DYLON

Prezantohet raporti përmbledhës i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur për gërmimet në komunën e Zubin Potokut

Prezantohet raporti përmbledhës i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur për gërmimet në komunën e Zubin Potokut
Avatar photo Redaksia

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në prezantimin e raportit përmbledhës të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur për gërmimet katër-javore në Komunën e Zubin Potokut.

Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se gërmimet në tri lokacione rezultuan me gjetjen dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore, që vlerësohet se u përkasin së paku 23 personave, të cilët dyshohet të jenë viktima të zhdukjes me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

EkoHigjiena

Edhe pse numri përkon me atë që njihet si “Grupi i intelektualëve”, kryeministri Kurti tha se “procesi i identifikimit në tërësi mund të marrë edhe disa muaj kohë, andaj vetëm atëherë do të mund të flasim me saktësi të plotë se për kë bëhet fjalë dhe, bashkë me familjet, t’u japim një lamtumirë dinjitoze dhe nga një varr me emër e mbiemër”.

Teksa tha se është papërshkrueshëm e dhimbshme pritja kaq e gjatë dhe ankthi i përjetuar nga familjarët e të zhdukurve me dhunë, kryeministri theksoi se qindra familje kërkojnë zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre, por edhe drejtësi.

“Të dyja, zbardhja e fatit sikurse edhe drejtësia, u janë mohuar dhe po u mohohen nga Serbia, që duke fshehur e duke mos i pranuar krimet, si dhe duke refuzuar të hapë arkivat e duke i klasifikuar ato, synon të tjetërsojë të vërtetën dhe t’i ikë përgjegjësisë. E nuk mjaftohet me këtë, Serbia arreston e përndjekë edhe ata pak serbë që kanë guxuar të dëshmojnë tek institucionet ndërkombëtare”, tha ai.

Kryeministri Kurti përsëriti thirrjen që faktorët ndërkombëtarë ta shtojnë trysninë ndaj fqinjit tonë verior, që të zbatojë Deklaratën për Personat e Zhdukur me Dhunë të dakorduar në Bruksel më 2 maj 2023, duke hapur dhe vënë në dispozicion arkivat shtetërore, që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Doemos më ta përsëris thirrjen për hapjen e arkivit të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë, e cila ka kryer masakra, posaçërisht në Drenicë, por edhe gjithandej Kosovës, dhe dosja e së cilës para 12 vjetësh është klasifikuar për 30 vjet. Pra, ajo mbetet e klasifikuar edhe 18 vjet të tjera. Familjet që kanë pritur 27 dhe 28 vjet, nuk mund dënohen me pritje, ankth e dhimbje, edhe për 18 vjet të tjera. Andaj trysnia ndërkombëtare është jetike në këtë proces. Dosjet e arkivuara dhe të klasifikuara të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë, duhet të hapen tash nga shteti i Serbisë, pra sivjet, në vitin 2026, e jo në vitin 2044”, theksoi kryeministriKurti. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.