Prend BUZHALA
(Në njëzetvjetorin e shkuarjes në amshim)
/2L ONLINE/ – Meqenëse manifestimi kulturor e letrar “Flaka e janarit 2016”, me anë të orës letrare, i kushtohet njëzetvjetorit të shkuarjes në amshim të Beqir Musliut (11 qershor 1945 – 24 qershor 1996), atëherë domosdo që duhet t’i kemi parasysh të gjitha elementet dhe veçoritë që e krijojnë fizionominë e tij si shkrimtar, prozator, poet, dramaturg, kulturolog, publicist, intelektual, kritik letrar, përgjithësisht si njeri i letrave.
1. Profili enciklopedik i shkrimit
Dhe nëse lexuesi ka durimin t’i lexojë ngeshëm e me durim shkrimet e tij, do të ketë vërejtur që tërësia tekstore e tyre karakterizohet si një enciklopedi shpirtërore unike, ashtu sikundër nënvizohet sot me nocionin e epërm të vlerave hegeliane gjithëkohore. Dhe personalitetet e tilla në letrat shqipe i kemi të rrallë. Sado që vdiq herët, kur mund ta shtrinte pakufishëm këtë hartë enciklopedike krijuese, fryma e tillë e profilit enciklopedik shpirtëror, letrar e kulturor, na vjen edhe pas njëzet vjetësh, me interesime e përkushtime kaq të shumta…
Përse të njohjes?
Për shkak se gjeneratave të reja, kur lexuesit do të ndeshen me tekstet e tij, do t’iu duhet jo vetëm ta studiojnë me profesionalizëm e me invencion nga fusha të ndryshme të njohjes; por ata do të vërejnë se të gjitha këto fusha tekstesh të ndryshme, janë të shkrira në një unitet harmonik të habitshëm, kurse, së andejmi nga bërthama e këtij universi autorial, do të na ligjërojë amshueshëm gjithnjë një zë për fenomene letrare e kulturore, shoqërore e politike, teatrore e filmike, nacionale e universale, metafizike e filozofike-artistike, alkimie a të fushave të magjisë, të mitologjisë a të simbologjisë, të misterit të shprehjes gjuhësore a të hermetizmit të letrave.
Hermetizmit?
Një palë lexuesish nëpër ato dekada e quajtën krijuesin e ri: “hermetik”, “i paqartë”, “abstrakt”, “i palexueshëm” etj. etj. Beqir Musliu ishte njëri ndër HERMES-ët e letrave shqipe. Hermesi mitologjik ishte kasnec i perëndive, udhërrëfyes i të vdekurve në botën nëntokësore, mbrojtës i të shkathëtëve, i shtegtuesve, oratorëve etj. Ishte perëndi e magjisë. Kësaj rruge të vështirë të Hermesit artistik të magjisë letrare, ishte nisur ndërgjegjshëm edhe Beqir Musliu, si një Mbrojtës i Artit Modern Shqiptar. I paqartë? Po, sepse thellësitë janë të errëta e duhet ta gjesh shtegun kryesor të depërtosh së andejmi, në Lojën e pafund të Abstraksioneve Letrare. Na fton të lexojmë e të vrojtojmë se çka ngjet “pas perdes” së realitetit, pas të padallueshmes, të të pathënës, të të padëgjuarës. Te njajo bashkëjetesa e mëkatit me krimin, e të djeshmes me të sotmen, e imazheve me mitet, e paradigmave kozmike me parabolat historike, e koreve fantazmagorike me koret antike, e profecive biblike e të librave të shenjtë me vegime e sugjestione bashkëkohëse. Lirikë, epikë e dramatikë bëhen Një.
