Prezantohet raporti “Paratë dhe politika“ – në fokus Gjilani

Prezantohet raporti “Paratë dhe politika“ – në fokus Gjilani

Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – ÇOHU! së bashku me Communication for Social Development-CSD, kanë publikuar raportin „Paratë dhe politika“ mbi shpenzimet e Komunës së Gjilanit.

Besnik Boletini përfaqësues i Organizatës Çohu ka thënë se hulumtimi është realizuar nga organizata „Kosovo Center for International Cooperation“ në kuadër të projektit “Sigurimi i integritetit të qeverisjes lokale përmes rritjes së kapaciteteve për hulumtim dhe monitorim nga organizatat lokale” mbështetur nga CDF – Advancing Kosovo Together-Local Solutions (AKT-LS), përmes USAID.

Sipas tij, periudha e përfshirë në këtë raport ka të bëjë me vitet 2010 – 2015.

Boletini ka thënë se të gjeturat kryesore të raportit janë: mos-planifikim i duhur i shpenzimeve buxhetore, shkelje e dispozitave të prokurimit publik, anashkalim i dispozitave të prokurimit publik me rastin e njoftimeve publike, mos-zotim i mjeteve para inicimit të procedurave të prokurimit publik, vonesa në ekzekutimin e punëve sipas kontratës, dhënia e kontratës operatorit ekonomik të pa përgjegjshëm.

Raporti në fjalë përbën edhe shpenzimet kapitale, raportet e auditimit për këto vite, vendime e organit shqyrtues të prokurimit (OSHP). Po ashtu edhe financimet e subjekteve politike dhe ndërlidhja e bizneseve me subjektet politike, donacionet që bizneset i kanë dhënë për partitë politike, por edhe tenderët që i kanë marrë brenda kësaj periudhe, për të përfunduar raporti me rekomandime.

Kur jemi te financimi i partive politike të Komunës së Gjilanit nga bizneset, por të cilat më pas kanë përfituar tenderë, Besnik Boletini ka thënë se nga të dhënat që janë marrë nga KRPP dhe të cilat janë krahasuar me të dhënat e ARBK-së dhe raportet e pasqyrave financiare të subjekteve politike janë gjetur 18 kompani të cilat kanë financuar subjektet politike dhe që kanë fituar tenderë në Komunën e Gjilanit.

Boletini ka thënë se hulumtimi tregon se rekomandimet e zyrës së auditorit gjeneral nuk janë zbatuar ndër vite edhe pse të rekomanduara. Bazuar në këtë hulumtim Komuna e Gjilanit del të ketë probleme të shumta sa i përket buxhetit, në veçanti në fushën e prokurimit publik.

Sipas Boletinit. ndër rekomandimet e shumta që dalin nga ky hulumtim dhe raporti i auditorit janë këto rekomandime: respektim i kontratave dhe përmbushjen e kritereve të kërkuara sipas dosjes së tenderit, analizimi dhe marrja e masave të duhura administrative për rastet e keqmenaxhimit, kompensimit e organit mbikëqyrës dhe komisionit për pranim teknik të punëve të bëhen jashtë kontratave për punë dhe të mos futen në koston e ndërtimit.

Po ashtu, rekomandime tjera janë edhe: realizimi i projekteve me kohë dhe në rastet e vonesave të aplikohen ndëshkime për kontraktorët që nuk i përmbushin kushtet dhe obligimet e përcaktuara me kontratë. OE të ofrojnë garancion bankar për sigurinë e ekzekutimit të punëve . Të mos iniciohen procedurat e prokurimit para se të sigurohen mjetet e nevojshme. Kryetari i komunës duhet të sigurojë që punët kapitale të përfundojnë brenda afateve optimale dhe objektivisht të arritshme. Menaxhmenti duhet ët analizojë në hollësi afatet kontraktuese dhe arsyet e vonesave.

Kryetari i komunës të sigurojë një monitorim të shtuar të komisioneve vlerësuese nga menaxheri i prokurimit gjatë vlerësimit të ofertave dhe aty ku vërehen indikacione të bashkëveprimit të ofertuesve të raportohen tek menaxhmenti i lartë dhe të veprohet komformë legjislacionit. Kryetari duhet të shqyrtojë arsyet përse kontrata iu është dhënë operatorit të papërgjegjshëm. Monitorim më i shtuar nevojitet ndaj komisioneve ët vlerësimit për të siguruar një vlerësim të drejtë dhe sipas kërkesave ligjore.

Rekomandime tjera janë edhe ato ku: Kryetari duhet të sigurojë një rishikim të rasteve të identifikuara për të gjetur shkaqet e ndodhjes dhe të marr masa e duhura për evitimin e tyre në të ardhmen. Veçanërisht duhet të rris llogaridhënien e personave përgjegjës qoftë të njësisë kërkuese, zyrtarëve të prokurimit dhe menaxherëve të kontratave. Rrjedhimisht duhet të vendosen kontrolle të shtuara për të siguruar se dobësitë sistematike të identifikuara janë adresuar.

Përndryshe Besnik Boletini nga organizata Çohu ka thënë se zbatimi dhe adresimi i rekomandimeve edhe për Komunën e Gjilanit do të duhej të konsiderohej çështje me prioritet nga organet relevante komunale.

KOMENTE