozitiv, marrja e përgjegjësisë, përpikmëria, komunikimi i duhur dhe përqëndrimi i fortë në punë.

Ai ka trajtuar edhe rëndësinë e sipërmarrësve në shoqëri dhe ka përmendur disa faktorë të rëndësishëm për kompanitë biznesore si: Misioni, shitja – marketing adekuat, rekrutimi dhe trajnimi i duhur i të punësuarve.

Gjatë promovimit, gjithashtu bizneset kishin rastin që të drejtojnë pyetjet e tyre dhe të bashkëbisedojnë me autorin në çështjet që u interesojnë më tepër për të arritur sukses sa më të lartë në sferën e biznesit.

Ndërkaq, Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që ishin të pranishëm në këtë promovim dhe vlerësoi lartë punën e sipërmarrësit Dritan Shpuza. Krasniqi duke folur për botimin e këtij libri dhe autorin tha se në mesin e shumë detajeve që gjenden në këtë libër është edhe dallimi mes biznesmenit dhe afaristit.

Për më shumë, Shpuza ka ndihmuar shumë biznesmenë që të arrijnë qëllimet e tyre në biznes dhe në jetë duke ua lehtësuar atyre procesin dhe rrugëtimin.

Ai si lehtësues dhe trajner i biznesit ofron këto shërbime: Investime financiare të biznesit, sipërmarrje të përbashkëta, trajnim të biznesit, konsulencë biznesi dhe ndërkombëtarizim.

KOMENTE