Prezantohet plani ideor për Hotel “Kristal-in” e ri!

Prezantohet plani ideor për Hotel “Kristal-in” e ri!

Të hënën është prezantuar projekti ideor i ndërtimit të Hotelit “Kristal” që sipas investitorit kap një kosto prej afër 22 milion eurove. Do të jetë një hotel me pesë yje,  shumë funksional, me qendra afariste dhe komerciale, e me hapësira kreative për komunitetin. Parashihet të fillojë së ndërtuari vitin e ardhshëm dhe të përfundojë brenda maksimum 36 muajve.

Projekti ideor është prezantuar nga Arbër Shita i cili e ka fituar në një garë të brendshme konkursin për përpilimin ideor të projektit. Shoqëria civile dhe ekspertët e kanë quajtur lajm të mirë investimin në një projekt të tillë të pronarit Mustafë Shala, që do të bëhet në qendër të Gjilanit, e ku do të ketë edhe hapësira tjera në shërbim të komunitetit.

Projekti ideor i ndërtimit të Hotelit “Kristal” që tashmë ka kaluar nëpër disa fazat është hedhur në diskutim publik këtë të hënë, ku kanë marrë pjesë ekspert të kësaj fushe, shoqëria civile e të tjerë, organizuar nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu”.

Arbër Ismajli nënkryetar i komunës e ka përgëzuar investitorin Mustafë Shala dhe vet kompaninë projektuese. “Është një lajm i mirë dhe urojë të vazhdoni edhe me projektet e tjera të zbukurimit dhe zhvillimit të qendrës së qytetit” tha Ismajli.

Bekim Bajrami drejtor i Urbanizmit tha se Hoteli “Kristal” është qendra e qytetit të Gjilanit, dhe pesha dhe rëndësia e këtij projekti është e madhe. “Drejtoria e Urbanizmit është kujdesur për kushtet dhe specifikat e Hotelit, është projekt atraktiv dhe origjinal dhe realisht ky projekt është e ardhmja evropiane e Gjilanit.

Ndërsa, Arbër Shita kompania e të cilit është përzgjedhur për ta finalizuar projektin ideor tha se projekti ideor është kryer me sukses të plotë duke u respektuar kushtet e ndërtimit dhe të përshtatura me kushtet e ardhshme urbanistike. “Hoteli është me pesë yje dhe ka ambiente të jashtëzakonshme dhe moderne. Do të ketë dhoma fjetjeje, biznese e lokale të shumta afariste. Do të ketë gjelbërim të mjaftueshëm, fitnese, salla sportive, sauna, banjo dhe sporte ujore, pishina, katër etazha nëntokësore,  parkingje për kapacitet të Hotelit dhe komunitetit” tha Shita.

Ekspertët ndërkaq e kanë vlerësuar këtë projekt, Muhamed Sadriu tha se projekti po shihet se i ka kaluar disa faza, ndërsa shprehu interesimin për pjesët që kanë të bëjnë me ato hapësira për komunitetin duke kërkuar sqarime për to, sepse publiku ka nevojë të ketë informacion të qartë. Shaban Terziu nga shoqëria civile ka pyetur për kushtet urbanistike dhe sizmologjike, për hapësirat e gjelbruara dhe tha se mezi pret ta sheh Hotelin modern në Gjilan. Shaqir Ukshini nga drejtoria e urbanizimit tha se nëpër të gjithë ecurinë duhet zbatuar të gjitha kriteret urbanistike, kurse Riza Abdyli këshilltar komunal tha se pronari duhet të ketë përkrahje nga komuna dhe shoqëria civile sepse po ndërtohet një hotel i mirë  për të cilin Gjilani ka nevojë.

Kurse, Mustafë Shala pronar i Hotelit “Kristal” tha se gjithçka që do të ndërtohet do të bëhet sipas kritereve dhe puna do të jetë transparente deri në finalizim, ndërsa ka falënderuar të gjitha ata që kanë kontribuar deri në këtë fazë me idetë e tyre.

KOMENTE