DYLON

Profesori Bulent Akkaya nga Universiteti “Manisa Celal Bayar” pjesë e mobilitet akademik në UKZ

Profesori Bulent Akkaya nga Universiteti “Manisa Celal Bayar” pjesë e mobilitet akademik në UKZ
Avatar photo Redaksia

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka mirëpritur Prof. Dr. Bulent Akkaya nga Universiteti “Manisa Celal Bayar” në Turqi, i cili po realizon një mobilitet akademik njëjavor në kuadër të programit Erasmus+ KA171.

Në kuadër të vizitës, profesori Akkaya u prit nga Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, së bashku me U.D. Udhëheqësin e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Anëtarësime, z. Betim Berisha. Gjatë takimit u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve, zhvillimin e projekteve të përbashkëta ndërkombëtare dhe organizimin e aktiviteteve të reja akademike në kuadër të programit Erasmus+.

EkoHigjiena

Një nga temat kryesore të diskutimit ishte edhe organizimi i një aktiviteti të veçantë ndërkombëtar në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, me pjesëmarrje të pesë profesorë nga universitete prestigjioze evropiane, përfshirë institucione nga Spanja, Italia, Rumania dhe Turqia. Në kuadër të këtij mobiliteti, profesorët do të mbajnë ligjërata dhe do të ndajnë përvojat e tyre akademike me studentët dhe stafin e universitetit.

Gjatë vizitës së tij, Prof. Dr. Bulent Akkaya zhvilloi gjithashtu një takim me Dekanin e Fakultetit Ekonomik, Prof. Asoc. Dr. Xhevat Sopi, dhe Prodekani, Prof. Ass. Dr. Lulzim Rashiti. Duke qenë ekspert në fushën e ekonomisë, menaxhimit dhe lidershipit, diskutimet u përqendruan në cilësinë e procesit mësimor, zhvillimin e programeve studimore, përgatitjen profesionale të studentëve, si dhe në mundësitë për bashkëpunime të reja në kërkimin shkencor dhe shkëmbimet akademike.

Gjatë qëndrimit të tij në UKZ, Prof. Akkaya do të mbajë ligjërata për studentët, do të monitorojë procesin mësimor dhe do të zhvillojë takime me strukturat akademike dhe menaxhmentin e universitetit, me synim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimin e përvojave dhe promovimin e praktikave më të mira në arsimin e lartë.

Prof. Dr. Bulent Akkaya është një nga akademikët më të shquar të Universitetit “Manisa Celal Bayar” dhe të Turqisë. Ai është renditur tri herë në vendin e parë për performancën akademike ndërmjet rreth 5,000 profesorëve të universitetit të tij, duke u vlerësuar për kontributin e jashtëzakonshëm në kërkimin shkencor, publikimet ndërkombëtare dhe zhvillimin akademik. Reputacioni i tij ndërkombëtar e bën atë një nga profesorët më të vlerësuar në fushën e ekonomisë, menaxhimit dhe lidershipit. /2LONLINE/