DYLON

Projekti MEDIATOR në ditën e dytë u përqendrua në menaxhim e planifikim dhe strukturim të aktiviteteve ndërkombëtare

Projekti MEDIATOR në ditën e dytë u përqendrua në menaxhim e planifikim dhe strukturim të aktiviteteve ndërkombëtare
Avatar photo Redaksia

Takimi i dytë i projektit ndërkombëtar MEDIATOR, i cili po mbahet në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, vazhdoi sot me sesione të detajuara mbi çështjet menaxheriale dhe operative të projektit, duke vendosur bazat e forta për implementimin e suksesshëm gjatë tre viteve të ardhshme.

Projekti që është pjesë e programit Erasmus+ CBHE dhe ku Universiteti Publik “Kadri Zeka” është koordinator, synon modernizimin e arsimit të lartë përmes integrimit të ndërmjetësimit si praktikë profesionale dhe akademike në institucionet e Ballkanit Perëndimor.

EkoHigjiena

Në ditën e dytë morën pjesë përfaqësues nga të gjitha vendet partnere: Kosova, Shqipëria, Holanda, Letonia dhe Italia. Përfaqësuesit u angazhuan në diskutime intensive për krijimin e strukturave që do të garantojnë koordinim efikas, implementim transparent dhe rezultate të matshme gjatë gjithë periudhës së projektit.

Seanca e parë e ditës së dytë u përqendrua në sqarimin e rolit të secilit institucion partner në kuadër të paketave të punës dhe në finalizimin e marrëveshjeve të partneritetit të cilat janë nënshkruar nga rektori i UKZ-së Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku dhe përfaqësuesit e të gjitha institucioneve që janë pjesë e projektit , të cilat përcaktojnë përgjegjësitë, afatet dhe strukturën e komunikimit ndërinstitucional.

Në ndërkohë gjatë punimeve ne sesione, Koordinatori i projektit nga UKZ, Prof. Dr. Dukagjin Leka, njëherësh Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, prezantoi kornizën organizative dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis partnerëve për t’u siguruar që aktivitetet të zhvillohen sipas standardeve të Erasmus+ dhe objektivave të projektit. Ai rikujtoi se çdo institucion ka një rol kyç në krijimin e një ekosistemi të qëndrueshëm të ndërmjetësimit në rajon.

Një pjesë e rëndësishme e ditës iu kushtua menaxhimit financiar, ku u diskutuan format e raportimit, përgatitja e dokumentacionit të nevojshëm dhe detyrimet e secilit institucion në lidhje me përdorimin e fondeve të projektit.

Ekspertët financiarë prezantuan mënyrën e përdorimit të platformës SIGMA, e cila shërben për raportimin online të aktiviteteve Erasmus+. Partnerët patën mundësinë të sqarojnë pyetjet teknike dhe të harmonizojnë mënyrën e përgatitjes së raporteve të udhëtimeve, fletë-orëve, shpenzimeve dhe dosjeve mbështetëse.

Gjatë sesionit të dytë u trajtuan çështjet logjistike dhe procedurat e detajuara për planifikimin e vizitave studimore dhe takimeve ndërkombëtare që projekti do të realizojë nga viti 2026 deri në 2028. U prezantuan format e standardizuara për kërkesat e udhëtimit dhe planifikimet paraprake, dokumentacionet e fletë-orëve, raportet e aktiviteteve pas përfundimit të çdo udhëtimi, dhe procedurat për menaxhimin e mobiliteteve të stafit dhe studentëve.

Partnerët u pajtuan në përdorimin e një qasjeje të unifikuar, në mënyrë që proceset të jenë të qarta, transparente dhe lehtësisht të monitorueshme nga koordinatori.

Një tjetër temë qendrore ishte themelimi i Komitetit Drejtues dhe Komitetit të Sigurimit të Cilësisë, dy struktura kyçe të cilat do të monitorojnë ecjen e projektit, progresin e paketave të punës dhe arritjen e rezultateve të planifikuara.

Partnerët diskutuan rolin e secilit komitet, mënyrën e mbledhjeve periodike dhe kanalizimin e raporteve. U dakordua që komunikimi do të realizohet përmes platformave të përbashkëta në Google Drive, ku do të ruhen dokumentet zyrtare, raportet dhe materialet e komunikimit.

Në sesionin final të ditës, fokusi u drejtua te marketingu, diseminimi dhe komunikimi, me rëndësi të veçantë për krijimin e identitetit zyrtar të projektit MEDIATOR.

U diskutua dizajnimi i logos, udhëzuesit të brendshëm të vizualitetit dhe materialeve promocionale, krijimi i faqes zyrtare të projektit, hapja dhe menaxhimi i kanaleve në rrjete sociale, strategjia e komunikimit me institucionet publike, mediat dhe komunitetin akademik.

Partnerët u dakorduan që secili institucion të kontribuojë me përmbajtje të rregullt mediatike për të rritur dukshmërinë e projektit në nivel rajonal dhe evropian.

Projekti pritet të ketë ndikim afatgjatë në modernizimin e programeve akademike, forcimin e qendrave të ndërmjetësimit, dhe zhvillimin e kompetencave profesionale të studentëve dhe stafit në Kosovë, Shqipëri dhe partnerët e BE-së. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.