Promovohen projektet e shumta të KE-së, ndër to Kinemaja 3D
/2L ONLINE/ – Komisioni Evropian në bashkëpunim me Komunën e Vitisë, në një ceremoni rasti kanë promovuar sot projektet e realizuara në kuadër të Projektit Ndërkufitar dhe të atij për Kulturën në Veprim ku përfituese të saj janë Komuna e Vitisë dhe ajo e Likovës. Konkretisht sot është inauguruar edhe Kinemaja moderne me teknologjinë 3D në qytetin e Vitisë.
Në këtë ceremoni pos përfaqësuesve të Institucioneve Lokale dhe të atyre qendrore ka marrë pjesë edhe z.Christof Stock, Shef i Zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian. Po ashtu gjatë ditës së sotme janë shënuar edhe shumë aktivitete të tjera në kuadër të këtij projekti. Implementimi i projekteve të tilla është bërë nga Komuna e Vitisë në bashkëpunim me OJQ-Elita Viti.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti në hapjen e kësaj ceremonie pos që shprehu falënderimet për Komisionin Evropian ndër tjerash foli edhe për rëndësinë e projekteve të realizuara nga ky komision. “Pa dyshim se për ta shënuar këtë të arritur, duhet falënderuar Zyrën e Komisionit Evropian në Kosovë përmes z. Stock që sot është i pranishëm këtu. Për këtë investim në Vitinë tonë tanimë të dëshmuar si bashkëpunëtore e mirë dhe korrekte“, u shpreh Kryetari Haliti.
Ai ndër tjerash theksoi se Projekti Ndërkufitar i ka ndihmuar të dy komunave.
“Projekti Cross Border, padyshim se Komunës së Vitisë dhe të Likovës, përveç këtij panairi të Kulturës dhe sportit dhe aparaturës më të sofistikuar të Kinemasë që kemi kënaqësinë ti shohim dhe shijojmë sot, i ka ndihmuar edhe në aspekte të tjera si : Grande për organizatat dhe klubet, trajnime, rregullimit të ndriçimit të teatrit, realizimit të dokumentarit për komunën tonë, por mbi të gjitha përmes aktivitete të saja kulturo-sportive na ka miqësuar duke na vënë në bashkëpunim të mirë me Komunën ndërkufitare, pra Komunën e Likovës nga shteti fqinjë i Maqedonisë. Ky bashkëpunim që ka filluar përmes këtij projekti dhe do të vazhdojë edhe pas këtij tij” theksoi kryetari Haliti.
Ndërsa Christof Stock, Shef i Zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian tha se është kënaqësi e veçantë të qëndroi në komunën e Vitisë.
“Është kënaqësi e veçantë të kthehem në qytetin e Vitisë për një projekt ndërkufitar. Projekti ndërkufitar është një koncept shumë i rëndësishëm sepse synon afrimin e komuniteteve në dy anët e kufirit si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni. Njëkohësisht ky projekt i ofron njerëzit e komuniteteve nëpërmjet një aspekti shumë të rëndësishëm, pra të Kulturës ” tha Stock.
Ai tha se përmes këtij projekti lidhën profesionistet por edhe qytetarët e të dyja komunave. Stock ka folur edhe për projektet e tjera të realizuar nga Komisioni Evropian dhe për ato që pritën të realizohen. Po ashtu gjatë kësaj ceremonie ka folur edhe Besim Kamberaj, Drejtori i Zyrës për Bashkëpunim Rajonal në MAPL si dhe Sadulla Duraku, Kryetar i Komunës së Likovës.
Po ashtu edhe përfituesit e nëngrandeve të këtij projekti kanë marrë edhe certifikatat e tyre. Pas ceremonisë është bërë hapja zyrtare e Kinemasë së qytetit me teknologjinë 3 D ku pritet të shfaqët sonte edhe një dokumentar i realizuar falë ndihmës së Komisionit Evropian, gjithashtu janë promovuar aktivitetet të tjera në kuadër të këtij projekti. /2L ONLINE/



