Prifti ortodoks, SHBA dhe Vetvendosje
Shkruan: Fadil Kajtazi
/2L ONLINE/ – Fushata e Lëvizjes Vetëvendosje kundër pranisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ndonëse në fillim dukej sporadike, mënyra se si po zhvillohet kohët e fundit, si për nga intensiteti dhe masiviteti, duket qartë se është e planifikuar dhe sistematike.
Fraza që përsëritej nga aktivist të thjeshtë të Vetvendosjes në ndeja familjare dhe në të “pame” se “Amerika ka intervenuar (e ka çliruar) në Kosovë për interesat e veta” në shikim të parë dukej naive dhe si relikt i mbetjeve të organizatave majtiste. Mirëpo tani që kjo frazë përsëritët nga niveli i kupolës udhëheqëse të kësaj partie, duket qartë se kjo lëvizje po zhvillon, kultivon dhe po tenton që të imponon me dhunë filozofinë politike izolacoiniste në raport me SHBA-në dhe BE, filozofi kjo, nga e cila shqiptarët kanë vuajtur më së shumti.
Mbeta i shtangur nga elaborimi që njëra nga deputetet e kësaj partie i bëri intervenimit amerikan kundër Serbisë. Gjatë një takimi privat, kjo deputete në lidhje me këtë u shpreh se “Amerika ka intervenuar kundër Serbisë për ta dobësuar influencën ruse në Serbi duke ja marr njëherë Kosovën, pastaj për të ja kthyer gradualisht”. Gjithashtu njëri nga eksponentët e kësaj partie Sami Kurteshi, në një debat televiziv, duke e akuzuar kryeministrin Mustafa si komunist, deklaron pak a shumë të njëjtën gjë: “Amerika është shtet hegjemonist dhe intervenimi në Kosovë është bërë për çështje hegjemonie”. Prononcimet e fundit të Visar Ymerit në lidhje me këtë është vula se kjo parti definitivish kultivon politikën izolacioniste karshi demokracive perëndimore. Shikuar në kontekstin historik, kjo frymë duket shumë primitive nga se përkon më lëvizjen antiperëndimore të Haxhi Qamilit të financuar nga serbët dhe grekët, që në njëfarë forme ngriti në slogan frazën “princi Vid duhet të bëhet synet”.
Si qytetarë i Kosovës ndjehem i shqetësuar për tendencat e Lëvizjes Vetëvendosje që ta imponoi me dhunë filozofinë politike izolacioniste në raport me SHBA dhe BE, pasi që kjo është dëshirë e armiqve të shqiptarëve. Dhe çuditërisht mllefin e prezencës amerikane në Kosovë, në formën pakë më të vrazhdë kam pas rast ta dëgjoi në prill të 2015 nga një prift serb; Në cilësinë e zyrtarit, isha i ftuar në njërën nga komunat fqinje të Gjilanit për të dhënë ndihmesën në konstituimin e Këshillit Komunal të Sigurisë në Bashkësi. Si pjesë e këshillit me urdhëresë administrative janë edhe komunitetet fetare, ku në rastin konkret, komunitetin ortodoks e përfaqësonte një prift serb. Në pjesën e pauzës në bisedë e sipër ai deklaron: “ku prekë Amerika aty bar nuk del” /2L ONLINE/
