DYLON

Promovohet libri me poezi “Muza jam unë” e autores Alketë Spahiu

Avatar photo Redaksia

Gjilan – (2LONLINE) –  “Vjeshta letrare e Gjilanit”,  ky manifestim i rëndësishëm kulturor që po mbahet në Gjilan për të katërtën herë me radhë, po vazhdon me rrugëtimin e saj dhe aktivitet i radhës , këtë të shtune, ashtu siç është bërë zakon të thuhet “fiks në dymbëdhjetë”, është bërë promovimi i librit  me poezi “Muza jam unë” e autores Alketë Spahiu.

Për librin folën botuesi Ramadan Mehmeti, Nexhat Rexha, Arsim Halili. Sabit Rrustemi e Linditë Ramushi, ndërsa u deklamuan poezi  të Alketës nga Diana Toska, nën shoqërimi ne tingujve të kitarës.

EkoHigjiena

Ramadan Mehmeti, shkrimtar dhe editor i Shtëpisë  Botuese “Rozafa” tha se Alketë Spahiu është e madhërishme në poezi. Ajo është vetë muza!. Alketë Spahiu, që nga vepra e parë për fëmijë “Kur buzëqesh hëna” e gjer te veprat tjera të saj, siç janë: “Nënë cytjet e tërbimit”, “Syri qan për syrin”, me bukurinë dhe thellësinë e fjalë artistike, e ka dëshmuar vetën se është mjeshtër i vargut të  bukur,  dhe edhe me librin e saj më të ri, kjo poete po na mahnit për botën e saj krijuese.

Nexhat Rexha, kritik dhe krijues tha se Alketa vargun e saj e ka brumosur me ide dhe protagonistë të ndryshëm nga bota mitologjike greke dhe ajo i sinjalizon lidhjet shekullore, të cilat në një mënyrë a formë tjetër kanë krijuar parafytyrimin e të ndodhurave gjatë shekujve.

“Vëllimi poetik “Muza jam unë”, në tërësinë e saj ka shtrirje të gjerë gjeografike me zgjedhje të preferuar si dhe me  figuracionin që krijon përmes këtyre qyteteve botërore, ajo sikur reflekson e kërkon bashkëveprim e koordinim për qytetërimin tonë. Po kështu, figurat e dalluara nga jeta artistike e përbotshme i specifikon jo për njohje, por për të shfaqur praninë e  tyre në jetën e kulturës sonë. Me këto karakterisitka dalluese, vepra petike “Muza jam unë” e Alketë Spahiut kërkon një lexim të vëmendshëm, si në parashtrimin e problematikës dhe mesazhit që ajo ia dedikon lexuesit në përgjithësi.

Ndërsa Arsim Halili, kritik dhe krijues nga Bujanoci, tha se poetja Alketë Spahiu, artin letrar nuk e  kupton dhe nuk e trajton vetëm si shpërthim emocional të çastit, por tenton dhe pretendon që në  rrokaqiellin e artit letrar me themele të sigurta, që pastaj të qëndrojë në vertikale i gjithë itenerari i saj krijues, derisa  Linditë Ramushi, poete tha se këtu në poezinë e Alketë Spahiut ka gërshetim vlerash poetike, të cilat janë për ti çmuar dhe adhuruar, për faktin se, pak krijuese, si Alketë Spahiu bëjnë mrekullira të rralla në fushën e artit letrar. Kjo flet për të bukurën dhe ajo nuk mungon. Nuk mungon edhe në veprën e saj që sot po flasim me ëndje e me pietet për krijimet e saja të rralla poetike.

E autorja e librit, Alketë Spahiu tha në fund se, prania e dashamirëve të librit e fjalës së shkruar e nxit dhe  i jep kurajo  edhe për vepra të tjera letrare. /2lonline/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.