Gjilan – (2LONLINE) – Pro Credit Bank i ka dhuruar sot 30 kompjuterë Shkollës së Mesme të Agrobiznesit dhe teknologjisë, “Arbëria”, në Gjilan, mbështetje kjo që është mirëpritur nga drejtues të shkollës.
Bekim Musliu, në emër të Pro Credit Bank, ka thënë se nga një numër kërkesa që kanë pasur, në rast kanë vendosur që ta ndihmojnë Shkollën e Mesme të Agrobiznesit dhe teknologjisë, “Arbëria”.
“Ne shpresojmë që këta kompjuterë do t’u hyjnë në punë nxënësve të kësaj shkolle gjatë procesi të mësimit. Gjithashtu, besojmë që kjo nuk do të jetë ndihma e fundit dhe as bashkëpunimi i vetëm që do ta kemi me këtë shkollë”, ka thënë Musliu.
Ndërsa, drejtori i kësaj shkolle, Nehat Salihu, ka vlerësuar lartë këtë ndihmë duke thënë se ajo u vjen në momentet më të duhura.
“Tani, siç e dini, ne këtë vit jemi në objekt të ri të shkollës. Falë ndihmës së donatorëve, janë bërë investime të rëndësishme. Sot, po kompletohet me kompjuterë edhe kabinet i lëndës së Teknologjisë informative. Sigurisht, tash, krahas pjesës teorike, nxënësit e shkollë sonë do të mund të marrin dije edhe në aspektin praktik”, ka thënë Salihu./2lonline/