DYLON

Programi Master “Juridik Penal” në UKZ akreditohet për periudhën trevjeçare

Programi Master “Juridik Penal” në UKZ akreditohet për periudhën trevjeçare
Avatar photo Redaksia

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka pranuar vlerësim pozitiv në procesin e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë. Në mbledhjen e 150-të të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), të mbajtur më 8 qershor 2026, janë shqyrtuar raportet e ekipeve të ekspertëve për programet e studimit të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë. Pas shqyrtimit të raportit përkatës, KShC ka marrë vendim pozitiv për programin e studimit “Juridik Penal (LLM)” të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.

Sipas vendimit të KShC-së, programi “Juridik Penal (LLM)” është akredituar në nivelin master (LLM), me 60 ECTS, kuotë prej 25 studentësh dhe afat akreditimi prej tre (3) vjetësh.

EkoHigjiena

Ky vendim dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të Fakultetit Juridik dhe të Universitetit Publik “Kadri Zeka” për zhvillimin e programeve studimore cilësore, në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të arsimit të lartë.

Me këtë rast, dekania e Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Fatmire Krasniqi, theksoi se akreditimi i programit “Juridik Penal” është një vlerësim të rëndësishëm për punën dhe angazhimin e stafit akademik të Fakultetit Juridik, si dhe të të gjithë atyre që kanë kontribuar në këtë proces.

“Ky sukses konfirmon përkushtimin tonë për të ofruar studime cilësore dhe për të përgatitur juristë të aftë, të cilët do të kontribuojnë në forcimin e sistemit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit në vend. Njëkohësisht, shpreh mirënjohjen time për të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre në realizimin me sukses të këtij procesi të rëndësishëm”, u shpreh dekania Krasniqi.

Fakulteti Juridik mbetet i përkushtuar në avancimin e cilësisë akademike, zhvillimin e programeve bashkëkohore të studimit dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe komunitetin juridik.