Prokuroria e Gjilanit: Kërkohet caktimi i paraburgimit ndaj dy të dyshuarve
Kërkohet caktimi i paraburgimit ndaj dy personave të dyshuar për veprat penale Organizimi, drejtimi apo financimi i trafikimit të narkotikëve apo substancave psikotrope nga neni 273 par. 1 lidhur me par.2 të KPRK-së dhe Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 par.2 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe sekuestrohen 10 pako me sasi të dyshuar të substancës narkotike të llojit “Marihuanë”, në peshë prej 53.2 kg.
Gjilan, 17 Tetor 2026 – Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjilan, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të pandehurve B.A dhe S.H, për kryerjen e veprave penale Organizimi, drejtimi apo financimi i trafikimit të narkotikëve apo substancave psikotrope nga neni 273 par. 1 lidhur me par.2 të KPRK-së dhe Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 par.2 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Sipas dyshimeve të bazuara që rezultojnë nga hetimet e zhvilluara, gjatë muajit shtator 2026 e deri me datë 16 tetor 2026 në Gjilan dhe në lokacione të ndryshme, i pandehuri S.H me të pandehurin B.A duke vepruar në bashkëpunim, me aktivitet të shtrirë në territorin e Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejte të dobisë financiare, pa autorizim kanë organizuar, drejtuar, blerë, shitur, shpërndarë dhe transportuar substancë narkotike të llojit “Marihuanë”.
Ashtu që, me datë 16 tetor 2026, gjatë zbatimit të kontrollit nga Policia e Kosovës-DSQHN në Prishtinë, në fshatin Velekincë, Komuna e Gjilanit, në pronën e të pandehurit B.A, në veturën e tij, gjenden dhe sekuestrohen 10 pako me sasi të dyshuar të substancës narkotike të llojit “Marihuanë”, në peshë prej 53.2 kg, që si të tilla janë shpallur si substanca të rrezikshme sipas Ligjit mbi barnat dhe substancat psikotrope dhe precursor. /2LONLINE/
