Gazetari, publicisti, përkthyesi, dhe njëherësh miku i Bekim Fehmiut nga Kosova, Fahri Musliu në ambientet e shtëpisë së kulturës në Bujanoc ka promovuar librin e monografisë “Bekim Fehmiu – Odiseu i Kosovës” i cili është shprehur se ka pas një obligim profesional e miqësorë për të përgatitur librin e këtillë.
“Ka zgjatë diku deri 4-5 vjet përgatitja e materialeve për librin, unë i kam mbledhë materialet që kanë shkruar të tjerët për Bekimin por edhe ai vet. Është një përmbledhje e jetës së Bekimit nga lindja deri në vdekje”, theksoi mes tjerash Fahri Musliu, shkruan Titulli.com
Për librin e Bekim Fehmiut ka folur gjatë promovimit edhe Sevdail Hyseni, publicist nga Bujanoci cili ka shprehur një vlerësim të lartë për personalitetin e aktorit duke thënë se shkëlqimi i Bekim Fehmiut jeton edhe pas vdekjes së tij.
Arbër Sadiku nga Bujanoci, një adhurues i aktorit bekim Fehmiu ka përshkruar me disa fjalë interesin e tij për aktorin që fillimisht ai ka hulumtuar nga fusha e arkitekturës dhe ka thënë se nga familjarët e Bekimit është informuar se ai ka qenë shumë i afërt me familjen, miqtë dhe farefisin.
Ndërsa Belgzim Kamberi nga Presheva duke folur për Bekim Fehmiun tha se në arënë shqiptare në njëfarë mënyrë ai ka qenë i injoruar sipërfaqësisht i cili ka jetuar mes artit dhe politikës njëkohësisht.
Monografia “Bekim Fehmiu – Odiseu i Kosovës” përmban tetë kapituj dhe nis me atë “Vetëvrasja si akt personal”, gjersa vazhdon me pjesë të tjera që përfshijnë intervistat e shumta të Bekim Fehmiut, filmat e tij të suksesshëm etj.
Krahas promovimit u recituan edhe dy poezi nga nxënëset e shkollës së mesme në Bujanoc.
Promovimi i librit të monografisë “Bekim Fehmiu – Odiseu i Kosovës” është pjesë e aktiviteteve të shtëpisë së kulturës në Bujanoc në kuadër të Javës së Nëntorit.