E pra, së andejmi gjenden “qendrat e fshehta” artistike post-hegeliane të vetëndërgjegjes apo të artit të Musliut. Është Koha e Pjekurisë sonë, mbasi i zbulojmë trishtimet te vetvetja. Nis Aventura e Re e Imagjinatës. Mandej përsëri krijuesi e lëshon Perden e tij të Artit mbi skenën e hapur të jetës. Ai shkon në Amshim, për të na ligjëruar, së andejmi, nëpër kohë. Kritika e kohës u përpoq të depërtonte në të fshehtat e artit të tij. Kështu ai vlerësohet: “ngjyrat e fjalës së kësaj poezie janë të veçueme, madje edhe bukur të ndërlikueme…poezi e hermetizueme, irracionale” (Hasan Mekuli), “poezi meditimesh” (Ali D. Jasiqi), “Poezi mjaft të pjekuna e me vullnetin e fortë të autorit për të qëndrue në rrugën e vështirë të hulumtimeve e gjurmimeve të shprehjeve e formave të reja poetike” (Masar Sravileci), poezi që gjen “një aspekt e ecuri mjaft origjinale jo vetëm për kah forma e kompozimit …lirikë e të përjetuarit refleksiv dhe intim e shkrirë në mitin dhe të vërtetën” (Ali Aliu), “fjala poetike në të cilën është aq i dashuruar ai, nuk ka ndonjë qëllim tjetër më të madh pos se të jetë bukuri,që, në vjershat e tij, është ngritur në nivelin e një kategorie metafizike” (Rexhep Qosja), “Beqir Musliu gjurmon lartësitë” (Teki Dërvishi), “konceptualiteti poetik dhe mënyra e ligjërimit konceptual është prije që e përcjell këngëtimin e Beqir Musliut” (Ramadan Musliu), “Beqir Musliu, në saje të imagjinatës së bujshme, krijoi metaforën komplekse dhe të dendur” (Hysni Hoxha),“Poezi me një regjistër vrojtimesh të ndërlikuara…një opus poetik” (Ibrahim Rugova), “Imagjinimet e tij shkojnë në thellësitë e kohës së kujtesës dhe në paskajësitë e hapësirës” (Sabri Hamiti) etj etj. Horizonti receptiv i pritjes së lexuesit të kohës do të përmbyset që me formulë-figurat e habitshme që dalin në titujt e veprave poetike : Rima të Shqetsueme (1965), Lulëkuqet e Gjakut (1966), Bukuria e Zezë (1968), Sezamet (1972), (Parabola (1976), Darka e Magjisë (1978), apo në prozat romanore: Vegullia (1979), Mbledhësit e Purpurit (1982), apo në tetralogjitë dramaturgjike: Shtrigani i Gjel Hanit (1989), Rrakullima (1989). Po kjo frymë trajtëformulimesh a formëformulësimesh letrare, ruhet edhe në titujt e veprave të botuara mbas vdekjes së autorit: në Kori i Gjelave të Vdekur (tregime, 2002), në Amullia, Makthi, Krupa, Skërluta e Ndeshtrasha (romane, 2004) dhe në Skënderbeu, Orfeiana (poezi, 2004). Te i gjithë ky opus krijues nga modernistë e postmodernistë, nga lexues tradicionalë e lexues të mësuar nga rrymat bashkëkohore të lexim-interpretimit, do të gjejnë me bollëk atë që duan ta kërkojnë… Por, mos të harrojmë, Beqir Musliu, në radhë të parë, është shkrimtar. Madje, shkrimtar i papërëristshëm i një konteksti të poetikës historiko-letrare, sikundër ishin Anton Pashku, Ali Podrimja, Teki Dervishi etj.
2. Letërsia, alkimia e fjalës
Opusi poetik i Beqir Musliut përbën një endëzim të pandërprerë referencash e autoreferencash: kjo rrjetë asociacionesh, figurash, temë-këndimesh, vazhdon të endet edhe mbas vdekjes së tij, mbasi zunë të botohen veprat e pabotuara. Që në shekullin XVIII Johann Georg Hamann,filozof gjerman, duke i hulumtuar ndërlidhjet në mes përbërësve poetikë, theksonte se “poezia është gjuha amtare e sojit njerëzor”. Më vonë, poezinë e tij Rembo e konsideronte “alkimi të fjalës”, kurse Jan Parandovski, stilist dhe teoricien polak i letërsisë, shkroi një libër të tërë me këtë titull. Malarme e kishte ngritur lirikën e tij në shkallë të afrimit me magjinë dhe alkiminë. Në poezinë shqipe përvojat e tilla simbolike e simboliste, i kishin gdhendur Asdreni, Lasgushi, Ndre Mjeda, Ernest Koliqi, Martin Camaj etj. Të tillë pararendës kishte edhe Beqir Musliu. Ai e nis aventurën e tij poetike, të lojës me fjalën, që me përmbledhjen “Rima të shqetësueme” (1965), në përleshje me kozmosin e fjalës, sepse fjala është botëkrijim mitik, është ai bashkëpunëtori biblik i Hyjit në krijimin e botës, është këngë, magji dhe alkimi. Ndërkaq, librat tjerë poetikë, nga Bukuria e Zezë (1968) e deri te Orfeiana (2004), përbëjnë një krijimtari të tërë unike, që nga klasiciteti i vargut e i botës së ideve e deri te polipoezia (term i Enzo Minarelli-it), që nga performancat ligjërimore lirike e deri te viviseksionet e eksperimentet e ndryshme artistike; brenda një tërësie lexohen përvojat e poetikave spirituale dhe të atyre metafizike, lexohen transfigurimet dhe teknikat e nduarnduarta poetike, antropoetikë dhe antipoezi, autopoetikë dhe biosemiotikë letrare, ideografi të apokalipsit biblik dhe burleskë kritike, histori dhe poezi, mit dhe art, poetikë të relacioneve të pakufishme dhe lojë të pafund të abstraksioneve letrare…
Sado që poezia zë kryet e vendit, në prozat romanore: Vegullia (1979), Mbledhësit e Purpurit (1982), e ato të botuara mbas vdekjes së autorit: në Kori i Gjelave të Vdekur (tregime, 2002), në Amullia, Makthi, Krupa, Skërluta e Ndeshtrasha (romane, 2004); apo në tetralogjitë dramaturgjike: Shtrigani i Gjel Hanit (1989), Rrakullima (1989), Beqir Muzliu shfaq dhe shqipton të njëjtën ndërthurje e nervaturë stilistike të botës së veçantë artistike. Është ajo udha e shenjtë krijuese, ai Rendi i Shenjtë Purpuror, si shprehet me ndërthurjen e tij sistemore metaforike e simbolike vetë krijuesi për pelegrinazhin e tij letrar. “Çdo germë që e kam shkruar, e kam shkruar me gjakun tim”, thotë Musliu poet-prozator-e-dramaturg njëkohësisht. Poezi në një formë tjetër, në formë të prozës a tetralogjive dramaturgjike. Ai, këtë univers të tij artistik, e quan Kopsht Planetar, në të cilin lexuesi hyn e shtegton si nëpër yjësi të mahnitshme dhe krejtësisht të panjohura.
