Profesorët nga Universiteti Celal Bayar në Turqi po qëndrojnë në vizitë në UKZ në kuadër të programit ICM
Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka mirëpritur profesorët Bugra Ozer dhe Aslihan Ozer Ozel nga Universiteti Celal Bayar në Manisa të Turqisë, të cilët po qëndrojnë për një javë në universitet në kuadër të programit International Credit Mobility (ICM), si staf në mobilitet.
Gjatë vizitës së tyre, profesorët u pritën në takim nga Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, i cili u uroi mirëseardhje dhe theksoi rëndësinë e programeve të mobilitetit ndërkombëtar në avancimin e cilësisë së arsimit të lartë, shkëmbimin e përvojave akademike dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndëruniversitar.
Profesorët nga Turqia u takuan edhe me Dekanin e Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Xhevat Sopi, Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, si dhe u.d. Udhëheqësi i Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Anëtarësime në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, z. Betim Berisha. Gjatë diskutimeve u trajtuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve, zgjerimin e mobilitetit të stafit akademik dhe studentëve, organizimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore, si dhe zhvillimin e projekteve të reja në kuadër të programeve ndërkombëtare.
Në kuadër të qëndrimit të tyre në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, profesorët Bugra Ozer dhe Aslihan Ozer Ozel do të zhvillojnë aktivitete akademike me studentët dhe stafin e Fakultetit Ekonomik dhe Fakultetit të Shkencave Sociale. Këto aktivitete synojnë shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave më të mira në fushat përkatëse, duke krijuar një mjedis të favorshëm për bashkëpunim akademik dhe ndërkombëtarizim.
Profesorët mysafirë shprehën kënaqësinë për mikpritjen e ngrohtë dhe vlerësuan angazhimin e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Ata theksuan se programe të tilla kontribuojnë në krijimin e urave të qëndrueshme të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe hapin mundësi të reja për zhvillimin profesional të stafit dhe studentëve. /2LONLINE/
