Skuadra kampione në fuqi e Raiffeisen Superligës, Prishtina nuk ka arritur t’i gëzohet fitores në shtëpi në duel me Dritën, duke barazuar 0:0. Kjo ndeshje u zhvillua, të shtunën, në kryeqytet dhe i takoi javës së 16-të.
Prishtinasit thuajse nuk krijuan asnjë rast të mirë shënimi, derisa gjilanasit ishin shumë më të rrezikshëm. Madje, Drita në minutën e 60-të realizoi gol nëpërmjet Leutrim Pajazitit, por ai u anulua nga gjyqtari anësor me pretekst të pozitës jashtëloje, edhe pse në xhirimin televiziv u dëshmua se ishte një vendim tejet i dyshimtë i gjyqtarit. Pas këtij barazimi Prishtina shkon në kuotën e 24 pikëve, derisa Drita ka një pikë më pak.
Trajneri i gjilanasve, Arbnor Morina u shpreh i lumtur me pikën e fituar. “Edhe para ndeshjes thash që kishim mungesa, por iu kundërvëmë me këta lojtarë që kisha në dispozicion. Këta djem gjatë këtyre tri javëve sa kemi punuar së bashku kanë treguar se duan të luajnë dhe të angazhohen.
Ky barazim është një shtytje e madhe për skuadrën time. Ndoshta kemi mundur t’i shfrytëzojmë më mirë kundërsulmet, por duhet ta pranojmë se kemi mundur të ndëshkohemi edhe nga ndërprerjet. Gjithsesi, ajo që më kënaqi më shumë ishte atmosfera dhe animi korrekt i ‘Plisave’ dhe ‘Intelektualëve’”, ka theksuar Morina.
Në anën tjetër, trajneri i Prishtinës ka pranuar se skuadra e tij e ka një minikrizë. “E patëm më shumë zotërimin e topit, por sërish në fazën e sulmit nuk ishim aq të qartë. Drita e mori një pikë me meritë. Ne u munduam të këndellemi nga humbja e pësuar në mesjavë, por ky ishte maksimumi që arritëm të bëjmë sot. Duket se kemi hyrë në një krizë të vogël”, ka thënë Tovërlani.(RTK)