/2L ONLINE/ – Në promovimin e librit të Ibrahimit Kadriut:”Ismail Kadriu, njeriu me vizion të qartë” u tha se ai vazhdon të mbetet ende i gjallë për shkak të dimensioneve të mëdha që pasur dhe gjurmëve të pashlyeshme për shkollën shqipe. Ismail Kadriu është i gjallë ende sepse me punën e tij kolosale ai do të mbetet edhe si dirigjenti më i përsosur i arsimit shqip në Anamoravë kanë vlerësuar Mahmud Hysa, Mehmet Halimi, Anton Nikë Berisha, Bajram Kadriu e Ibrahim Kadriu.
Në prani të një auditori të zgjedhur të shtunën është promovuar libri biografik “Ismail Kadriu njeriu me vizion të qartë” të autorit Ibrahim Kadriu.
Për jetën dhe veprën e këtij kolosi të shkollë shqipe folën kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku Rexhepi, Mahmud Hysa, Mehmet Halimi, Anton Nikë Berisha, Bajram Kadriu, Sabri Kadriu dhe vet autori Ibrahim Kadriu.
Valentina Bunjaku Rexhepi kryesuese e Kuvendit komunal ka folur në emër të kryetarit Lutfi Hazirit, derisa tha se Ismail Kadriu ishte atdhetar e arsimdashës, pedagog e mësues i pasionuar i shkollës shqipe.
“Nuk kam dilemë në suksesin e këtij libri, ngase paraqitet me mjeshtëri nga shkrimtari ynë i jashtzakonshëm shembëlltyra e një mësuesuesi e pedagogu, veterani të arsimit shqip, atdhedashësi, të cilin e ruajti me besnikëri, atë ua zbuloi vetëm shokëve të besës e të fjalës, asnjëherë s’e tradhtoi idealin e popullit të vet, idealin për liri, për të cilin punoi pa rreshtur”, u shpreh kryesuesja Bunjaku Rexhepi.
Studiuesi Mahmud Hysa tha se vepra e Ismail Kadriut mund të krahasohet me iluministët e Rilindjes Kombëtare shqiptare. “Ismail Kadriu ishte sakrifikues i madh i shkollës shqipe, angazhohej me tërë qenien për arsim cilësor dhe më të drejt e quanin edhe dirigjent të shkollës shqipe”.
Edhe Mehmet Halimi tha se e ka njohur nga afër Ismail Kadriun, dhe se nga takimet me të i kanë mbetur momentet më të paharruara. “Ismail Kadriu ka lënë gjurmë të pashlyera në fushën e arsimit në Anamoravë dhe si i tillë ishte personalitet i nderuar dhe me autoritet, mësues i zellshëm, andaj edhe vepra e tij nuk vdes kurrë” tha Halimi.
Anton Nikë Berisha gjithashtu studiues tha se Ismail Kadriu me punën e tij dhe sakrificën e madhe ka dëshmuar se është njeriu i vlerave arsimore. “Ai ishte njëri nga ata sepse punën e bëri të pavdekshme dhe gjurmët i la të pashlyera për historinë tonë më të re” tha Berisha.
Kurse Bajram Kadriu, vëllai i Ismailit, ka evokuar kujtime tejet interesante, duke filluar nga peripecitë e shumta që ka pasur Ismail Kadriu. “Ishte njeri me virtyte të pastra kombëtare. Kurrë nuk është gjunjëzuar e as frikësuar pavarësisht sfidave e telasheve që i sillte pushteti i atëhershëm. Shovinistët serb i kanë kurdisur qaste e raste nga më të ndryshmet vetëm që ta kompremitojnë punën e tij, por këtë nuk e arritën sepse Ismaili kishte edukatë, ishte pedagog dhe kishte ngritje profesionale” ka shtuar Kadriu.
Kurse autori i librit Ibrahim Kadriu tha se Ismail Kadriu nuk ka vdekur, ai është këtu i gjallë ndër ju. Andaj me tëra këto premisa që i ka pasur Ismail Kadriu, komuna e Gjilanit e ka për obligim që t`ia vendos një emër ndonjë institucioni për këtë kolos. “Nga revolta kur kam dëgjuar gjëra të pakëndshme rreth veprës së Ismail Kadriut, shpesh kam menduar të heq dorë nga Gjilani. Por ju takon juve e neve së bashku që ta nderojmë këtë figurë arsimdashëse, ashtu siç vërtet ka punuar e vepruar ai” tha Kadriu. /2L ONLINE/