Prezantohet Pajaziti, objektivi në duart e tij
(2LONLINE) – Dje është emëruar trajneri i ri i Gjilanit, ndërsa sot ai është prezantuar zyrtarisht para futbollistëve teksa ka mbajtur seancën e parë stërvitore. Objektivi i Supërligës është bartur në duart e Sadat Pajazitit timonierit që do ta zëvendësojë Muharrem Sahiti që është larguar si pasojë e angazhimeve të shumta më përfaqësuesen e Kosovës.
Trajnerin nga Tërnoci e pret një mision i cili veç se është në gjysmë, tashmë duhet ta përmbushë deri në fund të sezonit, atë të cilin janë duke e pritur të gjithë sportdashësit gjilanas, inkuadrimi në elitë.
Në prezantimin e tij para futbollistëve tekniku i ri premtoi punë dhe angazhim maksimal drejt arritjes së objektivave.
“Ju premtoj punë dhe angazhim maksimal dhe mbi të gjitha lojë të bukur. Kjo do të jetë staza në të cilën do të kalojmë për ta arritur qëllimin që kemi pranë vetës. Lojtarët nuk duhet të kenë presion por vetëm punë”, ka thënë gjatë seancën stërvitore Pajaziti, njofton Zyra për informim e KF Gjilanit
Pajaziti erdhi në krye të shtabit teknik të Gjilanit pas largimit të trajnerit Muharrem Sahiti. Kontrata tij është gjashtë mujore me mundësi vazhdimi. Ndërkohë trajneri Sahiti ka bërë sot përshëndetjen e fundit para futbollistëve, duke u uruar shumë sukses dhe fat për pjesën tjetër të sezonit. /2lonline/
