Projekti vetëdijesues “Nga errësira në dritë” kundër përdorimit të narkotikëve
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, Drejtoria e Policisë në Bashkësi dhe Parandalim, në bashkëpunim me drejtorinë, stafin arsimor dhe nxënësit e Shkollës së Mesme të Arteve Pamore “Adem Kastrati” në Gjilan, kanë realizuar projektin “Nga errësira në dritë”, kundër përdorimit të narkotikëve.
Krejt kjo me qëllim të ngritjes së vetëdijesimit tek të rinjtë lidhur me dukuritë negative në shoqëri, në veçanti përdorimin e substancave narkotike, si dhe promovimin e mendimit kritik dhe zgjedhjeve të shëndetshme përmes artit.
Me këtë rast Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Kolonel Agron Rukiqi, Drejtori i Policisë në Bashkësi dhe Parandalim, Major Ramadan Ahmeti, si dhe drejtori i Shkollës së Mesme të Arteve Pamore “Adem Kastrati” në Gjilan, z. Roland Masurica, mbajtën fjalë rasti para të pranishmëve, ku theksuan rëndësinë e parandalimit të përdorimit të substancave narkotike, veçanërisht tek të rinjtë, duke folur për rreziqet dhe pasojat që këto substanca sjellin për shëndetin dhe shoqërinë.
Nxënësit e kësaj shkolle, përmes punimeve të tyre artistike, kanë paraqitur në mënyrë kreative pasojat dhe rreziqet që sjell përdorimi i drogave, duke përcjellë mesazhe të qarta për rëndësinë e parandalimit të kësaj dukurie negative në shoqëri. Me këtë rast, tri nga punimet artistike të ekspozuara, të cilat u vlerësuan si më të mirat, u shpërblyen me mirënjohje dhe dhurata simbolike nga Policia e Kosovës.
Në përmbyllje të aktivitetit, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe institucioneve arsimore në parandalimin e dukurive negative që ndikojnë tek të rinjtë. Po ashtu, u vlerësua lart angazhimi, kreativiteti dhe mesazhet domethënëse të nxënësve, të cilët përmes artit të tyre kontribuuan në sensibilizimin e opinionit kundër përdorimit të substancave narkotike. /2LONLINE/
