Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar të dyshuarin N.L., në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale ‘’Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale ‘’Kanosje’’ nga neni 185 paragrafi 1 të KPRK-së.
Dyshohet që, më 25 dhjetor 2018, në fshatin Velekincë, komuna Gjilan, i dyshuari N.L., me veprimet e tij në vazhdimësi ka shkaktuar dhunë në familje, në atë mënyrë që bashkëshorten e tij, të dëmtuarën V.A., në prezencë të fëmijëve e ka kanosur me fjalë, pasi që dyshonte se e njëjta po e tradhtonte, me ç’rast te ajo ka shkaktuar frikësim dhe ankth.
Gjithashtu, i dyshuari në mënyrë të paautorizuar dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, ka mbajtë në pronësi një armë zjarri, e cila edhe i është konfiksuar nga ana e zyrtarëve policor, pas incidentit me bashkëshorten e tij.
Prokuroria, sot ndaj të dyshuarit, ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në Gjykatën kompetente në Gjilan.