Saranda BLLACA AHMETI
/2L ONLINE/ – Programi “International Visitor Leadership Program”, i organizuar nga Departamenti i Shtetit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për Republikën e Kosovës, në kohëzgjatje prej tri (3) javësh (11 Maj – 29 Maj, 2015), ishte një program jashtëzakonisht i mirë, i cili të mundëson të njohësh dhe të përjetosh kulturën amerikane. Unë jam me fat bashkë me dy pjesëmarrëset e tjera, Anita Ahmeti dhe Lumnije Ajdini, që kemi pasur rastin të ndjekim këtë program.
Gjatë këtyre tri javëve, ne kemi vizituar 5 shtete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fillimisht, kemi qëndruar në Washington DC për katër ditë, ku gjatë këtyre ditëve, kemi pasur takim në Departamentin e Shtetit me këshilltarë të lartë politik, zyrtarë për marrëdhënie ndërkombëtare, ku me folësit kemi diskutuar për punën dhe iniciativat e Departamentit të Shtetit Amerikan, kryesisht për avancimin e grave në sektorin ekonomik. Pastaj jemi takuar edhe me Zyrën për Çështje të Gruas, vizioni i së cilës ishte që t’ju ndihmoj grave në avancimin e tye, dhe kemi takuar shumë e shumë organizata të grave, të cilat punojnë dhe avokojnë në përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri. Jemi takuar edhe me CIPE (Center for International Private Enterprise), e cila kishte bërë programe specifike për Ballkan por edhe për Kosovë, për fuqizimin e grave. Pastaj kemi pasur takim edhe në Administratën e Bizneseve të vogla, si dhe me koordinatoren e lartë për barazinë gjinore dhe fuqizimin e gruas, në USAID.
Pas Washingtonit, programin e kemi vazhduar në shtetin New Mexico, në dy qytete: Santa Fe dhe Albaquerque. Gjithashtu, kemi pasur vizita dhe takime të shumta me organizata jo fitimprurëse, të cilat punojnë në përmirësimin e pozitës së gruas, e sidomos në sektorin ekonomik – barazinë e pagave (meshkujt dhe femrat). Kemi vizituar edhe organizatën e grave që ka programe të mentorimit për vajzat adoleshente hispanike 11-17 vjeç, për të ngritur vetëdijesimin për shkollimin e tyre. Pastaj kemi vizituar edhe strehimoren e grave në Albuquerque, në të cilën janë të strehuara gratë të cilat janë keqtrajtuar e abozuar në forma të ndryshme. Aty gjithashtu kemi ndihmuar edhe në përgatitje të ushqimit për gratë të cilat ndodheshin në këtë qendër bashkë me fëmijët e tyre.
Pas shtetit New Mexico, kemi vazhduar në shtetin Alabama, duke vazhduar më pas me takime. Fillimisht jemi takuar me Komisionin Shtetëror të Gruas, i cili Komision punon në këshilldhënie gjatë formimit të ligjeve për çështje të gruas. Gjithashtu, ky Komision ka ndihmuar edhe gratë e varfra duke iu ndërtuar shtëpitë, por punon shumë edhe me gratë të cilat bien në depresion pas lindjes. Kemi vizituar organizata të cilat punojnë me gratë për t’i edukuar në aspektin financiar, pastaj kemi pasur takim edhe në Universitetin e Alabamës në Birmingham, dhe në fund takim me zonjën Lilly Ledbetter, zonjë kjo, e cila njihej në të gjitha Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për guximin e saj. Kjo grua kishte luftuar plot 10 vite, nëpër Gjykata, për të kërkuar të drejtën e saj, sepse për 19 vite, ishte paguar më pak se kolegët e saj meshkuj, edhe pse e bënin të njëjtën punë në kompani. Edhe pas vendimit final të Gjykatës Supreme (e cila morri vendim në favor të palës së kundërt – kompanisë), kjo nuk ishte dorëzuar, dhe në vitin 2009, Presidenti Obama nënshkroi Ligjin për Paga të Barabarta të meshkujve dhe femrave, me një ndryshim: Në momentin që femra e kupton se paguhet më pak se kolegu i saj mashkull (nëse e kanë të njëjtën punë), atëherë afati për ankesë të jetë 180 ditë. Ne patëm rastin të njohim për së afërmi këtë zonjë, e cila edhe përkundër moshës 77 vjec, ajo pa asnjë hezitim na sqaroi gjithë këtë histori.
Më pas, vizitën e vazhduam në shtetin e Vermontit. Atje patëm rastin të ndjekim edhe paradën e organizuar në qytetin Burlington, për nderë të Ditës se Dëshmorëve (Memorial Day). Atje vazhduam takimet me Komisionin shtetëror të Gruas, me organizata të grave, të cilat mirren me trajnime të grave, për përmirësimin e pozitës së gruas, duke organizuar edhe programe të ndryshme për gratë të cilat dalin nga burgu, për t’ju kthyer jetës normale. Trajnime edhe për marketing, financa dhe biznes.
Vlen të theksohet se në tri shtetet e lartë përmenduar (New Mexico, Alabama dhe Vermont), kemi qenë të ftuara edhe në familje amerikane për darkë, ku jemi ndarë jashtëzakonisht të kënaqura dhe të mahnitura nga mirëpritja e tyre.
Dhe në fund, nga Vermonti, kemi vazhduar në shtetin New York. Edhe atje, kemi pasur takim me UN Women, organizatë kjo e cila kryesisht punon për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave. Pastaj me organizatën e grave “Catalyst”, si dhe me Odën Ekonomike në Manhattan.
Për mua personalisht, gjithçka ka qenë e organizuar shumë mirë dhe një përvojë tepër e vyeshme. Nga takimet që kemi pasur, unë kam mbledhur shumë informata, metodologji dhe çështje me të cilat merren këto organizata, kontaktet e tyre për të bashkëpunuar dhe për të iniciuar çështje të tilla edhe në Kosovë.
/autorja ishte pjesëmarrëse në programin IVLP në SHBA/