DYLON

Promovohet libri “I tillë ishte Hushi” i autorit Nijazi Idrizi

Promovohet libri “I tillë ishte Hushi” i autorit Nijazi Idrizi
Avatar photo Redaksia

Në Teatrin e qytetit të Gjilanit, ishin mbledhur një numër i madh i përfaqësuesve institucional, përfaqësuesve të fshatit, familjes dhe qytetarë të shumtë të ftuar nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe me kontributin e autorit Nijazi Idrizi, që të bëhej promovimi i librit “I tillë ishte Hushi” që i dedikohet dëshmorit Ibrahim Uruqi.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në fjalën e tij, ka rrëfyer për rëndësinë e madhe që ka ky libër, sepse siç ka thënë ai, po bëhet për një personalitet të veçantë të organizimit të madh në luftën për lirinë e Kosovës.

“Ibrahim Uriqi, apo “Hushi”, siç është njohur nga të gjithë, sot na mungon shumë, sepse ai ka qenë gjithmonë i vendosur, i guximshëm dhe me vizion të qartë për lirinë e Kosovës dhe ecjen përpara të idealit, pavarësisht sakrificës. Me Hushin kam pasur rastin që në aktivitete të shumta të jemi së bashku në rrugën e organizimit për lirinë e Kosovës. Ai kishte vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë e papërshkruar edhe gjatë kohës sa ishim në burg. Pas nesh më askush nuk ka ra në burg nga shokët tanë, sepse të gjithë kemi mbrojtur njëri-tjetrin, në mënyrë që rruga e nisur të kulmonte me lirinë, çfarë e ka dashur edhe vet Hushi”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

EkoHigjiena

Haziri gjithashtu ka thënë se Hushi është një gurë i fuqishëm në themelet e lirisë së Kosovës dhe do të jetë i palëvizshëm deri sa të ketë shqiptarë mbi këtë dhe.

Autori Nijazi Idrizi, ka thënë se libri për Ibrahim Uruqin është një monografi e përmbledhur për një figurë e cila është dhe mbetet krenari e palëkundur e luftës së organizuar në vitin 1999.

“Monografia për Ibrahim Uruqin që po promovohet sot në kuadër të shënimit të festës së 28 Nëntorit, është një rrugë që e kemi nisur për Hushin. Ky libër që është i ndërtuar nga njohja që kishim për të, nga rrëfimet e shumta të shokëve, familjarëve dhe të afërmve të tij, sot nuk i vëhet pikë, përkundrazi është një presje e madhe”, ka thënë Idrizi, i cili i ka dorëzuar familjes kopjen e parë të librit.

E në emër të familjes ka folur vajza e dëshmorit, Albulena Uruqi e cila ka falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen e librit dhe Idrizit për këtë monografi.

“Babai im nuk u kthye me 15 qershor 1999 për të festuar lirinë, por ai më dha mua dhe gjithë qytetarëve lirinë të cilën po e shijojmë të gjithë së bashku”, ka thënë ajo.

Kurse, me fjalën e tij është paraqitur edhe Ahmet Isufi, ish Komandant i Zonës Operative të Karadakut, i cili ka përmbledhur në pika të shkurtra vendosmërinë, angazhimin dhe vullnetin që kishte Hushi në rrugën e tij drejtë lirisë.

Ndërsa nga këndvështrimi historik është paraqitur në këtë promovim Dr.Fitim Rifati, i cili ka përmbledhur kauzën kombëtare, idealin dhe sakrificën që ka bërë Ibrahim Uruqi gjatë gjithë jetës deri në rënien e tij.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.