DYLON

Problemet nuk zgjidhen përmes rrugës, por në institucione

Avatar photo Redaksia

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha në mbledhjen e Qeverisë se vullneti i qytetarëve i shprehur përmes votës së lirë është dhe do të mbetet instrumenti kryesor për zgjidhjen e problemeve në vend.

Pak ditë para protestës së paralajmëruar nga opozita, Mustafa tha se problemet nuk mund të zgjidhen në rrugë, por në institucionet e Republikës së Kosovës.

EkoHigjiena

Problemet me të cilat përballet Kosova nuk mund të zgjidhen përmes rrugës, por duhet të kërkohet zgjidhja në institucionet e Republikës së Kosovës. Kështu u shpreh kryeministri Isa Mustafa në mbledhjen e Qeverisë, me ç’rast tha se problemet zgjidhjen me vullnetin e qytetarëve, që është treguar në zgjedhjet e fundit.

“Shprehi bindjen time dhe të Qeverisë se problemet aktuale në Kosovë, duhet t’i zgjidhim brenda institucioneve të Kosovës, duhet t’i zgjidhim me vullnetin e qytetarëve. Ky vullnet është treguar në zgjedhjet e fundit. Gjithë institucionet dhe qytetarët e kanë pranuar votën e lirë të qytetarëve si instrument kryesor demokratik”, u shpreh Mustafa.

Edhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi pati të njëjtin qëndrim karshi paralajmërimit të opozitës për protestë.

“Pikërisht në këto ditë kur pritet edhe opinion i Gjykatës Kushtetuese për Gjykatën Speciale të krijohet një situatë e tille tensionuese në Kosovë, është përpjekje për të mos pasur sukses Kosova në këtë proces që e kemi dhënë si garancion edhe në Kuvendin e Kosovës. Duhet ta kuptojnë të gjithë që pushteti fitohet me votë popullore e jo me metoda të revolucioneve proletare”, tha Mustafa.

Përveç tjerash, opozita ka paralajmëruar protestë edhe kundër çmimit të lartë të rrymës, por për këtë, kryeministri Isa Mustafa vlerësoi ndryshimet në TVSH-në për energjinë elektrike, duke u zvogëluar në 8 për qind nga 16 sa ishte, është ndikuar drejtpërdrejt në uljen e çmimit të energjisë për konsumatorët. Mustafa po ashtu vlerësoi lart nënshkrimin e kontratës për Brezovicën.

“Kjo flet se ne ngadal po e fitojmë besimin e investitorëve të jashtëm, për ardhjen e tyre në Kosovë dhe shpresoj se me masat që po i marrim tani, do të arrijmë që të kemie dhe më shumë investitorë”, tha Mustafa.

Por, zëvendëskryeministri Thaçi, duke iu referuar protestës që disa aktivistë të Vetëvendosjes organizuan ditë më parë para bankave, tha se kjo krijon klimë jo të mirë për investitorët e huaj.

“Synimi për të sulmuar dhe cënuar edhe investitorët privatë ndërkombëtarë, është definitivisht sulmi më i rëndë që mund t’u bëhet investitorëve apo klimës së biznesit në Kosovë dhe frika më e madhe për mundësinë e ardhjes së investitorëve ndërkombëtarë në Kosovë”, tha ai.

Ndryshe, kabineti qeveritar aprovoi disa projektligje dhe mori disa vendime të tjera, sikur që është vendimi për lejimin e vazhdimit të afatit të patentë-shoferëve të skaduar, deri në shtator.

http://www.rtklive.com/index.php?id=2&r=27238