3. Shkrimi diskursiv
Shkrimi diskurziv i Beqir Musliut, i shkruar e i botuar përreth tri dekada me radhë, nuk ishte i botuar në vëllime të veçanta as pas vdekjes së autorit, ndonëse ai do të përbëhej prej disa vëllimesh. Ky shkrim kap fushën letrare, atë teatrore, kulturore-kulturologjike dhe atë të komentimit të situatave shoqërore e politike, sidomos në gjysmën e parë të dekadës së fundit të shekullit që e lamë pas, kurse zhanret e këtij shkrimi dalin në trajtën e esesë, kritikës letrare e teatrore, analizës, komentit dhe polemikës. Gazetar, redaktor shumëvjeçar në revistat “Zëri” dhe “Fjala”, Beqir Musliu që nga fundvitet ’60 e ka përcjellë botimin e librit shqip në Kosovë e në qendrat tjera kulturore. Ai ka shkruar për veprat letrare të Josip Relës, Eqrem Bashës, Ibrahim Kadriut, Teki Dervishit, Esad Mekulit, Fahredin Gungës, Mirko Gashit, Ali Podrimjes, Anton Pashkut, Rexhep Qosjes, Azem Shkrelit, Qerim Ujkanit, Nazmi Rrahmanit, Ramiz Kelmendit, Sabri Hamitit, Musa Ramadanit etj tek revista “Zëri i rinisë”. Në qasjet e tij kritike, ai përfshin një sërë konvencash interpretuese.
Beqir Musliu ka bërë analiza e shkrime kritike të thukta teatrore për veprat dramatike e shfaqjet “Besa” të Sami Frashërit, “Kaligula” të Kamysë, “Hamleti” të Shekspirit”, Udhëtimi i gjatë në natë” të Juxhin O’Nilit, “Kvej Lan” të Perl Bakut, “”Dama pa kamelie” të Çehovit, “Revizori” të Gogolit, e të dhjetra autorëve të tjerë, të luajtura në skenat tona, të botuara tek “Zëri i rinis’” dhe tek “Fjala”. Nga fusha e teatrologjisë, hyjnë edhe analizat e shkrimet për teatrin poetik, ato për teatrot e Prishtinës, Shkupit dhe për teatrot amatore, për teatrin e komunikimin teatror.
Një sërë shkrimesh serioze ai nisi t’i botojë në fillimvitet ’90, kur Kosova po kalonte çaste t[ë vështira ekzistence e mbijetese. Përtej kësaj ekzistence e mbijetese, intelektualët shquanin unin e tyre veorues dhe intelektin e tyre krijues. Ndër shkrimet e kësaj kohe, nga pena e Beqir Musliut ndër të cilët do veçuar “Kosova, monedhë për kusuritje”, “Për një gjeografi shpirtërore gjithëshqiptare”, ”E kujt (s)është Kosova”, “problemi shqiptar dhe partitë politike” etj, në të cilët ai hap çështje që kishin qenë të ndrydhura më parë dhe këtë haje ai e zbërthen me guximin intelektual kundruall një pushteti të përgjakshëm që po zbatohej në Kosovë e të ngritur në dhunë sistematike. Kurse Musliu shquan vizionin e tij largpamës për njësinë e përbashkët shpirtërore gjithëshqiptare.
Nuk është e lehtë të përfshihen të gjithë përbërësit, të cilët, në mënyrë intelektuale, të pazakontë, krejtësisht të veçantë e koherente e që e realizojnë fizionominë e tij si shkrimtar, poet, prozator, dramaturg, eseist, kritik letrar dhe kritik teatri, publicist, kulturolog, redaktor, kolumnist… Dhe në të gjitha këto veprimtari, ai ka shkrirë vetveten, sikundër do të shprehej vetë, shkrim-kërkimin e kishte në gjak, e kishte një natyrë të dytë, një gjakim të pashuar… vetë ishte shndërruar në një mbledhës purpuri të përvojave mitike e historike, të metafizikës së imazheve e të pamjeve të shpirtit e të vetëdijes, të përfytyrimeve, botës fantazmagorike, të së sotmes deri në zanafillë dhe të përjetësisë deri te një çast i amshueshëm etj. etj. Dhe nga ky gjakim na shfaqet një shpirt enciklopedik modern: aty ku ai integron dije e intelekt, sistematizim të lëndës kaq të ndërliqshme nga fusha të ndryshme dhe ndërthurje të sistemit letrar. /2L ONLINE/